Kur duhen numëruar votat e diasporës së Greqisë, gara mes kandidatëve për vota preferenciale tashmë ka marrë formë thuajse përfundimtare dhe mandatet për të cilat ende po luftohet janë vetëm 4.
Të gjitha betejat po zhvillohen mes socialistëve, 2 prej të cilave në Qarkun e Tiranës, ku numërimi i votave të kandidatëve brenda vendit sipas KQZ tashmë ka përfunduar në të 1282 kutitë.
Pasi 4 kandidatë të PD, me emra të njohur, si Gonxhe, Braçe, Hoxha dhe Xhafaj kanë siguruat tashmë mandatin, mbetet një betejë për emrin e pestë, që do të ndahet mes Ornaldo Rakipit dhe Xhemal Qefalisë, teksa i pari aktualisht ka krijuar një diferencë me rreth 130 vota. Bie në sy fakti se Blendi Gonxhja ka kaluar mbi 22 mijë vota preferenciale në Tiranë, i ndjekur nga Erion Braçe me rreth 21 mijë.
Mes socialistëve nga 7 deputetët e listës së hapur, 2 do të jenë gra, për të plotësuar kuotën gjinore. Anila Denaj me mbi 8731 vota tashmë e ka siguruar pozicionin e ligjvënëses në 4 vitet e ardhshme. Mandati tjetër do të ndahet nga një betejë e ashpër mes deputeteve aktuale Blerina Gjylameti me 5751 vota dhe Olta Xhaçka, ish-ministre, me 5732 vota dhe me diferencë vetëm 19 vota. Teksa për t’u numëruar janë edhe mbi 53 mijë vota të diasporës së Greqisë.
Renditja aktuale, kandidatët e PS në Tiranë
Në Tiranë, përveç Xhaçkës, që rrezikojnë janë edhe shumë emra të tjerë, të cilët me shumë gjasa nuk do të jenë mes deputeteve të legjislaturës 2025-2029. Mes tyre ish ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, kryetarja e komisionit parlamentar të politikës së jashtme, Mimi Kodheli, ish nënkryetarja e Kuvendit Ermonela Felaj apo kryetarja e Komisionit të Ligjeve Klotilda Bushka. Nuk do të jenë të pakët dhe deputetët burra, që po ashtu në shtator nuk do të hyjnë në sallën e parlamentit të ri. Një nga emrat më me peshë është ai i ish kryeministrit Pandeli Majko, por po ashtu dhe Toni Gogut, Arben Pëllumbit, apo dhe Plarent Ndrecës, që hyri si zëvendësues.
Sa i përket betejës mes kandidatëve në qarqet e tjerë, në Fier luftohet për një vend deputeti ku përballë janë Dhimitër Kruti, Ramion Kurti dhe Maldrita Bardho që i ndajnë vetëm disa dhjetëra vota. Ndërsa në Vlorë mund të ketë vetëm një garë potenciale nga vota e diasporës, mes Vasil Llajos dhe Klevis Kasos që e ndjek me pak më shumë se 200 vota diferencë.
Komente

