Lista zyrtare, Gjimshiti, Rrahmani
Rashica e Shala jashtë kombëtares

Lista zyrtare, Gjimshiti, Rrahmani<br />Rashica e Shala jashtë kombëtares
Trajneri Gianni De Biasi ka shpallur dje listën përfundimtare të lojtarëve që do të marrë me vete në Francë. Janë lënë jashtë listës zyrtare të 23 futbollistëve që do të përfaqësojnë Shqipërinë në Europian, katër futbollistët: Berat Gjimshiti, Amir Rrahmani, Herolind Shala dhe Milot Rashica. Duket se zgjedhja nuk ka qenë aspak e lehtë për trajnerin, i cili e ka publikuar listën vetëm 2 orë para përfundimit të afatit zyrtar të vendosur nga UEFA.

Në orën 21:30, De Biasi i komunikoi personalisht skuadrës në një mbledhje të përbashkët listën me 23 emrat kuqezinj që do të luajnë në Europian. Vendimi i trajnerit italian ka qenë paksa suprizues. Mbetet jashtë personazhi me publicitetin më të madh në arenën europiane, Milot Rashica, ndërkohë që nuk pritej as lënia jashtë e Gjimshitit. Për dy të “përjashtuarit” e tjerë, Rrahmani dhe Shala, vendimi ishte disi i parashikuar.

Të larguarit
Nga dy largimet e De Biasit në repartin mbrojtjës, Rrahmani ishte emri më i lakuar. Edhe pse është pjesë e Kombëtares prej afro dy vjetëve dhe cilësohet si një lojtar i së ardhmes, hapësirat për 22-vjeçarin kanë qenë të pakta. E ndryshme situata e Gjimshitit, që humbi balotazhin me Frederik Veselin dhe Naser Alijin. Mbrojtësi u penalizua nga zhvillimet e një sezoni anormal: Gjimshiti u largua si i panevojshëm nga zviceranët e Zurich, ndërsa pas transferimit të Atalanta në Serinë A, aktivizimi ishte me pikatore, duke luajtur vetëm 3 ndeshje në fundin e sezonit.

Ai që e ka vendosur më tepër në vështirësi trajnerin De Biasi ishte padyshim Milot Rashica. Sulmuesi i Vitesses  ishte ne balotazh Burim Kukelin që ka mbërritur i dëmtuar në grumbullimin e kombëtares, por në fund drejtuesi i stolit kuqezi vendosi të mbajë në skuadër futbollistin e  Zurich, duke besuar pikërisht te eksperienca e Kukelit. Nuk kishte dilema per Herolind Shalën. Mesfushori i huazuar te Slovan Liberec nga Sparta e Pragës është prej dy vitesh pjesë e Kombëtares, megjithatë me De Biasin në stol ka luajtur vetëm tre ndeshje. 23 emrat e mbetur tashmë që do të jenë pjesë e Euro 2016,

Në Francë, do të realizojnë ëndrrën e tyre për të qenë pjesë e një kompeticioni madhor me fanellën kuqezi mbi supe, duke nisur nga Lorik Cana, që 14 vjet më parë besoi të një arritje e tillë, apo Ansi Agolli e Andi Lila që këtë mundësi e presin pothuajse prej një jetë, e deri te emrat e afruar së fundmi, që në Francë do të bëjnë realitet atë që kishin dëshiruar gjithmonë, duke përfaqësuar jo vetëm veten por dhe kombin. 3 portirë, 7 mbrojtjës, 9 mesfushorë dhe 4 sulmues janë zgjedhjet përfundimtare të De Biasit, mbi të cilët do të jenë sytë e cdo shqiptari për një muaj me radhë. Këta 23 djem janë ata të cilët do të na bëjnë të ëndërrojmë dhe urojmë që aventura e tyre në Francë të jetë sa më e gjatë.


Ajeti dhe Agolli: Krenarë, që jemi pjesë e kësaj kombëtareje
 Arlind Ajeti, që shënoi golin e parë me fanellën e përfaqësueses, në miqësoren e fundit ndaj katarit (3-1) dhe Ansi Agolli, i shpallur sërish kampion në Azerbajxhan, kanë dhënë mendimet e tyre mbi angazhimin aktual kuqezi, por edhe situatën personale në klubet respektive, në konferencën e djeshme për shtyp.

Ajeti
“Jam i kënaqur që shënova golin e parë me kombëtaren, ndaj Katarit. Shpresoj të luaj titullar edhe në Francë e të jap kontributin tim. Gjithë reparti i mbrojtjes së kombëtares ka cilësi shumë të mira, por në fund është De Biazi, ai që vendos. Po kaloj një formë të mirë fizike dhe shpresoj që të shënoj edhe në “Euro 2016”- ka thënë mes të tjerash Arlind Ajeti.

Agolli
Nga ana e tij, Ansi Agolli, një nga veteranët e saj, ka theksuar: “Harmonia që ekziston në kombëtare është shumë e rëndësishme dhe dita e djeshme, e veçantë për ato që bëmë, i ka shërbyer diçkaje të tillë. E ndiej veten me fat që jam pjesë e këtij grupi, që ka arritur këtë sukses historik. Kalimi i grupit? Nëse luajmë si në fushatën kualifikuese, pse jo, kemi shanse. Rivalët në grup janë njëlloj me ato që kishim në kualifikuese.”

Stërvitja
Stërvitja e fundit e Kombëtares në Bad Ëaltersdorf me grupin e 27 lojtarëve u zhvillua me intensitet të jashtëzakonshëm. Në ethet e listës përfundimtare për Euro 2016, impenjimi i lojtarëve ishte maksimal. Puna e kryer nën drejtimin e zv.trajnerit, Paolo Tramezzani dhe e vëzhguar nga Gianni De Biasi, u bazua te zhvillimi i aksioneve, të cilat finalizoheshin me goditje drejt portës, me stafin teknik që kërkoi gjatë gjithë kohës ritëm dhe dinamizëm.

Me Ledian Memushaj dhe Ergys Kaçe-n, që iu bashkuan skuadrës, 25 futbollistë u ndarë në 4 grupe, nën vëzhgimin e presidentit të Federatës së Futbollit, Armand Duka, i cili qëndroi pranë skuadrës në Austri. Mesfushori Burim Kukeli punoi i diferencuar në palestrën që ndodhet në fushat stërvitore me përgatitësin fizik, Alberto Belle, ndërsa portieri i tretë, Alban Hoxha u stërvit veçmas me trajnerin e portierëve, Ilir Bozhiqi.

Programi
Prej së mërkurës, stërvitjet e Kombëtares do të vazhdojnë me grupin e reduktuar prej 23 lojtarëve që do të paraqiten në Euro 2016. Në datën 2 Qershor skuadra do të udhëtojë drejt Bergamos nga aeroporti i Gracit. Kuqezinjtë do të zhvillojnë një seancë stërvitore në tokën italiane, përpara miqësores së 3 Qershorit me Ukrainën, që është edhe prova gjenerale për finalet e Euro 2016.


Lista e Kombëtares
 
Portierë
Etrit Berisha (Lacio)
Alban Hoxha (Partizani)
Orges Shehi (Skënderbeu)
 
Mbrojtës
Arlind Ajeti (Frosinone)
Naser Aliji (Basel)
Lorik Cana (Nantes)
Mërgim Mavraj (Keln)
Elseid Hysaj (Napoli)
Ansi Agolli (Karabag)
Frederic Veseli (Lugano)
 
Mesfushorë
Ledian Memushaj (Pescara)
Odise Roshi (HNK Rijeka
Ergys Kaçe (PAOK)
Andi Lila (PAS Janina)
Migjen Basha (Como)
Ermir Lenjani (Nantes)
Burim Kukeli (Zyrih)
Taulant Xhaka (Basel)
Amir Abrashi (Freiburg)
 
Sulmues
Bekim Balaj (HNK Rijeka)
Armando Sadiku (FC Vaduz)
Sokol Cikalleshi (Basaksehir)
Shkëlzen Gashi (Colorado Rapids)
 
Lojtarët e lënë jashtë
Milot Rashica (Vitesse)
Herolind Shala (Slovan Liberec)
Berat Gjimshiti (Atalanta)
Amir Rrahmani (RNK Split) 

Redaksia online
a.n shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A justifikohen aktet e dhunes gjatë një proteste politike?



×

Lajmi i fundit

Nico Williams s’ia del, Spanja e humbet për Ligën e Kombeve

Nico Williams s’ia del, Spanja e humbet për Ligën e Kombeve