Lisandër Hoxha, ish-kandidat për deputet i PD-së, u shpreh kritik ndaj protestës para kryeministrisë, të cilën demokratët e quajnë si Foltore. Në një intervistë për "Shtypi i ditës dhe ju", teksa vuri theksin te vonesa e një reagimi të tillë, ai theksoi se demokratët duhet t'i paraprijnë protestave në rrugë. Sipas tij, një organizim i tillë nga PD vjen në një kohë kur kanë kaluar shumë muaj nga zgjedhjet e 11 majit. 

“Protestat e qytetarëve përgjithësisht janë shfryrje mllefi në publik. Oferta politike është ajo që përcakton vijat, në të cilat një forcë ofron diçka. PD duhet t’i prijë protestave në rrugë, për mua është e pamjaftueshme organizimi me Foltore kur qeveria është me një këmbë në varr. PD duhet të bëjë maksimumin për të mobilizuar njerëzit, për të rritur presionin publik se një qeverisje e kapur në vjedhje, nuk ka më autoritet për të vazhduar. Është organizimi i vonuar. Nuk është gjë e keqe. Opozita është pasuri kombëtare, edhe kur bën gabime. Politikanëve duhet t'u bëhet presion nga elektorati i vet për vendimet e gabuara që gjërat të shkojnë mirë. Pse PD s'po bën reagimin e fuqishëm? Ndoshta sepse gabuan për 7 muaj që nuk organizuan dhe u morëm vetëm me konstato dhe denonco.Këtu mund të ndodhë çdo gjë dhe reagimi publik do të jetë zero se nëse nuk ka shpres përmes reagimit publik, njerëzit kalojnë në apati sociale. Protesta dhe reagimi janë gjërat më demokratike që një shoqëri ka. ", u shpreh ai. 

Hoxha theksoi se kur të mblidhet Këshilli Kombëtar i PD-së do të paraqesë dy propozime: "Vetting" brenda PD për ata që punojnë me Soros dhe për integritetin e figurës. Hoxha tha se në PD nuk mund të ketë përfaqësues të lartë që janë "shërbëtorë" të Soros apo të tenderave dhe lidhjeve me qeverinë. 

"Së pari, nuk mund të kesh përfaqësues të lartë të pD që të jenë të besuarit e Soros. Nuk ka sens që një i djathtë që lobon për politikat e së djathtës të jetë pjesë e fondacionit. Unë vendos standartin, nëse prek dikë, le të prekë. Nuk është problemi i Lisandrit dhe as i standartit. Unë nuk po them ka apo s'ka por them nuk duhet të ketë. Ne nuk e bëjmë kundër dikujt, por për të shpëtuar forcën tonë politike nga një ideologji hibride. Së dyti, integriteti i figurave. Ne kemi thëmë që qeveria Rama është e korruptuar. Korruptoi gjyqësorin, shoqërinë civile, ish kryetarin tonë. Pse të tjerët janë imunë? Nëse psh paska qenë i korruptuar Basha dhe paska punuar për Eamën? A ekziston mundësia që të ketë korruptuar të tjerë në PD? Njerëz të lidhur me tendera, qeverinë përmes familjarëve janë të papërshtatshëm për të pasur poste brenda PD. Nuk mund të luftosh një sistem të korruptuar me njerëz të korruptuar. Është vaksinë që është e domosdoshme të bëhet që të parandalosh. Kjo nuk është luftë ndaj dikujt, por vendosje standarti për të qenë i pastër para qytetarëve të saj, që nuk janë as shërbëtorë të Soros dhe as të tenderave të qeverisë. ", shtoi ai. 

Duke u ndalur te Belinda Balluku, ai tha se edhe çfarëdo të vendosë Gjykata Kushtetuese për pezulimin e nga detyra e ministres dhe zëvendëskryeministres, ajo do të përfundojë në burg sepse ka të "hapura" edhe çështje të tjera. Sipas tij, ky skandal do të rrëzojë edhe qeverinë e Ramës, ndaj shtoi ai, opozita duhet të shfrytëzojë këtë moment politik dhe të ofrojë integritetin e duhur për qytetarët. 

"Duhet një qeveri e përbashkët, me elementë më të mirë të saj, që të vazhdojmë reformat deri në zgjedhjet. Mund të jetë edhe qeveri politike me elementë normalë të dy partive apo me ekspertë. E rëndësishme është se çfarë misioni do të ketë qeverisje pas Ramës, se për mua Rama ka ikur, që kur i bën avokaturën Ballukut. Në një qeverisje normale, distancoheshe menjëherë, e shkarkoje zv kryeministren. Nuk ndodhi as për Ahmetajn dhe Veliajn. Por ndodhi përt ballukun. Siç i ka dërguar sms Berberit se kush duhet ta marrë tenderin, të nëjtjat mesazhe mund të ketë marrë Balluku nga vetë Rama. Krijuesit e kësaj reforme janë ata që kanë hedhur paratë. Balluku ka marrë masën më të lehtë të mundshme, pezullim i përkohshëm nga detyra, masa e vërtetë pas këtij megaskandali, duhet të ishte arrresti me burg. Si do të shprehet Kushtetuesja drej burgut do të shkojë se ka edhe çështje të tjera. Mbytja e anijes së Ballukut do të tërheqë Ramën. Opozita duhet të vendosë standarte integriteti dhe të jetë ofertë politikke në këtë zhvillim të fundit në Shqipëri. Nëse duam të përmirësohet ky vend, duhet të jemi ofertë politike me njerëzit më të mirë, të japim atë që qytetarët kanë nevojë. Duhet ndryshim rrënjësor brenda PD që të jesh në lartësinë e nevojës që ka vendi sot për opozitën.", tha Hoxha. 

PD do të mblidhet sërish sot në protestë para kryeministrisë në orën 18:00, ndërsa Sali Berisha ka paralajmëruar se protestat do t'i shtrijnë edhe në qytete të tjera. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 09:18
Ofertë e re politike? Hoxha komenton takimin e Salianjit me më të votuarit e Primareve: Nuk mund të ketë njeri që s’e ndjen veten të rivalizuar

 

Në intervistën për Report TV, Lisandër Hoxha komentoi edhe takimin e Ervin Salianjit me më të votuarit e Primareve në PD, që u interpretua si një lëvizje kundër Sali Berishës. Ai theksoi se brenda PD-së ka zëra që e kritikojnë partinë më shumë se kushdo tjetër dhe që sipas të cilit, është krejtësisht normale.

I pyetur nëse ka ndonjë ofertë politike nga ky grup, ai nuk e përjashtoi një mundësi të tillë. Sipas tij, takimi nuk ka për qëllim që t’i zërë karrigen dikujt, por është një presion brenda partisë për përmirësim. Mes të tjerash, Hoxha theksoi se nuk duhet të ketë asnjë person në opozitë që ta mendojë veten pa rival. 

“Unë nuk isha, por edhe mund të isha. Kafe pi çdo ditë me deputetë të PD-së, anëtarë të Këshillit Komnëtar, e kritikojmë PD më shumë se të tjerë. Është normale dhe kërkojmë nga PD më të mirën. Kritikat nuk i bëjnë keq. Në fakt aty është konsumuar një kafe dhe janë shprehur shqetësime sa i takon përditshmërisë politike që përcjell PD. Nuk ka asgjë të keqe. Nuk ka një ofertë politike nga një grup. Kjo nuk do të thotë se nuk do të ketë. Është tjetërsuar debate, sikur dikush ka dalë për t’i rrëmbyer karrigen dikujt. Nuk funksionon kjo gjë. Ajo që po ndodh është rritja e presionit të brendshëm për përmirësimin e PD, dhe kjo është gjëja më normale. Nuk mund të ketë një njeri në opozitë që nuk e ndjen veten të rivalizuar në asnjë aspekt dhe  më pas fillon e bën gabime. Politika është dinamike, duhet të ndjesh rrezikun se dikush e bën më mirë punën sesa ti. Ne nuk jemi për të duartrokitur, jemi edhe për të dhënë ide, kundërshtuar, përfaqësuar ata që na kanë votuar dhe shtruar idetë më të mira. Nëse nuk kuptohet kjo formë, jemi në sistemin komunist ku kërkohet një repart ushtarak dhe për veten time nuk jam pjesë e asnjë reparti.”, tha ai.