TIRANË - Drejtori i Policisë së Shtetit Haki Çako dhe Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla, diskutuan në ambientet e Policisë së Shtetit ngritjen dhe organizimin e Byrosë së Hetimit e cila ishte parashikuar në Ligjin e Ri të Policisë së Shtetit i cili pritet të vihet në zbatim gjatë këtij muaji. 

Në takim ishin të pranishëm edhe Drejtori i Përgjithshëm për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda Drejtues i Lartë Ardian Çipa, Drejtori i Drejtorisë së Hetimit, Kontrollit dhe Ndjekjes Penale dhe i Drejtorisë së Tack-Forcës në Prokurorinë e Përgjithshme, Kostaq Beluri. 

Burime zyrtare të Policisë së Shtetit thanë se në takim u diskutuan çështjet e forcimit të bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve. Po ashtu u shkëmbyen mendime për propozimet ligjore që lidhen me rritjen e aftësisë investiguese ndaj grupeve kriminale, të krimit të organizuar, e në veçanti të korrupsionit. 

Pas takimit Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Përgjithshme dolën në një njoftim të përbashkët për shtyp sipas së cilit një nga shqetësimet kryesore të situatës aktuale lidhet edhe krimin kibernetik. Sipas njoftimit janë diskutuar edhe çështje që lidhen me finalizimin e operacioneve të ndryshme që janë në pritje. Një theks i veçantë gjatë takimit u vendos për koordinimin më të mirë të veprimeve Polici-Prokurori, për hetimet ndërkombëtare ku grupet kriminale të krimit të organizuar përdorin si origjinë, tranzit apo destinacion vendin tonë.

llalla
FOTO