Edhe Fatmir Mediu me siguri do të marrë një vend të sigurtë në listë. I parafundit e mori Agron Duka. Siç e shpjegoi edhe vetë, kërkoi dy të sigurtë, por mori vetëm një, pra gjysmën e objektivit.
Kështu do të ndodhë edhe me Mediun, edhe pse ai sot ka paraqitur 36 kandidatët për Tiranën, dhe ka lënë të kuptojë se është gati të pijë kafe me Edi Ramën. Njësoj fliste dhe Duka një ditë para firmës. Ndoka, Shehi e Dule ndërkohë janë rehatuar në zonat gri të listës, me shpresë se mund të dalin deputetë.
E gjithë kjo është një histori dnkurajuese për opozitën. Lista po formohet nën shatnazh, me një mungesë të dukshëm respekti ndaj njëri- tjetrit. Nën makthin e justifikuar që Lulzim Basha mund t’i gënjejë përsëri, kryetarët e partive aleate kanë një javë që i kanë zënë derën e Shqup-it dhe nuk ikin prej andej pa marrë një vend, së paku për vete.
Kjo krijon një shije të hidhur në elektoratin e opozitës, pasi në vend të një liste entuziastësh, ata po shikojnë që të parët po sigurohen ata që kanë frikë se mos opozita humbet përsëri dhe po hyjnë në listë dhunshëm.
Por nga ana tjetër Lulzim Basha ka mundur t’i defaktorizojë ata, duke i bërë të papërdorshme partitë e tyre prej vitit 2015. Prej vitit 2015, ata kanë bërë çfarë u ka thënë Lulzim Basha, duke humbur identitetin e tyre politik dhe duke shkatërruar partitë e tyre.
Ata hynë në çadër më 2017, dolën nga Parlamenti më 2019, ikën nga zgjedhjet lokale më 2019, dhe gjithmonë kishin si premtim që do futeshin në listat e PD më 2021. Tani formalisht ata kanë qenë besnikë të PD-së, por me ato që kanë bërë, partitë e tyre janë shkatërrur dhe ata janë besnikë të panevojshëm të saj.
Lulzim Basha praktikisht ka arritur t’i defaktorizojë ata në elektorat, duke i përdorur për interesat e tij politike.
Më 2017 i përdori t’u mbyllte gojën kundërshtarëve të tij në parti, duke i zbuar nga lista dhe duke i zëvendësuar me këta. Pastaj për të krijuar idenë se vendimet e opozitës merreshin me unanimitet, ata i joshte duke i nxjerrë nga Parlamenti dhe duke i lënë jashtë zgjedhjeve lokale.
Aq qesharake është bërë kjo histori, sa Agron Duka ka marrë Partinë Agrare më 2015 dhe nuk ka mundur të futet në asnjë palë zgjedhje me siglën e saj. Tani përpjekjet e tyre për të shantazhuar Lulzim Bashën janë qesharake, pasi Lulzim Basha u ka hequr atyre stolin ku ata qëndronin, pra u ka shkatërruar partitë e tyre.
Kështu që të gjitha shantazhet e tyre mund të përfundojnë për herë të fundit, duke marrë një vend të disktueshëm në listat e PD. Kjo për Bashën është konfirmim që ata nuk kanë më parti. Se nëse do të kishin, një vend mund ta fitonin dhe me partinë e tyre, por së paku do ta vinin në provë. Kështu janë të dorëzuar dhe Basha e ka të pastruar fushën nga shantazhet e tyre. Përveç LSI-së.