UASHINGTON - Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla, ndodhet në Shtetet e Bashkuata të Amerikës, ku diskutoi me zyrtarë amerikanë të Departamentit të Shtetit, Departamentit të Drejtësisë dhe Byrosë Federale të Hetimit (FBI) për forcimin e bashkëpunimit në terma konkretë.

Më konkretisht, kryeprokurori Llalla, gjatë takimeve të zhvilluara me zyrtarë të Departamentit Amerikan të Shtetit dhe në Departamentin e Drejtësisë, parashtroi mundësinë e nënshkrimit të një Traktati Ekstradimi të ri ndërmjet Shqipërisë dhe SHBA-ve.

Duke vlerësuar dinamikën në rritje të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, Llalla, gjatë diskutimeve e cilësoi si të nevojshëm nënshkrimin e një dokumenti të ri në këtë fushë, pasi mes dy vendeve është ende në fuqi traktati i ekstradimit i vitit 1933.

“Aktualisht, ndërmjet Shqipërisë dhe SHBA është në fuqi Traktati i Ekstradimit, nënshkruar në vitin 1933. Prej asaj kohe, për shkak edhe të politikës izoluese të qeverisë shqiptare në periudhën 1945-1990, ky traktat nuk ka pësuar asnjë ndryshim.” theksoi Llalla

Për Prokurorin e Përgjithshëm të Shqipërisë, Traktati i cili është në fuqi, “ka të parashikuar veprat penale për të cilat mund të realizohet ekstradimi, por lista e këtyre veprave është kufizuese”.

“Shqipëria dhe SHBA kanë ratifikuar Konventa Shumëpalëshe sa i përket ratifikimit, por edhe këto akte ndërkombëtare, në vlerësimin e prokurorisë shqiptare, “kanë fusha mbulimi të kufizuara në vepra penale specifike”. Për këto arsye, në kuadër të forcimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, Shqipëria vlerëson se është i nevojshëm nënshkrimi dhe ratifikimi i një traktati të ri, i cili të jetë gjithëpërfshirës dhe do të ndihmojë autoritetet kompetente në përmbushje të detyrimeve të tyre sa u përket veprave penale dhe personave që kërkohen për ekstradim.” nënvizoi Prokurori i Përgjithshëm

Gjithastu Llalla, vuri në dukje se “është konstatuar rritje e ndjeshme e kërkesave reciproke për ndihmë të ndërsjelltë juridike.” Megjithatë sipas Llallës “këto kërkesa, kanë vonesa në realizimin e tyre për shkak të kanalave burokratike të komunikimit”.

Për të qenë më aktivë në plotësimin e këtyre kërkesave, Llalla, u shpreh se “është i domosdoshëm nënshkrimi i një marrëveshjeje mes Shqipërisë dhe SHBA në fushën e bashkëpunimit gjyqësor ndërkombëtar në çështje penale”.

Propozimet e Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë u përkrahën nga zyrtarët në Departamentin e Drejtësisë dhe në Departamentin Amerikan të Shtetit, të cilët shprehën angazhimin për nënshkrimin e këtyre dokumentave, në kuadër të forcimit të bashkëpunimit dypalësh.

Llalla me Bradtke, vlerësohet bashkëpunimi dhe mbështetja e SHBA në luftën ndaj terrorizmit
Para këtyre takimeve, Llalla zhvilloi biseda në terma konkretë me zyrtarë të Byrosë Federale të Hetimit (FBI), lidhur me kriminalitetin ndërkombëtar dhe bashkëpunimin ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për raste specifike.

Gjithashtu, Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë prezantoi prioritetet dhe angazhimin e institucionit në luftën për çështje që kanë interes ndërkombëtar me Këshilltarin e Lartë për antiterrorizmin në Departamentin Amerikan të Shtetit, ambasadorin Robert Bradtke.

Pjesë tjetër e rëndësishme ishte edhe lufta ndaj terrorizmit,  si dhe arritjet e deritanishme dhe mbështetja e vazhdueshme amerikane në kuadër të goditjes së personave që merren me financimin dhe rekrutimin e shtetasve të ndryshëm europianë për dërgimin në konflikte të armatosura jashtë Europës.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)