TIRANË - Pasi publikoi listën me 26 futbollistët që do ketë të gatshëm për fazën play-off të Kupës së Botës 2026, trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit, Sylvio Mendes Campos Junior (Sylvinho), doli para medieve ku foli për zgjedhjet e tij dhe rivalët. Kombëtarja shqiptare do të luajë ndeshjen e parë të play-off-it të Botërorit 2026 ndaj Polonisë më 26 mars në Varshavë, në orën 20:45.
Në lidhje me rivalin, trajneri brazilian tha se kanë cilësi dhe po bëjnë mirë me Jan Urban në stol. Sylvinho u ndal edhe te dy risitë që do ketë në këtë grumbullim, Stavro Pilon dhe Bujar Pllanën, duke thënë se ky nuk është një eksperiment, pasi mbrojtësit janë të konsoliduar.
Sa i takon rikthimit të Ernest Muçit (pas tetë muajsh) dhe Anis Mehmetit (pas tre vitesh), Sylvinho u shpreh se beson në cilësitë e tyre. Për formën e Brojës ende nuk ka një përgjigje finale, ndërsa stafi do ketë tre ditë kohë për të parë gjendjen e 26 futbollistëve të grumbulluar dhe vendosur për formacionin që do jetë në fushë kundër Polonisë.
Shqipëria do ketë jashtë për këtë grumbullim të dëmtuarit Medon Berisha, Mirlind Daku, Rey Manaj dhe Marash Kumbulla.
"Dy risitë, mungesat dhe e ardhmja juaj, a do jeni pjesë e Kombëtares edhe pas këtyre dy muajve?
Mua si trajner nuk më pëlqen të qahem, as të ankohem. Rey Manaj, për atë që ka bërë është një futbollist emblematik për ne. Do e kemi jashtë se na mungon. Ne jemi të hapur gjithmonë për emra të tjerë. Daku nuk ka luajtur këtë vit për shkak dëmtimi.
Pllana dhe Pilo - Kemi kohë që jemi pas tyre, tani është momenti i duhur të bashkohen. Do i shohim në stërvitje, do kemi 2-3 ditë kohë për të bërë vlerësimet.
Rikthimi i Muçit dhe Mehmetit, të bindur se janë të denjë për të zëvendësuar mungesat?
Duhet të shohim përpara, kam besim te emrat që kam të gatshëm. Pas dëmtimeve të fundit, duhet të përshtatemi me situatën dhe emrat që kemi. Sa i takon Muçit, unë e shoh si një sulmues. Fakti që ai luan në krah, në fushë ai shënon, luan para dhe ka cilësi në sulm. Mehmeti për mua është një sulmues krahu, apo edhe fantazist, por për mua është në krah. Të dy janë sulmues që gjejnë portën. Në kushtet kur nuk kemi 'pyka', duhet të përshtatemi.
Futbollisti që ka shënuar më shumë me Kombëtaren është Nedim Bajrami me shtatë gola. Ai nuk është tipik 'pykë'. Jo domosdoshmërisht duhet një i tillë, kemi Uzunin, Mehmetin, Bajramin e të tjerët.
Më parë keni thënë se nuk doni të bëni eksperimente, ndërsa sot kemi dy risi si Pllana dhe Pilo?
Ka qenë një rrugëtim i vështirë deri këtu, unë jam shumë falenderues për djemtë për sforcon që kanë dhënë për vendin. Ky nuk është një eksperiment, Pilo është gati, Pllana luan në Poloni. Kemi marrë 26 emra për të parë gjendjen e tyre, sepse mund të kishim edhe 23 emra. Unë kam detyrë të bëj zgjedhje. Na është dashur shumë motivim dhe sforco për të ardhur këtu. Jo gjithmonë 23 emrat do jenë të njëjtët që do kemi, varet nga rrethanat.
Taulant Seferi luan si në aspektin sulmues dhe mbrojtës, a e kishin në plane?
Ne jemi të bindur për emrat që kemi marrë, me ata do ecim para. Për në është një kënqësi që jemi këtu dhe përfaqësojmë Shqipërinë. Kemi bërë studimet e duhura. Kam marrë 26 emra, mund të dua të marr më shumë, por nuk kam mundësi. Jo të gjithë do jenë aty. Sa i takon cilësive të Seferit, jemi të mbuluar në atë pjesë. Na duhen lojtarë që t'i çojmë në zonën kundërshtare, për të qenë të rrezikshëm dhe bërë gola.
Nga Polonia në Poloni, keni tre vite me Shqipërinë, a ndiheni të vlerësuar?
Ne si ekip jemi rritur shumë, kemi bërë një rrugëtim shumë të bukur, shkuam në Euro 2024 dhe tani kemi shpresë për në Kupën e Botës. Trajneri i Polonisë po bën mirë, kanë barazuar dy herë me Holandën dhe bëjnë lojë të mirë. Ashtu si ne, kanë rritje edhe ata.
Ne kemi në ekip futbollistë me shumë cilësi, që ia vlen t'i shohësh në fushë. Ne si staf (si ish-futbollistë) jemi "pak xhelozë" se çfarë cilësish kanë. Në ndeshjen kundër Andorrës, që na solli këtu, sfida u zhbllokua nga futja e Bajramit nga stoli. Të gjithë janë të rëndësishëm dhe ne jemi një, nga fusha apo stoli.
Dëmtimet e Dakut dhe Manajt, sa i hapet rruga Brojës për të luajtur në qendër të sulmit? Pse kemi tre mbrojtës të majtë (Mitaj, Pilo, Aliji)?
Jo, ky nuk është një eksperiment. Pilon kemi kohë që e ndjekim, nuk është 19 vjeç dhe ai vjen në një moment shumë të mirë duke luajtur në ekipin e tij. Aliji ka bërë shumë mirë me ne, ka bërë një operacion dhe ka një muaj që është kthyer. Nuk mund të rrezikoj për një lojtar që nuk është në 100 përqindëshin e tij. Kjo vlen edhe për Pllanën, do shohim formën.
Sa i takon Brojës, nuk e di si është gjendja e tij sportive sepse ka një muaj jashtë. Duhet t'i shohim dhe t'i vlerësojmë në grumbullim. Të përshtatemi me elementët që kemi dhe të hedhim në fushë ata që mund të vënë në vështirësi rivalët. Kundër Andorrës ishte Bajrami dhe Uzuni që u futën nga stoli dhe ishin 'brutalë'. Si futbollistët që futen nga fillimi, apo nga stoli, janë të rëndësishëm.
Mund të bëni një vlerësim për Poloninë dhe Serbinë (që i mposhtëm së fundmi)?
Polonia ka një përmirësim me trajnerin Jan Urban. Si Serbia dhe Polonia mbrohen mirë dhe dalin mirë në sulm duke shfrytëzuar hapësirat me anë të shpejtësisë. Polonia ka katër futbollistë që të shënojnë, kemi parë pesë ndeshjet e tyre të fundit. Fizikisht janë shumë mirë dhe kanë ngjashmëri me Serbinë", tha trajneri i Kombëtares.
FAZA PLAY-OFF
Shqipëria përballet kundër Polonisë në Varshavë më 26 mars, teksa duhet të fitojë ndeshjen teke për të marrë të drejtën që të luajë në finalen play-off (31 mars) kundër fituesit të çiftit Ukrainë - Suedi. Në rast se tanët do kalojnë Poloninë, në bazë të shortit të hedhur nga UEFA, edhe ndeshjen e radhës play-off tanët do e luajnë në transfertë.
Kuqezinjtë janë dy fitore larg ëndrrës së madhe, kualifikimit për herë të parë në histori në finalet e një Kupe Bote, që këtë vit do zhvillohen nga 11 qershori deri më 19 korrik në SHBA, Meksikë dhe Kanada. Në rast se Shqipëria fiton në play-off, atëherë do vendosej në Grupin F të Kupës së Botës, së bashku me Holandën, Japoninë dhe Tunizinë.
Grumbullimi zyrtar i Kombëtares do të nisë më 23 mars, ditë e hënë, kur do të zhvillohet dhe seanca e parë stërvitore në prag të sfidës me Poloninë. Kuqezinjtë do të zbresin në fushë më 26 mars në orën 20:45 për t’u përballur me Poloninë në Varshavë, ndërsa më 31 mars Shqipëria do të luajë ndeshjen e radhës ndaj fituesit (finale play-off) ose humbësit (miqësore) të çiftit Ukrainë - Suedi.
Lista e plotë me 26 lojtarët e grumbulluar nga Sylvinho:
Portierë: Thomas Strakosha, Elhan Kastrati, Mario Dajsinani
Mbrojtës: Mario Mitaj, Stavro Pilo, Naser Aliji, Berat Gjimshiti, Bujar Pllana, Klisman Cake, Arlind Ajeti, Ardian Ismajli, Elseid Hysaj, Ivan Balliu
Mesfushorë: Kristjan Asllani, Adrion Pajaziti, Ylber Ramadani, Juljan Shehu, Qazim Laçi, Nazmi Gripshi, Arbër Hoxha, Anis Mehmeti, Jasir Asani
Sulmues: Myrto Uzuni, Ernest Muçi, Nedim Bajrami, Armando Broja
Komente





