TIRANE- Prokuroria e Tiranës pritet që në fillim të javës tjetër të nis hetimet kryesisht për kompanin e fluturimeve "Belle Air".

Qëndrimi i organit të akuzës për nisjen e hetimeve konfirmohet nga Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla i cili në një takim në 1 vjetorin e tij në krye të Prokurorisë së përgjithshme tha se hetimet për rastin Bellair do të kryhen nga prokuroria e rrethit Tiranë.

Këto hetime sipas Llallës do të japin një përgjigje për dëmin ekonomik shkaktuar qytetarëve si dhe arsyen se pse “Belle Air” një kompani me 53 % të tregut të fluturimeve, arriti në një borxh ndaj të tretëve dhe kërkon falimentimin.

Një tjetër shkak për nisjen e hetimeve sipas Llallës janë dhe denoncimet e qytetarëve në media të cilët kërkojnë një shpjegim, pse kompania ka shitur bileta për ta kur kishte kërkuar në gjykata falimentin.

Kompania ka shitur 55 mijë bileta deri në mars të vitit 2014, duke marrë paratë paradhënie dhe si rrjedhojë ka arkëtuar një shumë prej 8.5 milionë eurosh.

Falimentimi
Vendimi i kompanisë “Belle Air” për të shpallur falimentimin duket se fsheh diçka. Pikësëpari kjo kompani kishte një pozitë të privilegjuar në tregun ajror shqiptar, duke pasur një monopol të pastër. Kompania “Bell Air” zotëron 55% të tregut ajror në Shqipëri. Kësaj i duhet shtuar edhe fakti që kjo kompani nuk paguante të gjitha detyrimet në Tatime. Shumica e fitimeve të saj ishin neto. Për më tepër kjo kompani kishte një fluks prej 830 mijë pasagjerë në vit, duke pasur një xhiro prej 115 milionë euro në vit. E thënë ndryshe kjo kompani kishte një xhiro ditore prej 315,000 euro. Por, ndërkaq, sipas burimeve të sigurta, “Belle Air” u ka borxh bankave private 8.5 milionë euro.

Kësaj i shtohet edhe shuma prej 890 milionë lekësh të reja (6.4 milionë euro) taksë kufitare të pasagjerëve, që kjo kompani duhej t’i kalonte shtetit, por që e ka mbajtur vetë. Edhe në seancën e Kuvendit të zhvilluar dje ministri i Financave, Shkëlqim Cani, deklaroi se gjatë 5 viteve të fundit kompania “Belle Air” nuk ka paguar tarifën prej 10 dollarësh për biletë në buxhetin e shtetit. Duhet shtuar se kompania ka shitur 55 mijë bileta deri në mars të vitit 2014, duke marrë paratë paradhënie dhe si rrjedhojë ka arkëtuar një shumë prej 8.5 milionë eurosh.

(sg/shqiptarja.com)