Tre nga 14 automjete të blinduara, që u bllokuan nga Policia e Tiranës në muajin shtator në kuadër të operacionit "Vjeshtë 2017", janë liruar me urdhër të Prokurorisë së Tiranës. Sipas prokurorisë së Tiranës këto automjete tip “Audi” dhe “Benz-Mercedes” rezultojnë se janë në pronësi të një personi nga Kosova. Ai ka paraqitur në Polici dhe Prokurori dokumentet e rregullta me të cilat zotëron tre makina të blinduara. Ka qënë Prokurori Arben Allajbeu, ai që ka vendosur kthimin e këtyre automjeteve te pronari i ligjshëm, pasi ky person ka dorëzuar dokumentet me të cilat i ka blerë si dhe dokumentet që ka marrë leje për përdorimin e tyre. Makinat sipas Policisë kishin një vlerë rreth 800 mijë euro dhe dyshohet se ishin blerë me burime të pajustifikuara parash.

Por Prokuroria thotë se një fakt i tillë nuk rezulton dhe personi me orgjinë nga Kosova, tashmë i ka rimarrë tre makinat e blinduara. Nga verifikimet në “Interpol” dhe në kanale të tjera informacioni si doganat dhe pikat kufitare kemi konstatuar se këto makina nuk kanë qënë të trafikuara”-thanë burimet pranë prokurorisë. Këto makina janë gjendur në garazhin e shtetasir Ergys Hoxha, pranë kompleksit “Kika” në Tiranë, dhe se ka qënë vetë Hoxha që më pas i ka çuar në policinë e Tiranës për verifikim.Sipas burimeve të prokurorisë automjetet jepeshin me qera tek persona të ndryshëm kryesisht individë me precedentë të rrezikshëm penalë. Ndërkohë për sa i përket automjetit tip Benz të blinduar me targa ruse sekuestruar shtetasit Pajtim Serjani,ai i ka kaluar për hetime të mëtejshme pasur Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

“Blind-at pronë të distributorit gjerman”
Sipas tregtarit Ergys Hoxha, makinat i përkasin dhe janë në pronësi të distributorit gjerman, ku ai është i punësuar prej shumë vitesh si agjent shitjesh në Shqipëri dhe zonën e Ballkanit. “…Po, makinat kanë qënë në garazhin tim të parkuara. Unë kam qënë vetë personi që i ka çuar në Polici, pasi jam thirur nga Policia, duke më thënë se duhet të verifikonin makinat për shkak se kishin dyshime lidhur me atë se kush i përdor këto automjete, nga i gjejnë paratë këta persona që i përdorin, etj si këto.

I kam marrë makinat dhe i kam çuar vetë në Polici…” - deklaron Hoxha. Tregtari shtoi gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët e “Shqiptarja.com” se makinat janë të rregullta dhe s’ka asnjë dyshim për trafikim apo pastrim parash, duke shtuar se gjithçka ka qënë një shoë i Policisë së Tiranës, për të bërë zhurmë mediatike. “…Janë me leje hyrjeje, me taksa të paguara dhe me të gjitha letrat në rregull. Ne po kërkojmë që të na kthehen”. Por burime pranë Prokurorisë së Tiranës thonë se çështja e automjeteve në fjalë po hetohet në disa drejtime, përfshirë këtë dhe mospagimin e taksave.

Shullazi
Ergys Hoxha pohon për “Shqiptarja.com” se s’ka asnjë lidhje me Emiljano Shullazin dhe anëtarët e grupit të tij. “Unë nuk kam lidhje fare me Shullazin dhe këtë person nuk e kam takuar ndonjëherë dhe as personat e tjerë nuk i njoh. Nuk i kam dhënë dhe as i kam shitur asnjë makinë të blinduar këtij personi”, thotë Hoxha. Duke shtuar se gjithçka është një spekulim, që kërkon të përbaltë emrin dhe imazhin e tij. “Me makinat unë punoj, duke kryer shërbime edhe për qeverinë shqiptare dhe deri tek anëtarët e aleancës së NATO-s… Automjetet kanë qënë pa targa, për shkak se ua kam hequr vetë. Pasi mund të m’i vjedhin dhe kam frikë se i përdorin në ndonjë ngjarje kriminale”- pohoi Hoxha.

"E vërteta e “Audi”-t të Ervin Dalipajt"
Sipas tij, ai shet automjete në gjithë Shqipërinë dhe shpesh herë nuk bën kontrata noteriale, për shkak se personat që shfaqin interes i marrin fillimisht në përdorim disaditor, për t’i provuar nga gjëndja motorike dhe elektronike. Hoxha thotë se i tillë ka qënë edhe rasti i “Audi-t”, ku mbeti i vrarë shtetasi Ervin Dalipaj (të cilin nuk e njihte) dhe Juxhin Dauti në muajin prill 2017. Sipas tij, makinën ai ia kishte dhënë Dautit, me të cilin kishte krijuar një njohje prej dy muajsh.

Ai i kishte pohuar se donte ta blinte automjetin dhe se duhej patjetër ta shikonte për gjëndjen motorike. “Ja kam dhënë makinën ta shihte. Një ditë para ngjarjes më tha ‘jam gati ta blej, sa t’i shoh edhe disa gjëra dhe jam OK për ta marrë’. Unë jap makina dhe nuk jap armë, ndodh çfarë ndodh, është ai tjetri në timon” - thotë Hoxha për “Shqiptarja.com”. Momentalisht “Audi”, i dëmtuar nga plumbat dhe dalja nga rruga, vijon të jetë i bllokuar nga Policia, për shkak se është provë materiale. Gjithmonë sipas tij, e njëjta situatë ka qënë edhe me makinën që ia kishte dhënë Elton Çiços, i cili mbeti i vrarë më 1 maj 2016 tek bar “De Niro” në Tiranë.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com