Llakaj: Mehmet Shehu më prezantoi
3 kosovarë që përgatitën demonstratat

Llakaj: Mehmet Shehu më prezantoi<br />3 kosovarë që përgatitën demonstratat
TIRANË - Sipas shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare Veli Llakaj “zakonisht kuadrot kryesore ushtarake të njësive operative-strategjike dhe atyre të aparatit të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore në rast të ndonjë situate të tensionuar politiko-ushtarake në rajon, veçanërisht pranë shteteve fqinjë, u takonte fati i "mirë" që të rrinin në gatishmëri në vendislokimin e tyre. Këtë "privilegj" e kishin zakonisht ata që drejtonin e merreshin me gatishmërinë dhe njihnin mirë detyrat e planit të luftimeve”.

Sipas kësaj skeme, dëshmon Llakaj, i takonte komandantit ose shefit të shtabit të njësisë, pra dhe Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë ose zëvendësit të tij si edhe ndonjërit nga drejtorët kryesorë të Ministrisë së Mbrojtjes.

Situata dhe ky rregull ndiqej edhe në ditët përkujtimore madhore siç qenë festat jubilare të pavarësisë, 28 Nëntori, apo të çlirimit, data njëzetë e nëntë. Po ashtu edhe në raste kur organizoheshin festivale kombëtare si ai i Gjirokastrës, në të cilin shkonte dhe udhëheqja kryesore e partisë dhe pushtetit qendror”.
Sipas ushtarakut të lartë Veli Llakaj në zbatim të këtij rregulli për sigurinë kombëtare, një ditë në vitin 1979 “Ali Çeno, shoqëruesi i Mehmet Shehut, më merr në telefon dhe më komunikon se të nesërmen do të shkoja për ta parë këtë festival. Kështu u bë dhe shkova duke marrë me vete dhe Drejtorin e Zbulimit të Ushtrisë Eqerem Osmanin si edhe shefin e Sigurimit të Ushtrisë Çerçis Xhelon”.

Llakaj vijon më tej: “Në mbrëmje takohem me Mehmet Shehun në shtëpinë e caktuar për udhëheqjen e personaliteteve para se të fillonte festivali. Mehmeti ishte bashkë me tre djem të rinj rreth të 20-30 vjetëve. Mbas prezantimit që më bëri, me tregoi se këta djem janë nga Kosova, kanë ardhur për festivalin tonë të bukur në Gjirokastrën e vëndlindjes së shokut Enver”.

Më pas ish shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë vë në dukje: “Mehmeti trajtoi apo e përsëriti refrenin që më bëri mua se mund ta kishte bërë me këta djem më parë. Ai shtoi se këta janë bërthama kryesore që do të udhëheqin revoltat në Kosovë për t’u shkëputur nga regjimi i Titos që është duke dhënë shpirt bashkë me Titon që po kangrenizohet nga këmba te koka”.

Pastaj, sipas Llakajt, Mehmet Shehu ka shtuar me theks të veçantë: “Kjo që të thashë është vetëm për ty dhe për asnjë tjetër. Po u muar vesh nga të tjerët ky problem që po të them, ju dhe kushdo tjetër që do të hapë gojën, shkon në gjyqin ushtarak e dënohet si tradhtar!

Më tej ai u thotë mysafirëve se “ky është Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë sonë Veli Llakaj, pra kjo porosi që i thashë këtij vlen dhe për ju, por me një dallim se ju ndiqeni dhe nga UDB-ja dhe po e mori vesh ajo këtë takim apo porosi ju e paguani me kokë” dhe qeshi me të madhe”.

Sipas Llakajt “Mbasi unë u largova, Mehmeti me të ardhurit nga Kosova qëndroi në banesën e tij ku ishte vendosur e ashtuquajtura "shtëpi e partisë". Ky episod i pohuar publikisht nga një funksionar shumë i lartë i armatës shqiptare e bën kryeministrin Shehu protagonist dhe autor të nxitjes së demonstratave studentore në Prishtinë gjatë marsit dhe pastaj prillit të vitit 1981.

Bashkë me të edhe Shqipërinë e Enver Hoxhën, i cili në ditarin intim, por edhe në komunikimet e tërthorta zyrtare këmbëngul herë pas here se nga ana e vendit të tij në asnjë rast nuk ka pasur dhe ka ndërhyrje në punët e brendshme të Jugosllavisë. Duke qenë se në këtë cikël shkrimesh subjekti ynë kalon nëpër labirinthet e enigmës kishte apo jo dorë të zgjatur dhe të fshehur të Tiranës zyrtare në rindezjen në 1981 të protestave të shqiptarëve të Kosovës, jemi shumë të shtrënguar ta kalojmë nën hetim çfarë, siç e cituam më sipër, ka deklaruar Veli Llakaj.

Më së pari kryem një veprim: takuam (në 3 mars 2016) ish-drejtorin e Drejtorisë së Zbulimit në Ministrinë e Mbrojtjes, Eqerem Osmanin. Ai në këtë detyrë ka qenë për periudhën 1974-1980. Eqeremi pohoi se Llakaj e ka marrë, bashkë me kolegun tjetër, Çerçiz Çelon, drejtorin e Sigurimit të Ushtrisë, për të ndjekur nga afër festivalin foklorik të Gjirokastrës, por nuk ka qenë i pranishëm në Shtëpinë e Pritjes dhe ca më tepër të jetë takuar ato ditë me Mehmet Shehun.
Duke qenë se ai nuk ka punuar në atë post asnjë ditë të motit 1981, për rrjedhojë ngjarja e mësipërme është e ndodhur para këtij viti.

Ndërkohë edhe Veli Llakaj përcakton si kohë të zhvillimit të saj 1979-tën.
Por në këtë vit nuk është zhvilluar në Gjirokastës asnjë festival folklorik kombëtar. Një i tillë, të cilët kryheshin çdo pesë vite, u organizua në ditët e para të tetorit 1978.

Në pasaktësitë e dikur shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë ka edhe një element tjetër. Llakaj dëshmon se mes asaj çfarë i kishte thënë Mehmet Shehu tre të rinjve kosovarë dhe vetë atij, ndodhet edhe shprehja “regjimi i Titos që është duke dhënë shpirt bashkë me Titon që po kangrenizohet nga këmba te koka”. Kangrenizimi i këmbës së Josip Broz Titos. çfarë edhe i solli vdekjen e shpejtë në 4 maj 1980, u konstatua prej mjekëve dhe u bë publike në 12 janar të këtij viti.

Sipas shprehjes së sipër cituar biseda në Shtëpinë e Pritjes në Gjirokastër i takon të jetë bërë midis muajve shkurt, mars dhe prill 1981(!?).
Ky mishmash kohor e vë në pikëpyetje besueshmërinë e Veli Llakajt, i cili, që nga ndarja e tij me jetën, vite më parë, tashmë nuk mund të ndihmojë për ta kthjelluar momentin e saktë. Në pamundësi të saj të paktën të ishim të bindur se thelbi i ngjarjes, kurdo të ketë ndodhur, nuk ka ndryshuar: qeveria shqiptare përgatiste bashkëkombës të Kosovës për të kryer kryengritjen e çlirimit të tyre prej Jugosllavisë pa Titon. E theksojmë: “pa Titon”.

Kur në 22 janar 2006 shefi i dikurshëm i Shtabit të Përgjithshëm i dha intervistë një të përditshmeje, sërish nguli këmbë se “Mehmet Shehu më ka takuar mua me një grup aktivistësh të Kosovës në Festivalin Foklorik të Gjirokastrës që më 1979-ën, të cilët ishin në krye të revoltave e demonstratave të njohura më 1980-ën. Edhe sot ruaj miqësinë me ta”.

Siç e shihni Veli Llakaj, duke i paraqitur edhe protestat studentore të Prishtinës një vit më parë nga sa realisht kanë ndodhur, provon se ka probleme me saktësinë kohore, veç me sa duket jo me vërtetësinë e ngjarjeve.

Me këtë rast nuk mund të anashkalojmë një pohim të tij: tre të rinjtë shqiptarë nga Kosova që i pa në Shtëpinë e Pritjes së Gjirokatrës bashkë me Mehmet Shehun, paskan qenë në krye të demostratave të mars-prillit 1981 në Prishtinë dhe se në  vitin 2006 ai ende e ruante miqësinë me ta, çfarë do të thotë që janë takuar apo kanë shkëmbyer mesazhe mirësjelljeje.
 
Branko Komatina fillon takimet njohëse për Shqipërinë
Pak ditë para se Josip Broz Tito të bënte vizitën e tij të pestë dhe të fundit në Kosovë, kreu një gjest shumë të qartë në mesazhin e tij afrues me Shqipërinë. Në mes të shtatorit 1979 publikoi një dekret për emërimin në Tiranë të ambasadorit të ri të Jugosllavisë. Do të ishte Branko Komatina. Qe diplomat karriere dhe malazez. Ky menjëherë nisi takimet e njohjes paraprake me misionin që do të kishte. Busull për të qe kursi i deriatëhershëm i qeverisë së tij: bashkëpunim sa mundur më të gjerë me Shqipërinë.

Biseda me Fadil Hoxhën, e cila u krye në Beograd, sepse politikani qe anëtar i Presidencës së partisë, pra i të barabartës me të në Tiranë, e cila quhej Byro Politike. Në këtë forum Hoxha mbulonte marrëdhëniet jugosllavo-shqiptare.

Gjatë shkëmbimit të mendimeve Hoxha i vuri në dukje Komatinës se bashkëpunimi miqësor mes dy vendeve ishte shumë i nevojshëm, mbi të gjitha, për arsye të sigurisë së Republikës Federative, por edhe të Ballkanit. I porsadekretuari si ambasador duhej të qe përllogaritës i mirë i faktit se në Jugosllavi jetonin që nga Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi, po ashtu edhe të shpërndarë kudo nëpër republikat e tjera, shumë shqiptarë.

Në çfarë tha Fadil Hoxha qe edhe theksimi i idesë se këta kishin autonomi në marrëdhënie kulturore mjaft të mira me “shtetin dado”, pra me Tiranën, por ndërkohë tërhoqi vëmendjen se këto raporte bashkëpunimi me Shqipërinë mund të shndërroheshin në të rrezikshme në rast se dilnin nga kontrolli i partisë, Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë, dhe binin në dorë të nacionalistëve.

Sipas anëtarit të Presidencës së LKJ-së e vetmja mënyrë për të shkaktuar dështimin e irredentizmit mbetej barazia reale e shqiptarëve me atë të të gjithë popujve të tjerë në përbërje të Federatës. Shqiptarët në Jugosllavi, mëshoi posaçërisht Fadil Hoxha, duhet të ndihen si në shtëpinë e tyre. Ai po ashtu i theksoi ambasadorit Komatina se separatistët, ata që donin ndarjen e Kosovës prej Federatës dhe bashkimin me Shqipërinë, do të mbeten të pambështetur nga masa popullore në rast se Jugosllavia funksionon si një bashkësi e plotë sociale dhe politike. Ndryshe, vazhdoi ai, do të përbënin kanosje synimet për një “Kosovë të Madhe”, pastaj për një “Republikë të Kosovës” dhe më në fund përpjekja për një shkëputje nga Federata.

Gjatë bisedës Fadil Hoxha i tha Branko Komatinës se në marrëdhëniet me ta Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë në disa raste, siç e gjykonin ata në Beograd, qe e pasinqertë, por ndërkohë ndryshe prej tyre, ishte mjaft e organizuar. Në fund Hoxha vuri në dukje se në punën e ardhme të ambasadorit të ri të Federatës në Tiranë Branko duhej të mbante të ngulitur në kokë idenë se në Shqipëri kishte një ndjenjë të vazhdueshme shqetësimi dhe frike nga Jugosllavia si një fuqi e madhe që ka pasur pretendime teritoriale ndaj vendit të tyre.
 
Beograd: ambasadori shqiptar përballë atij jugosllav
Millosh Miniçi, anëtari tjetër i presidencës së Lidhjes Komuniste, në takimin që bënë, i theksoi ambasadorit Komatina rolin e veçantë që Shqipëria kishte në sigurinë e Jugollavisë, kurse shefi i kryesisë së LKJ-së për Serbinë, Dobrivoje Vidiç, i nënvizoi se puna më e mirë që mund të bënin ishte të rrisnin bashkëpunimin mes dy vendeve deri në arritjen e hapjes së kufijve të përbashkët, objektiv ky dhe veprim i ngjashëm me “bashkimin e serbëve brenda Jugosllavisë nëpërmjet kooperimit reciprok, hapjes dhe respektimit të parimeve kushtetues të Federatës Jugosllave”.

Por ndërkohë Vidiç i vuri në dukje Branko Komatinës se shqiptarëve nuk u duhej lënë ndonjë iluzion rreth irredentizimit të tyre dhe kërkesave territoriale. Kundër pikëpamjeve dhe sjelljeve të tilla duhej të ishin të vendosur. Kryetari i Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë për Malin e Zi, Veljko Milatoviç, kur ambasadori Komatina e takoi për të shkëmbyer mendime rreth punës së tij të pritshme në Tiranë, i theksoi objektivin e përmirësimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, por edhe paralajmëroi të qe sa më elastik dhe po ashtu gjakftohtë, me pak fjalë të  mos humbte “kotrollin e butonave” përballë rasteve kur Shqipëria do të shpërthente, siç bënte herë pas here, fushata antijugosllave.

Kolegut të tij, ambasadorit shqiptar në Beograd, Sokrat Plaka, Branko Komatina ia bëri vizitën e kortezisë në fund të të gjitha takimeve. Prej qeverisë jugosllave, sidomos për çështjen e bashkëkombësve të tij që jetonin në Federatë, ai vlerësohej si “tepër agresiv”.

Ndërkohë që Komatina do të shkonte drejt selisë së ambasadës shqiptare në rrugën e njohur beogradase Knjaz Millosha, në Kosovë kishte kryer vizitën e tij Josip Broz Tito, për të cilën në ditarin e vet, në 15 tetor 1979, Enver Hoxha do të shkruante disa radhë të shkurtra. Sipas tij Tito do të mbërrinte në Prishtinë për arsyen se “Kosova përbën një shqetësim të vazhdueshëm për Jugosllavinë, aq më tepër tani që manifestimet atje kundër titistëve dhe pro nesh janë të shumta”.

Në vijim: “Gjendja në Kosovë nuk është e qetë, e qëndrueshme, prandaj vete Titoja atje, por këtë gjendje ai nuk do ta ndreqë dot me sorrollatjet e tij poshtë e lart”. Pastaj: “Mundet që ta kenë ftuar edhe krerët titistë të Kosovës...”
 
Festë në Prishtinë: Po vjen Tito!
Vizita e Josip Brozit në Kosovë u krye nga 15 deri në 18 tetor 1979. Përveç kryeministrit federativ, sekretarit të Kryesisë së Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë, Tito pati marrë me vete edhe tërë udhëheqjen e Serbisë. Shqiptarët këtë sjellje të tij e komentuan si një përpjekje të fundit, para se të ndërronte jetë, për pajtimin e të dy palëve dhe ruajtjen e integritetit territorial të shtetit të përbashkët shumëkombësh.

Burime diplomatike perëndimore ato kohë gumëzhinin se problemi kryesor i njëzetë viteve të ardhshme në Jugosllavi do të qe Kosova dhe se Federata Socialiste mund të binte në gravitacionin e saj, duke u bërë copë e thërrime. Me një rritje demografike sa trefishi i vendit si edhe pakënaqësinë etnike në rritje, shtuar gjendjen ekonomike mjaft të prapambetur krahasuar me republikat (531 dollarë në vit për frymë kur Sllovenia e kishte 4500), në Prishtinë po ndodhnin gjeste që paralajmëronin shkëputjen e saj: kolonët serbë po iknin, kosovarët po tentonin të ngrinin në Prishtinë deri edhe një Shkollë të Oficerëve. Po ashtu në kumtesat e mbajtura me rastin e 100 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit nga disa folës u la të kuptohej se çështja e çlirimit të tokave shqiptare ende nuk pati përfunduar.

Sikur të mos mjaftonte kjo mes krerëve të Serbisë për problemin e Kosovës shfaqej paqartësi dhe konfuzion i madh. Kishte mes tyre që pohonin se në shtetin jugosllav ajo qe dhe po mbetej trup i huaj. Ndërkohë krahina me shumicë dërmuese popullsi shqiptare po kërkonte këmbëngulshëm pozicion tjetër juridik: në Federatë donte statusin e republikës.

Nexhmedin Shehu, drejtor ato kohë i Pallatit të Rinisë të Prishtinës, shtëpia kryesore kulturore e kryeqytetit, ishte përgjegjës për organizimin dhe realizimin e programit kulturo-artistik të pritjes në aeroport të Josip Broz Titos. Gjatë një bisedë online me të, të shkruar, kryer në ditët e fundit të shkurtit 2016 ai na shpjegoi se “në program merrnin pjesë kori mikst i Njëmijë Fëmijëve, i cili me rastin e zbritjes së Titos nga aeroplani dhe më pastaj gjatë përshëndetjeve me udhëheqësit kosovarë e deri në nisje nga aeroporti për Prishtinë, intononte këngë partizane dhe këngë për fëmijë.

Aty ishte edhe Ansambli i Shoqërisë Kulturo-Artistike Akademike i Universitetit të Prishtinës, të cilët në një ambient më larg, por në fushën e aeroportit, lozeshin valle. Por kjo ishte sa për tv e gazeta, për shprehje të atmosferës më shumë sesa për Titon, meqë ai kalonte larg këtij ambienti”.

“Atë mbrëmje, rrëfeu Nexhmedini, pas darkës solemne, zyrtare, në hotelin “Grand”, pasi Tito ishte tërhjekë në rezidencën e tij, të gjithë udhëheqësit, në mos u gabofsha përveq Xhavit Nimanit, Kryetar i Kryesisë së Kosovës, vazhduan ndejën me një program zbavitës kulturo-artistik, në Pallatin e Rinisë. Aty bjen në sy që asnjë nga udhëheqësia e Serbisë nuk ishte prezent”.

Ndërkohë tërheqim vëmendjen e lexuesit se që nga Beogradi ambasadori Sokrat Plaka e informonte Tiranën se “Kosovarët jetojnë me frymën e Shqipërisë, duke dëgjuar radiot, parë televizionin”. Sipas tij ata vazhdimisht pyesnin: “Ne do të luftojmë për çlirimin e Kosovës, por Shqipëria vetë çfarë do të bëjë për ne?”
(Vijon)


Redaksia Online
(E.Ç./Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Media greke shkrim racist për shqiptarët: Imagjinoni të festonim ne kështu në mes të Tiranës, nuk respektojnë as bukën që hanë në Greqi

Media greke shkrim racist për shqiptarët: Imagjinoni të festonim ne kështu në mes të Tiranës, nuk respektojnë as bukën që hanë në Greqi