Lirohet Fatmir Limaj, Gjykata e
Apelit i heq masën arrest shtëpie

Lirohet Fatmir Limaj, Gjykata e<br />Apelit i heq masën arrest shtëpie
PRISHTINE -  Gjykata e Apelit liron deputetin Fatmir Limaj dhe ish-bashkëluftëtarët e tij në hetim për rastin “Kleçka", nga masa "arrest shtëpie"

Vendimi i Gjykatës së Apelit iu komunikua Limajt në rajonin e policisë.

"Me vendim të kryetarit të trupit gjykues, Malcolm Simmons është liruar nga masa e arrestit Fatmir Limaj dhe gjithë të tjerët në hetim për rastin Kleçka" ka thënë avokati mbrojtës i Fatmir Limajt, Tomë Gashi.

Kjo masë iu shqiptua Fatmir Limajt, Arbën Krasniqit, Behlul Limajt, Refki Mazrekut, Sabait Shalës, Shaban Shalës dhe Besim Shurajt. të cilët akuzohen për krime lufte kundër popullatës civile dhe të të burgosurve të luftës. Deri tani dëshmitarët e mbrojtur të prokurorisë si dhe dëshmitarë të tjerë kanë mohuar pikat e aktakuzës së prokurorit ndërkombëtar Maruzio Salustro

Me këtë vendim, Fatmir Limajt i mundësohet kthimi në jetë politike, shkruajnë mediat kosovare.

PROCESI GJYQESOR NDAJ LIMAJT
Limaj ndodhej në paraburgim që nga 24 nëntori i 2012 kur qe vendosur kthimi i tij në rigjykim nën akuzat për krime lufte kundër popullatës civile dhe kundër të burgosurve të luftës, në pjesën e parë të vitit 1999. Një trup i përbërë nga tre gjykatës ndërkombëtar dhe dy vendas të gjykatës së lartë, vendosi në atë kohë që kërkesa e prokurorit të çështjes për rishqyrtim të lëndës të merret për bazë pjesërisht.

Më 8 mars Gjykata e Lartë  liroi nga paraburgimi deputetin Fatmir Limaj dhe i dha arrest shtëpie.


Në muajin maj të vitit 2012 zoti Limaj u shpall i pafajshëm për të gjitha akuzat, që mbështeteshin kryesisht mbi dëshmitë e një ish pjesëtari të Ushtrisë Çlirimtare, Agim Zogaj, i cili qe bërë i njohur si dëshmitari X, deri në muajin shtator të vitit 2011, kur kreu vetëvrasje në Gjermani.

Ai për një kohë kishte mbajtur ditar ku kishte shënuar ngjarjet e përfshira në akuzë. Më 21 mars të vitit 2012, pohimet e dëshmitarit qenë shpallur të papranueshme nga gjykata. Ishte kjo hera e dytë që zoti Limaj përballej me akuzat për krime lufte. Më 30 nëntor të vitit 2005 Gjykata Ndërkombëtare për Krime lufte në Hagë shpalli të pafajshëm Fatmir Limajn i njohur me emrin e luftës si komandant Çeliku, i cili në shkurt të vitit 2003 qe akuzuar për përfshirje në krime kundër civilëve shqiptarë dhe serbë gjatë luftës së vitit 1998. Rigjykimi i vendosur në nëntor të 2012 pritej të fillonte në prill por ende s'ka nisur. Po ashtu pritet të fillojë edhe procesi tjetër gjyqësor ndaj zotit Limaj nën akuzat për përfshirje në krim të organizuar dhe korrupsion, që lidhen me periudhën kur zoti Limaj ishte Ministër i Transportit dhe Telekomunikacionit.

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Begaj dekreton ndryshimet në Kodin Zgjedhor: Fryt marrëveshjes pozitë-opozitë, vota e diapsorës zhvillim historik! Debati për listat? Nuk është tagri im

Begaj dekreton ndryshimet në Kodin Zgjedhor: Fryt marrëveshjes pozitë-opozitë, vota e diapsorës zhvillim historik! Debati për listat? Nuk është tagri im