Ilir Meta për Raportin e Parlamentit Evropian për Shqipërinë: Evidenton problemet më të thella të vendit, kërkohet reflektim urgjent

Përmes një konference për shtyp Presidenti i vendit Ilir Meta ka dalë sot në një konferencë për shtyp dhe ka cituar faktet të cilat ai i quan shqetësuese nga raporti i Parlamentit Evropian për Shqipërinë të miratuar pak ditë më parë.

 “Dua të vlerësoj sot rezolutën e miratuar dy ditë më parë në PE me shumicë votash. Dua të vlerësoj mbështetjen e gjerë ndaj perspektivës për anëtarësim të plotë të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Por njëkohësisht dhe gjuhës së drejtpërdrejtë të përshkrimit të situatës në vendin tonë”, tha Meta.

Presidenti u ndal te çështja për çeljen e negociatave me BE.

"Përmes kësaj rezolute BE, kujtohet se anëtarësimi në BE varet nga reformat, duke nisur nga forcimi i Ligjit. Shpreh shqetësim serioz për klimën e polarizuar politike. Shpreh keqardhje për moszbatimin e Kushtetutës nga maxhoranca për para zgjedhjeve të 25 prillit. Bëj thirrje që të rritet demokracia dhe konkurrueshmëria partiake, si hap me rëndësi”, tha Meta.

Presidenti u shpreh se evidentohen problemet më madhore të vendit. 

"Votimi në parim i kësaj rezolute tregon një qasje strategjikë për të përkrahur politikën e zgjerimit por natyrisht që i ka evidentuar të gjitha problemet kritike të vendit tonë, të demokracisë sonë, të lirisë së media,  të problemeve të pluralizmit, me paralizimin e shtetit të së drejtës, korrupsionin e jashtëzakonshëm. Përmendet regresi I Shqipërisë në indeksin e anti korrupsionit. Evidentohet regresi për lirinë e mediave", tha ai. 

Meta tha se edhe nëse çelen negociatat, këto pika do të jenë aty edhe si një pengesë për vazhdimin e negociatave.

"Ky është problemi. Të gjithë duhet t’I lexojnë këto, edhe deputetët", tha ai. 

Kujtojmë se Parlamenti Europian i ka  bërë kërkesë Këshillit që të hapë negociatat për anëtarësimin në BE të Shqipërisë dhe Maqedoninë e Veriut.  Në dy raportet e miratuara, ku i kërkohet BE-së që të nisë bisedimet, vlerësohet progresi i Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Parlamenti i kërkon Këshillit të nisë zyrtarisht negociatat e anëtarësimit duke vënë në dukje kontekstin gjeostrategjik të marrëdhënieve me Rusinë dhe agresionin kundër Ukrainës.

Eurodeputetët vlerësojnë angazhimin e palëkundur të Shqipërisë për integrimin evropian dhe shprehin mbështetjen e tyre të qartë për transformimin demokratik të vendit dhe aspiratën për anëtarësim në BE. Ata i kërkojnë Shqipërisë të ketë prioritet drejtësinë që të funksionojë në mënyrën e duhur, të forcojë demokracinë, shtetin e së drejtës dhe ekonominë. Gjithashtu thekson se në Shqipëri duhet të fuqizohet shoqëria civile, të vijojë lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, të sigurojë lirinë e medias dhe të garantojë mbrojtjen e të drejtave të pakicave, duke përfshirë komunitetin LGBTQI.

Çfarë thotë Parlamenti Evropian sipas Presidentit

1.            Rithekson mbështetjen e qartë për transformimin demokratik të Shqipërisë;

2.            Kujton se anëtarësimi përfundimtar në BE varet nga reforma të qëndrueshme, të thella dhe të pakthyeshme, duke filluar nga sundimi i ligjit dhe funksionimi i institucioneve demokratike;

3.            Shpreh shqetësimin serioz për klimën e polarizuar politike dhe mungesën e bashkëpunimit të qëndrueshëm ndërpartiak;

4.            Kujton rëndësinë e ndërtimit të konsensusit të nevojshëm ndërmjet të gjithë aktorëve;

5.            Shpreh keqardhje për ndryshimet jokonsensuale të Kushtetutës dhe të kodit zgjedhor nga mazhoranca qeverisëse përpara zgjedhjeve të përgjithshme të 25 prillit;

6.            Bën thirrje që politika shqiptare të tregojë pjekuri politike në trajtimin e çështjeve me interes publik, të rrisë demokracinë dhe integritetin konkurrues brendapartiak si një hap për pluralizmin dhe transformimin demokratik;

7.            Rikujton nevojën për të adresuar mangësitë zgjedhore në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias në kohën e duhur, duke përmirësuar integritetin e zgjedhjeve, parandalimin e blerjes së votave dhe keqpërdorimin e burimeve administrative;

8.            Shpreh keqardhjen për mungesën e dënimeve përfundimtare të niveleve të larta në rastet e blerjes së votës;

9.            Rikujton përgjegjësinë e autoriteteve qendrore dhe lokale për të siguruar transparencë, llogaridhënie dhe gjithëpërfshirje;

10.          Nënvizon nevojën për të përmirësuar demokracinë pjesëmarrëse, përfshirë miratimin e një ligji për referendumet;

11.          Rithekson nevojën për llogaridhënie, akses në informacionin publik dhe kontrollin e institucioneve publike;

12.          Vëren nevojën për përmirësim urgjent të lirisë së shprehjes, pavarësisë së medias dhe pluralizmit;

13.          Shqetësohet për mungesën e progresit, pasi Shqipëria ka rënë me tetë vende në 'Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit' të Reporterëve pa Kufij;

14.          Kërkon që autoritetet të zbatojnë një politikë të tolerancës zero dhe të ndërmarrin veprime vendimtare kundër margjinalizimit, frikësimit dhe dhunës ndaj mediave dhe reporterëve të pavarur;

15.          U kërkon figurave politike të ndalojnë sulmet verbale, fushatat e shpifjeve dhe aktet e frikësimit ndaj gazetarëve;

16.          Rikujton se çdo rishikim i ligjeve të medias nga Kuvendi duhet të jetë në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe duhet të bëhet në mënyrë transparente dhe gjithëpërfshirëse;

17.          Rithekson shqetësimet serioze për ‘paketën anti-shpifje’ të propozuar më parë;

18.          Nënvizon se Agjencia e sapokrijuar e Medias dhe Informacionit duhet të rrisë transparencën dhe decentralizimin dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të pengojë aksesin e barabartë të gazetarëve në informacion nga burimet qeveritare;

19.          I bën thirrje qeverisë të përmirësojë aksesin në raportimin dhe shqyrtimin e punës së saj nëpërmjet kanaleve zyrtare dhe formale, si konferencat për shtyp dhe intervistat;

20.          Shpreh shqetësim serioz për rrjedhjet masive të të dhënave personale;

21.          U bën thirrje autoriteteve shqiptare të rrisin parandalimin, të sigurojnë llogaridhënie për keqpërdorimin e të dhënave personale, pra të sigurojnë llogaridhënie dhe të ketë ndëshkime;

22.          Rikujton nevojën për të siguruar lirinë e tubimit paqësor dhe vë në dukje rëndësinë e trajtimit të akuzave për sjellje të pahijshme nga policia dhe hetimin dhe ndjekjen penale të përdorimit joproporcional të forcës;

23.          Kujton nevojën për të trajtuar krimet e epokës komuniste, për të hetuar zhdukjet me forcë, për të ndjekur penalisht përgjegjësit dhe për të ofruar dëmshpërblime për të mbijetuarit dhe familjet e tyre;

24.          I kërkon Komisionit Europian të zbatojë rekomandimet e raportit të posaçëm të Gjykatës Europiane të Audituesve, duke siguruar që fondet e BE-së të përdoren për forcimin e sundimit të ligjit në Ballkanin Perëndimor, përfshirë dhe Shqipërinë;

25.          Thekson detyrimin e autoriteteve shqiptare për zhdukjen e korrupsionit dhe aktiviteteve kriminale nga të gjitha fushat e jetës publike, duke përfshirë procedurat e prokurimit publik dhe financimin e partive politike;

26.          Vëren se Shqipëria ka rënë me 27 vende në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International për vitin 2021, që nga viti 2016;

27.          Shpreh shqetësimin për nivelin e ulët të mbikqyrjes dhe llogaridhënies ndaj prokurimeve publike dhe të shpenzimit të ndihmës së huaj dhënë gjatë pandemisë;

28.          Nënvizon nevojën për të eliminuar efektet anësore të vettingut, si procedurat e gjata, ritmin e ulët të verifikimeve, dhe numrin e lartë të çështjeve të mbartura;

29.          Shpreh keqardhjen që dënimet e zyrtarëve të nivelit të lartë mbeten ende të kufizuara, gjë që nxit kulturën e mosndëshkimit;

30.          Nënvizon rëndësinë e ndërmarrjes së veprimeve vendimtare kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit duke siguruar një histori të qëndrueshme të hetimeve proaktive, ndjekjes penale dhe dënimeve përfundimtare për korrupsion të nivelit të lartë dhe konfiskimin e aseteve kriminale;

31.          Inkurajon korrigjimin e shpejtë të mangësive në adresimin e planit të veprimit të Task Forcës së Veprimit Financiar dhe ‘Rekomandimet e Moneyval’ dhe zbatimin e plotë të legjislacionit;

32.          Rekomandon që të hiqet dorë nga skema ‘shtetësi për investim’, e cila mund të përbëjë rrezik serioz për sigurinë, pastrimin e parave, korrupsionin dhe evazion fiskal;

33.          Shpreh shqetësimin për përhapjen e gjerë të armëve të zjarrit në Shqipëri;

34.          Shpreh keqardhjen që ndarja e buxhetit 2021 për arsimin ishte vetëm 2,7 % e Prodhimit të Brendshëm Bruto së Shqipërisë;

35.          Rikujton se IPA III parashikon një kushtëzim të fortë, sipas të cilit financimi duhet të ulet ose pezullohet në rast të prapësimit domethënës, ose mungesës së vazhdueshme të progresit në fushën e çështjeve thelbësore, veçanërisht atë të sundimit të ligjit dhe të drejtave themelore të njeriut, duke përfshirë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe lirinë e medias. Pra në të ardhmen fondet e Bashkimit Europian do të kushtëzohen nga progresi ose regresi në këto drejtime;

36.          Thekson se është në interesin e vetë BE-së dhe është përgjegjësi e saj të garantojë që fondet e Bashkimit Europian të mos kontribuojnë në korrupsion;

37.          Bën thirrje, që BE-ja dhe vendet e Ballkanit Perëndimor të krijojnë një kornizë për një bashkëpunim efektiv me Zyrën e Prokurorit Publik Europian, veçanërisht në fushën e fondeve IPA III;

38.          U kërkon fuqimisht autoriteteve të rritin masat për mbrojtjen e biodiversitetit, ujit, ajrit, klimës dhe menaxhimit rajonal të mbetjeve, duke përfshirë vlerësimet e ndikimit mjedisor dhe strategjik, konsultimet e duhura publike, procedurat transparente dhe ndjekjen rigoroze të krimit mjedisor;

39.          Shpreh shqetësime për rishikimin e hartës së rrjetit të zonave të mbrojtura, e cila nuk duhet të kontribuojë në degradimin e mjedisit. Pra në heqjen e sipërfaqeve të gjelbra për t’i zëvendësuar me beton;

40.          U bën thirrje autoriteteve që të kenë prioritet monitorimin dhe raportimin vjetor të ndotjes së ajrit, ndotjes akustike dhe cilësisë së ujërave;

41.          Vëren domosdoshmërinë e informimit të rregullt të popullatës për gjendjen e ndotjes së ambientit;

42.          Kërkon një rishikim të strategjisë kombëtare për menaxhimin e mbetjeve për 2018-2035 duke u fokusuar në metodat më të sofistikuara të riciklimit në përputhje me standardet e BE-së;

43.          Thekson nevojën e përdorimit të teknologjisë moderne të filtrimit për impiantet e djegies derisa të krijohet një strategji e plotë riciklimi me qëllim që të reduktohen rreziqet shëndetësore dhe mjedisore;

44.          Kujton se projektet e infrastrukturës, përfshirë portin e Durrësit, duhet të jenë në përputhje me standardet e Bashkimit Europian për prokurimet publike të përfshira në Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit;

45.          I bën thirrje qeverisë shqiptare të vazhdojë promovimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe forcimin e bashkëpunimit gjithëpërfshirës rajonal, që vendos bashkëpunim të barabartë midis të gjashtë vendeve, duke zbatuar dhe zhvilluar Tregun e Përbashkët Rajonal.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:42
Status ‘vend i asociuar në BE’ për Shqipërinë? Meta për deklaratën e Kreut të Këshillit Evropian: Ide individuale e disa zyrtarëve

 

Deklaratën e bërë nga Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Miches, se vendeve të Ballkanit mund t’i jepet një status i ndërmjetës në rrugëtimin drejt BE-së si një vlerësim për ecurinë e tyre, Meta e ka konsideruar qëndrim individual të një zyrtari.

“Ide të tilla personale të zyrtarëve të ndryshëm të Bashkimit Evropian janë interesante por më të rëndësishme janë rekomandimet dhe deklaratat e institucioneve kaq të rëndësishme që edhe i zgjedhin këta zyrtarë të lartë” , tha Meta.

Ora 11:38
Këshillë opozitës për zgjedhjen e Presidentit? Meta: Nuk kam asnjë, ata kanë bërë krime që bëhen 1 herë në 100 vite

 

Presidenti Meta ripërsëriti sot akuzat ndaj disa përfaqësuesve të opozitës, të cilët sipas tij kanë bërë krime që bëhen një herë në 100 vite, duke iu referuar lënies së mandateve apo edhe bojkotit të zgjedhjeve.

"Nuk kam asnjë këshillë për opozitën se ka bërë gabime fatale, pjesa kryesore e saj me ndërgjegje të plotë, një pjesë tjetër aq e pati thellësinë e gjykimit si ishte djegia e mandateve bojkotoi i zgjedhjeve e bojkoti i reformës në drejtësi. Këto nuk janë gabime por krime që nuk bëhen një herë në katër vjet, por një herë në 100 vjet. Nuk kam asnjë kuriozitet për procesin e zgjedhjes së presidentit të ardhshëm”, the Meta.

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

S’ka treg, fermerët hedhin kastravecët në kanal: Shteti të kontrollojë pikat e grumbullimit! Report Tv vëzhgim në serat e Lushnjës, Dimalit e Beratit

S’ka treg, fermerët hedhin kastravecët në kanal: Shteti të kontrollojë pikat e grumbullimit! Report Tv vëzhgim në serat e Lushnjës, Dimalit e Beratit