TIRANE - Gjykata e Tiranës liroi tre nga katër personat e arrestuar nga antikrimi ekonomik i Policisë së Tiranës, pasi falsifikonin pije alkoolike të shtrenjta. Në burg ka mbetur vetëm Edlir Hasa 43 vjeç pronari i ambientit ku u bllokua malli. Ndërkaq gjyqtari i gatshëm nuk vlerësoi se duhej të qëndronin në burg, personat e tjerë edhe pse ishin arrestuar në flagrancë dhe janë akuzuar dhe hetuar edhe herë të tjera për këtë vepër penale. 

Kështu për Qemal Xhafën, Ndriçim Hasën dhe teknologun Kristaq Jorgo, edhe pse të arrestuar në flagrancë gjyqtari Artan Lazaj, vendosi t’i linte të lirë. Të tre këta persona bashkë me Edlir Hasën, u arrestuan në flagrancë nga policia e kryeqytetit për prodhim shitje dhe shpërndarje të pijeve alkoolike dhe të etiketave false. Ndër produktet e falsifikuara sipas policisë ishte edhe Xhin. 

Sipas hetuesve personat prodhonin raki dëllinje të cilën e shisnin për Xhin. Po kështu edhe pijet e tjera si fërnet dhe raki. Në vitin 2011, disa nga këta persona janë arrestuar dhe proceduar penalisht për të njëjtën vepër penale nga policia e kryeqytetit.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)