Prokuroria e Përgjithshme ka reaguar pas vendimit të ish-kryeprokurorit Llalla për tërheqjen nga sistemi i drejtësisë dhe vendimit të SHBA për t’i ndaluar hyrjen. Institucioni i Akuzës në Shqipëri, që drejtohet nga Arta Marku u shpreh për Zërin e Amerikës se mbështet qëndrimin për ndëshkimin e cilitdo që cënon parimet e Shtetit të së Drejtës. Prokuroria e Përgjithshme nuk i dha një përgjigje të prerë kërkesës për të mësuar nëse do të ndërmerret apo jo ndonjë veprim ndaj ish Kryeprokurorit Adriatik Llalla, pas vendimit të Departamentit amerikan të Shtetit për t’i ndaluar atij hyrjen në Shtetet e Bashkuara për shkak të përfshirjes në raste të mëdha korrupsioni.

Prokuroria e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë i jep përparësi integritetit moral dhe profesional të zyrtarëve. Populli shqiptar pret dhe meriton që zyrtarët të punojnë me ndershmëri dhe integritet në të mirë të interesit publik”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë së Përgjithshme ndërsa shton se ky institucion “u jep mbështetjen e plotë të gjithë prokurorëve që punojnë me përkushtim, dinjitet dhe integritet” e se “gjithashtu mbështet qëndrimin për ndëshkimin e cilitdo që cënon parimet e Shtetit të së Drejtës”.

Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla dje u shpall ‘non grata’ nga SHBA duke iu ndaluar hyrja atij dhe familjes. Departamenti Amerikan i shtetit i është përgjigjur sot një pyetje të Report TV në lidhje me shpalljen ‘Non Grata’ të ish-prokurorit të përgjithshëm Adriatik Llalla dhe familjes së tij. Nga përgjigja e marrë tregohet se ky është rasti i parë kur një sekretar shteti merr një vendim kaq ekstrem dhe e shpall publikisht.

Një zëdhënëse e Departamentit Amerikan të Shtetit në përgjigjen dërguar Report TV përmes postës elektronike thotë: “Seksioni 7031 përfshin kërkesën që duhet të ndërmarrë Departamenti i Shtetit për të publikuar ose në mënyrë private për ndalimin e personit. Ky lloj autoriteti është efektiv që prej vitit 2008 dhe ky është rasti i parë i një ndalimi publik bazuar në ligjin 7031thotë DASH. Javën e shkuar ish-kryeprokurori u tërhoq nga e drejta për të qenë gjykatës në Apel duke preferuar të mbetet jashtë sistemit të drejtësisë. Një vendim i cili solli sot dhe ndërprerjen e procesit të rivlerësimit të nisur ndaj tij.

d.b/shqiptarja.com