FT/ Norvegji 1-2 Angli (Schjelderup 36' / Bellingham 45+2', 93')
SHBA, MIAMI - Kombëtarja e Anglisë ia doli të përmbyste 1-2 Norvegjinë mesnatën mes të shtunës dhe të dielës me orën shqiptare dhe të kualifikohej për në gjysmëfinalet e Kupës së Botës 2026. Golit të Andreas Schjelderup për Vikingët iu përgjigj Jude Bellingham me dopietë. Anglia do të përballet në gjysmëfinale me fituesin e çiftit Argjentinë - Zvicër që do të luhet sot me fillim nga ora 03:00 e mëngjesit me kohën në Shqipëri.
NDESHJA - Përballja nisi me lojën që ishte e përqëndruar kryesisht në mesin e fushës, me dy skuadrat që nuk donin të pësonin. Norvegjia zhbllokoi sfidën me supergolin e Andreas Schjelderup në minutën e 36-të. Pas një pasimi të Odegaard, Andreas Schjelderup nuk u mendua dy herë dhe lëshoi një 'predhë' diagonale duke befasuar Pickford në portë.
Fundi i pjesës së parë, konkretisht minuta e dytë shtesë solli edhe rastin e shumë diskutuar të ndeshjes. Portieri i Norvegjisë, Nyland, vendosi topin në lojë nga një rivënie fundore, por sfera afër mesit të fushës u përplas me kabllon mbajtëse të kamerës që lëviz mbi fushë (spider cam) duke u devijuar dhe kthyer në një 'asist' për Anglinë. Në zhvillimet e aksionit Gordon pasoi për Jude Bellingham, me këtë të fundit që kaloi bukur mbrojtësit dhe me të majtën ia ndali sferën në rrjetë Nyland. Vetë portieri, futbollistët e tjerë të Norvegjisë, stafi dhe trajneri Stale Solbakken protestuan te arbitri francez Clement Turpin, por as ai dhe as VAR nuk ndërhynë në këtë episod që mund të quhet një skandal i madh në këtë Kupë Bote.
Sipas rregullores loja do duhej të ndalej dhe të riniste me rivënien fundore. FIFA më vonë dha një koment mbi këtë çështje, duke thënë se kishin kontrolluar të dhënat, por nuk kishin marrë asnjë sinjal në grafik nga sensori i lidhur i kontaktit të topit dhe për këtë arsye VAR nuk u aktivizua.
45 minutat e dyta nuk prodhuan gola, por duhet përmendur një gol i anuluar për Norvegjinë pas një faulli të Haggem. Ndeshja shkoi në 30 minutat shtesë aty ku u vendosën edhe fatet e saj. Duhej minuta e 93 që sërish Jude Bellingham të shënonte për 'Tre Luanët' nga pranë portës pas një topi të pritur jo mirë nga Nyland. Më pas Anglia fitoi edhe një 11 metërsh, por që u anulua pas rishikimit të pamjeve në VAR.
Kështu, pas 120 minutave lojë dhe dopietës së Jude Bellingham, Anglia përmbysi 1-2 Norvegjinë dhe kalon në gjysmëfinalet e Kupës së Botës 2026. Ishullorët presin fituesin e çiftit Argjentinë - Zvicër për të mësuar kundërshtarin e radhës.
Komentet më të rëndësishme:
120' Anglia fiton 1-2 dhe kalon në gjysmëfinale, Norvegjia është jashtë.
106' Erling Haaland lë fushën për Jorgen Larsen.
99' Arbitri akordin 11 metërsh për Anglinë, por ndryshon mendimin pas rishikimit të pamjeve në VAR.
93' GOOL! Jude Bellingham kalon Anglinë në epërsinë 1-2 me dopietën personale. Një goditje e fortë nga jashtë zone nuk ndalet si duhet nga Nyland, me Bellingham që nga pranë shtyn sferën në rrjetë dhe përmbys për 'Tre Luanët'.
90+7' Mbyllet 1-1 koha e rregullt, ndeshja shkon në 30 minutat shtesë.
90' Shtatë minuta shtesë.
55' Torbjorn Lysaker Heggem shënon golin e dytë për Norvegjinë, por VAR 'ngrin festën' për një faull në zonë nga Haaland dhe anulon gjithçka.
46' Nis pjesa e dytë. Anglia bën dy zëvendësime, Tuchel largon Madueke dhe Rice, në vend të tyre Saka dhe Eze.
45+5' Mbyllet 1-1 pjesa e parë.
45+4' Harry Kane shënon, por sulmuesi ndodhej në pozicion jashtë loje.
45+2' GOOL! Jude Bellingham barazon shifrat në 1-1. Gordon vepron bukur, pason për yllin e Real Madrid që depërton në zonë dhe me të majtën e ndal sferën pas krahëve të Nyland.
36' GOOL! Andreas Schjelderup kalon Norvegjinë në epërsi me një supergol. Anësori nordik lëshoi një të majtë diagonale duke befasuar portierin Pickford. VAR konfirmon golin pas dyshimeve për një faull gjatë aksionit.
35' Haaland me kokë, pret Pickford për Anglinë.
1' Nis ndeshja në Miami.
9 korrik ora 22:00 / Francë 2-0 Marok (Boston)
10 korrik ora 21:00 / Spanjë 2-1 Belgjikë (Los Angeles)
11 korrik ora 23:00 / Norvegji 1-2 Angli (Miami)
12 korrik ora 03:00 / Argjentinë - Zvicër (Kansas)
Për të lexuar lajme të tjera nga Botërori KLIKONI KËTU.
Për të parë rezultatet e ndeshjeve të Botërorit KLIKONI KËTU.
Goli i parë (i barazimit) i Anglisë në përmbysjen 1-2 kundër Norvegjisë është bërë temë e nxehtë në këtë Botëror. Norvegjia protestoi duke thënë se topi i vënë në lojë nga portieri Nyland u devijua nga një prej kabllove që mban varur kamerën e qiellit mbi fushë (spider cam), çka solli edhe golin e barazimit 1-1 për Anglinë në minutën e 45+2 nga Bellingham.
FIFA ka reaguar duke vënë në dispozicion edhe pamjet, me një grafik që sipas tyre tregon sinjalet e prekjes së topit. Organi botëror i futbollit shprehet se sensori i vendosur brenda topit nuk dërgoi sinjal në VAR që kishte pasur një devijim.
"Përpara golit të Anglisë në minutën e 45+2 kundër Norvegjisë, sensori i lidhur me topin nuk tregoi asnjë sinjal në 'rrahjet e zemrës së topit' kur ishte në ajër dhe për këtë arsye nuk kishte prova që topi preku telin sipër fushës dhe ndryshoi lëvizjen e topit", bën me dije FIFA.
Edhe pse sipas FIFA-s nuk ka pasur sinjal, në pamje duket qartë që topi merr një trajektore të çuditshme mbi fushë dhe më pas përfundon në këmbët e futbollistëve të Anglisë, nga ku 'u gatua' edhe goli i barazimit që i hapi rrugë përmbysjes dhe kualifikimit të Anglisë për në gjysmëfinalet e Kupës së Botës 2026.
Trajneri i Norvegjisë, Stale Solbakken proteston te arbitrat e ndeshjes
Goli i barazimit (1-1) i shënuar nga Jude Bellingham në ndeshjen mes Anglisë dhe Norvegjisë ka ndezur polemika të forta (minuta 45+2), pasi sipas rregullave ai duhej të ishte anuluar pas ndërhyrjes së VAR-it.
Mesfushori anglez bëri atë që di të bëjë më mirë, mori topin në një moment kur askush nuk e priste, depërtoi nga e majta, çorientoi mbrojtjen norvegjeze dhe e dërgoi topin në rrjetë, duke rikthyer Anglinë në lojë. Megjithatë, aksioni duhej të ishte ndalur shumë më herët.
Gjatë zhvillimit të aksionit, topi, pasi u godit nga një goditje e lirë e Norvegjisë (portieri Nyland) dhe po kontrollohej nga një lojtar anglez, preku kabllon e kamerës ajrore ("spider-cam") që qëndron e varur mbi fushë.
Sipas rregullave të futbollit, një kontakt i tillë kërkon ndërprerjen e menjëhershme të lojës dhe rifillimin e saj me top në tokë nga arbitri. Ish-arbitri i Premier League, Mark Clattenburg, aktualisht analist për FOX Sports, konfirmoi se VAR duhej të kishte ndërhyrë.
"VAR mund të ndërhyjë nëse kontakti i topit me kabllon e kamerës është pjesë e një episodi të rishikueshëm. Meqenëse aksioni sulmues që çoi në gol nisi pas këtij kontakti, VAR duhej ta kishte evidentuar dhe ta anulonte golin", u shpreh Clattenburg.
Pavarësisht protestave të forta të futbollistëve norvegjezë, arbitrat nuk e vunë re incidentin dhe VAR nuk ndërhyri për ta korrigjuar vendimin. Si pasojë, goli i Bellingham u konfirmua dhe mbeti i vlefshëm në rezultat, duke shkaktuar polemika të shumta pas ndeshjes.
Përditësim: FIFA më vonë dha një koment mbi këtë çështje, duke thënë se kishin kontrolluar të dhënat, por nuk kishin marrë asnjë sinjal në grafik nga sensori i lidhur i kontaktit të topit dhe për këtë arsye VAR nuk u aktivizua.
Before England’s goal in minute 45+2 against Norway, the sensor in the Connected Ball showed no peak in the 'heartbeat of the ball' when in the air, and therefore no evidence that the ball touched the overhead wire and changed the movement of the ball. pic.twitter.com/gYf9ukfveT
— FIFA Media (@fifamedia) July 11, 2026
Komente









