TIRANE-Presidenti Ilir Meta dhe kryetari i PD-së, Lulzim Basha kërkojnë që të mblidhet sërish tryeza e Këshillit Politik për të diskutuar dhe vendosur për nismën për ndryshimet kushtetuese me qëllim hapjen e listave dhe koalicionet.

Kreu i shtetit shprehet se shtysën për këtë ide e mori në mesnatë nga një mesazh i ish-kreut të KQZ-së Kume që i sugjeronte se cdo ndryshim nga marrëveshja e 5 Qershorit duhet të shkonte përsëri në tryezën e Këshillit Politik.

Pa gdhirë, thotë Meta më tej, i kërkoi takim Lulzim Bashës për të mësuar qëndrimin e tij nëse ishte i hapur për këtë ide.

E ndërsa nuk sqaron nëse u bë takimi apo biseduan në telefon, kreu i shtetit tregon se lideri i PD-së i tha se qëndrimin e opozitës e gjen tek deklarata e sekretarit të përgjithshëm Gazment Bardhi, i cili është shprehur se cdo rishikim duhet të parashtrohet dhe vendoset te Këshillit Politik. 

Pra Ilir Meta dhe opozita kërkojnë që Këshilli Politik të mblidhet sërish për cështjen e listave dhe koalicioneve, pra ndryshimet kushtetuese.

"Dje në mesnatë mora një mesazh nga një intelektual i nderuar si Prof.Kristaq Kume. Shqetësimi i tij ishte se duhej bërë çdo përpjekje për të shmangur ndryshime kushtetuese të njëanshme sepse do të ishte një kosto shumë e rëndë për vendin.

Ai sugjeronte se çdo ide për ndryshime nga Marrëveshja e 5 Qershorit duhet të shkonte përsëri në tryezën e Këshillit Politik.

Sot në mëngjes, pa gdhirë mirë, i kërkova takim z.Basha për të parë a ishte i hapur për një ide të tillë. Ai më njohu me qëndrimin zyrtar të Partisë Demokratike dhe Opozitës së Bashkuar që është bërë publik dhe u është njoftuar dhe të gjithë partnerëve të shqetësuar për të ardhmen europiane të vendit tonë.

Jam i bindur se ka kaq shumë intelektualë dhe qytetarë që ndajnë këtë shqetësim si të Prof.Kumes. Për këtë arsye po e ndaj me të gjithë ju këtë qëndrim tepër të përgjegjshëm dhe bashkëpunues të Opozitës së Bashkuar.

PJESË NGA DEKLARATA E SEKRETARIT TË PËRGJITHSHËM TË PD, GAZMENT BARDHI

Nëse Partia Socialiste është vërtet e interesuar për të rihapur diskutimin për çështje të tjera në lidhje me reformën zgjedhore, ajo është e obliguar nga Marrëveshja e 14 Janarit dhe nga Marrëveshja e 5 Qershorit ti parashtrojë ato për diskutime dhe vendimmarrje konsensuale në Këshillin Politik. Çdo diskutim i tillë, sipas Marrëveshjes, NUK mund të vonojë apo pengojë kodifikimin e Marrëveshjes së 5 Qershorit" shkruan Meta. 

Nisma për listat e hapura dhe koalicionet u depozitua në Kuvend nga opozita parlamentare dhe u mbështet nga shumica socialiste, por PD kërcënoi me desatbilitet dhe Presidenti Ilir Meta me mosnjohje të kryeministrit që do të dalë nga zgjedhjet e 2021. Pakti i 5 Qershorit dhe nisma për ndryshimet kushtetuese janë dy drafte të ndryshme u shpreh Edi Rama, të cilat do të miratohen në Kuvend në 30 korrik, por tashmë mbetet për t'u parë si do të rrjedhin ngjarjet.


Lajmi kryesor:

Hapet loja me 'Listat'/ Mblidhet sërish Këshilli Politik! Rama i pranishëm, i shmanget Basha dërgon Bardhin! Takimi të hënën në 11:00