Ljarja:Puna me Kadarenë e aktorët
e mëdhenj në filmin 'Radiostacioni'

Ljarja:Puna me Kadarenë e aktorët<br />e mëdhenj në filmin 'Radiostacioni'
Rikard Ljarja, aktori dhe regjisori i madh rrëfen në një intervistë për xhirimet e filmit “Radiostacioni” të mbështetur mbi romanin “Nëntori i një kryeqyteti” të Ismail Kadaresë.
 
Bëhet fjalë për vitin 1979, kur vendi ynë kishte shumë aktorë, regjisorë e shkrimtarë të talentuar, por që dogma ideologjike pas revolucionit kulturor në fillim të viteve ’70, kishte nisur t’i mbante krijuesit në një trysni të lartë mes betejës për të krijuar vlerat artistike dhe përgjegjësisë për mbajtjen në këmbë të “kolonave” të detyrueshme dogmatike.
 
Pikërisht ka qenë përgjegjësia e regjisorëve për ruajtur vlerat artistike që këta filma vijojnë të shikohen edhe sot nga të gjithë shqiptarët. Pasi flet për punën e aktorëve të mëdhenj Birçe Hasko, Drita Pelinku, Behije Çela, Antoneta Fishta e Mirush Kabashi, regjisori Rikard Ljarja, që ishte dhe aktor në këtë film rrëfen për sfidat e asaj kohe. Ai rrëfen se si takohej shpesh me Ismail Kadarenë në atë periudhë sepse në këtë film ka ‘60-‘70 karaktere.
 
“Dhe nuk ka qenë e lehtë në fakt, një çikë e ngatërruar ajo puna e karaktereve që të gjinden ekzakt. Partizanët dhe borgjezët, përfaqësojnë dy kampe. Dy radiostacione, njëri që bëhet zyrtar dhe tjetri virtual të themi që bëhet nga borgjezët. Kështu që ka qenë një punë e stërmundimshme me përmasa tmerrësisht të mëdha”, thotë regjisori.

Ndërsa në këtë intervistë ai sjell kujtime të shumta edhe për autorin e skenarit, shkrimtarin Ismail Kadare, për të cilin ndër të tjera tregon se i detyruar nga kushte e kohës Kadare është treguar tolerant me regjisorin. Vetë Ljarja tregon: “ Ismaili ka librin, unë bëra filmin dhe kaq. Mirëpo filmi ka një problem. Nuk është demokratik, është dhunues të dhunon. Libri është më demokratik.”

[gallery]22767[/gallery] 
Ju zoti Rikard, jeni një nga aktorët e shquar shqiptar që la gjurmë të thella në kinematografinë shqiptare, ndaj doja të më qartësonit disa ide rreth realizimit dramaturgjik dhe filmik mbi veprën e shkrimtarit tonë Ismail Kadare. Si “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, dy variante shqiptare, dhe një realizim francez, “ Prilli i thyer”, edhe ky ka një realizim te huaj, “Dimri i madh”, “Viti i mbrapshtë”, “Emblema e dikurshme”, “Nëntori i një kryeqyteti”, “ Dasma” aq shumë e përfolur, etj. Cili është mendimi juaj për këto realizime filmike. A kanë qenë këto në lartësinë e veprës?
 -Puna është se unë nuk mund të flas për punën që kanë bërë të tjerët. Unë mund të flas vetëm për punën time, por edhe për veprën e Kadaresë. Megjithëse s’kam ç’të them më shumë se çka thënë kritika europiane dhe e tërë bota. Letërsia është shumë e vështirë të konvertohet në film, kjo vështirësi ndjehet në të gjithë botën pothuajse, pasi letërsia është një hap përpara dhe është shumë vështirë t’ju gjesh ekuivalentin filmik. Megjithatë veprat e Ismailit janë bërë filma. Në këtë rast do të thosha se letërsia e Ismailit ka një specifikë të veçantë. Nuk e kam thënë unë e kanë thënë të tjerë, po unë po e përsëris. Ismaili në përgjithësi luan me ide në veprën e tij dhe personazhet janë pak si në hije. Ndaj është vështirë t’i gjesh ekuivalentin filmik.
 
Zoti Ljarja, mendimi i përgjithshëm i kritikës dje i artdashësve është se ju keni bërë një nga filmat më të mirë mbi veprën e Kadaresë. Dhe në se do t’ju perifrazoj edhe ky nuk është vetëm mendimi im, por po e përsëris; filmi “Radiostacioni“ mbështetur mbi romanin “Nëntori i një kryeqyteti”. Është një film ku ju e keni zbërthyer fije-fije romanin në thellësi të tij.
-Unë e kam pasur këtë fat, që të bëj një vepër të Ismailit film. Nuk them sesi ka qenë rasti që m’u dha mua ta bëj. Ajo është një histori tjetër. Porse në ditën, në çastin kur m’u dha mua ta bëj, unë e kisha të mbaruar filmin. Sepse si të gjithë shqiptarët që e prisnin me ankth çdo gjë që shkruante Ismaili, unë e kisha lexuar menjëherë sa doli dhe çuditërisht e kisha vizionin fare të qartë. Megjithatë i futa edhe një të lexuar tjetër dhe u qartësua gjithçka. Dhe bëra një punë të tillë; natën pasi errej, delja në ato rrugicat ku dikur ishte Radiostacioni i vjetër i Tiranës. Bile edhe sot e kësaj dite nuk ka lëvizur asgjë dhe do të ishte bukur të lihej ashtu siç është. Gati për dy javë rresht kam dalë dhe i kam pa ato. Mirëpo është gjë e madhe të gjesh vendet e xhirimit. Pastaj pata disa takime me Ismailin, biseduam rreth skenarit. Në fakt ka personazhe të skalitura ky roman. Pavarësisht se unë thashë më lart se Ismaili duke luajtur me ide, i thotë tekstet por nuk krijon personazhin. Unë pa shtuar asnjë germë nga vetja, mora dhe bëra një personazh të ri, që është arkivisti i radios. Siç thashë s’kam shtuar asgjë. Aty është i tërë teksti i Ismailit prej fillimit deri në fund. Unë e grumbullova dhe e krijova këtë personazh të cilin e luan Mirush Kabashi. Karakteret e tjera ishin të gjitha. Mua më ka shpëtuar një gjë që nuk munda ta konvertoj në figurë. Ishte një episod shumë i bukur; kur qytetarët e Tiranës bënin murale, shkruajnë nëpër mure, shkarravisin muret, dhe sigurisht duke qenë dhe jo fort të shkolluar, bënin edhe gabime ortografike. Ishte një profesor i gjuhës dhe kalonte kur po binte pak shi dhe fillon e korrigjon gabimet ortografike në murale. Në atë kohë kalon patrulla gjermane, i fut një plumb dhe koka e tij bie në mes të rrugës dhe shiu që bie nga ulluku i lag flokët. Ishte një episod kryevepër. Unë nuk arrita ta gjej me than të drejtën, nuk më lidhesh, nuk më montohej.

Mbase ishte një fragment tepër mbresëlënës dhe midis atyre karaktereve të forta, ky personazh ishte tepër i brishtë. Mbase është goditja që do t’i bëhet vazhdimisht gjuhës sonë të lashtë. Apo thjesht çështje karakteresh?
-Në këtë film ka 60-70 karaktere dhe nuk ka qenë e lehtë në fakt, një çikë e ngatërruar ajo puna e karaktereve që të gjinden ekzakt. Partizanët dhe borgjezët, përfaqësojnë dy kampe. Dy radiostacione, njëri që bëhet zyrtar dhe tjetri virtual të themi që bëhet nga borgjezët. Kështu që ka qenë një punë e stërmundimshme me përmasa tmerrësisht të mëdha. Po që isha i detyruar të luaja edhe unë një rol atje, atë të komandantit, sepse çuditërisht kur unë bëja një film si regjisor, shokët e drejtorisë më detyronin të bëja edhe një rol. Në atë kohë nuk e kuptoja pse. E kam marrë vesh kur kam dalë në pension. Pasi isha i vetmi me emërimin; regjisor-aktor. Kështu që më detyruan ta bëj dhe ishte një stërmundim. Një stërmundim tjetër ishte se shumica e xhirimeve ishte natën. Përmasat gjithashtu ishin shumë të mëdha me beteja, me tanke. Por kishte dhe një organizim shumë të mirë. Ishte një grup kompakt që punonte shumë pa u lodhur, pa u lodhur e me një energji të pashtershme. Kështu që mendoj se filmi nuk shkoj keq. Bile, bile, tani transmetohet vazhdimisht dhe mua më kapin njerëz dhe më thonë: Kur është bërë ky film? Dhe unë i them -Në `79-n. -Si është e mundur më thonë? -Po pse?, -i pyes?- Si është e mundur?! Sot e shohin me një sy tjetër.

Edhe përshtatja e roleve është një meritë e madhe regjisoriale, të mbeten në mendje personazhet e dy kampeve janë aq shumë realistë dhe një “lojë” e guximshme që e bën filmin sikur është realizuar sot.
-Karakteret janë të përsosura, Birçja p.sh. Birçja është partizani tipik, tipik. E gjithë kompania e tyre e Radiostacionit, që mblidhen një nga një, një nga një, grupe, grupe të gjithë karaktere të veçanta. Jam përpjekur të jem realist, partizanët ashtu kanë qenë, ishin barinj, lanë kërrabën, lanë delet, morën pushkën dhe dolën për të çliruar atdheun dhe jo për fajin e tyre ishin të tillë. Bijtë e tyre u bënë njerëz të shkolluar të kulturuar, u bënë profesorë e doktorë shkencëtarë e kështu me radhë. Po ato gratë, të cilat nuk jetojnë më, duke filluar nga Drita Pelinku, Behije Çela, Antoneta Fishta e të tjerat që s’po më vijnë emrat ndërmend, që janë një grup i jashtëzakonshëm, grupi i borgjezeve domethënë.

Po, por ju borgjezët i nxirrni aq të bukura dhe fisnike, çka edhe atëherë nuk i urreje dot por kërkoje t’i imitoje, ato veshjet, ato krehjet, ecja e tyre, gjendja emocionale, eleganca, kultura…..
-E di si është puna, unë thash me lart që Ismaili luan me ide, por në këtë roman ka karaktere, dhe unë i kam kapur këto karaktere. Gjithashtu duhet krijuar atmosferë. Se atje ka një atmosferë të jashtëzakonshme megjithëse është punuar me një sforco të madhe, është një punë e madhe llahtari.
 
Ju e keni zbërthyer idenë e autorit edhe në nënkuptimet e tij, e thënë me një fjalë zbërthimi më kuptimplotë, në realizimin e një filmi mbi një vepër letrare.
-Ka këndvështrime të ndryshme në fakt. Do citoj një autor, të cilit i thanë se filan kritik ka thënë kështu e kështu kundër veprës tuaj. Dikush tjetër ka thënë të kundërtën ju përgjigj ai. –Po ti çfarë thua? E pyetën. Unë them atë që kam thënë në vepër. Kështu që çdo njeri e sheh sipas bindjeve të tij, sipas kulturës dhe edukatës së tij. Ndërsa unë kam thënë atë në film. Ismaili ka librin, unë bëra filmin dhe kaq. Mirëpo filmi ka një problem. Nuk është demokratik, është dhunues të dhunon. Libri është më demokratik. Gjithkush që e lexon librin, sipas kulturës së tij sipas konfiguracionit që krijon vetë ai. Kurse filmin spektatori e sheh sipas përfytyrimit të regjisorit. Regjisori kërkon që t’i vërë këtë portret këtij apo atij personazhi. Kurse ai që e lexon ka parasysh një portret tjetër, etj, etj.

Atëherë në këtë rast përfytyrimit të publikut ju i jeni afruar plotësisht, ndaj filmi është i suksesshëm dhe ndiqet me vëmendje edhe sot, ashtu si edhe lexohet vepra e Kadaresë në çdo kohë.
-Megjithatë unë si regjisor kam bërë rreth 12 filma. Por këtë film mendoj se e kam më të mirin. Sepse vërtet ka karaktere, ka personazhe, ka atmosferë, ka ide, i ka realiste nuk kërcet. Kaq do një vepër filmike mendoj unë.

Zoti Ljarja, si ishte bashkëpunimi juaj me zotin Kadare?
- Më dha një liri absolute, bëj çfarë të duash më tha. Absolutisht bëj çfarë të duash.- Jo more i thashë unë, si bëkam çfarë të dua! Po hajde mos e çaj kokën fare. Dhe ashtu bëra çfarë desha. Por ju përmbajta tërësisht veprës. Në fakt kur ka mbaruar filmi, më ka bërë një surprizë që unë s’e harroj. D.m.th. e bëri si në Europë. “Je i ftuari im” më tha, dhe u shtrua një drekë.

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë