TIRANE- Mbrojtja e të dhënave personale gjatë procesit hetimor ka qenë në fokus të një aktiviteti të organizuar nga Prokuroria e Përgjithshme. Në konferencën rajonale “Mbi mbrojtjen e të dhënave personale gjatë hetimit penal”, kryeprokurori Adriatik Llalla ka prezantuar masat për përmbushjen e detyrimit kushtetues dhe ligjor në sistemin e prokurorisë shqiptare.
 
“Për Prokurorinë Shqiptare, diskutimi mbi mbrojtjen e të dhënave personale gjatë hetimit është një çështje shumë e rëndësishme. Kjo çështje është ligjore dhe etike njëkohësisht.
 
Në radhë të parë, është ligjore, pasi sigurimi i të dhënave personale është e parashikuar shprehimisht në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe në aktet të tjera ligjore.
 
Po ashtu, është edhe një çështje etike. Çdo person, përfshirë edhe prokurorët, që, për shkak të detyrës përpunon të dhëna personale, duhet domosdoshmërisht të mbrojë integritetin moral dhe personal të qytetarëve.
 
Për këto arsye, e ritheksoj se ky takim ka një vlerë shumë domethënëse për aktivitetin e Prokurorisë”, tha Llalla.
 
Në prill të vitin 2013 Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla ka nënshkruar Rregulloren e Posaçme për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Një vit pas hyrjes në fuqi të saj, në bashkëpunim edhe me Projektin IPA 2010 të Bashkimit Europian, ditën e sotme u zhvillua takimi për për të parë efektet e saj dhe përmirësimin e mjeteve për mbrojtjen e integritetit moral dhe personal të personave nën hetim.
 
“I gjithë stafi i prokurorisë ka nënshkruar një “deklaratë konfidencialiteti”. Nëpërmjet këtij dokumenti, çdo punonjës pranon përgjegjësinë për të respektuar mbrojtjen e të dhënave dhe penalizimin e menjëhershëm disiplinor nëse konstatohen shkelje.
 
Krahas Rregullores, Prokurori i Përgjithshëm ka nxjerrë edhe një Urdhër të veçantë për publikimin e informacioneve nga ana e institucionit. Komunikimi publik realizohet nëpërmjet zyrës së posaçme në Prokurorinë e Përgjithshme, në të cilën i kushtohet një rëndësi të veçantë pikërisht mbrojtjes së të dhënave personale.
 
Pra, në aspektin formal, nga ana e prokurorisë janë marrë masat e nevojshme me akte nënligjore për respektimin e të dhënave personale”, tha Prokurori i Përgjithshëm.
 
Kryeprokurori ka pranuar ndërkaq edhe problematikat lidhur me këtë çështje, duke u shprehur se ka raste kur bëhen publike të dhëna personale të hetimit.
 
“Gjithsesi, duhet të pranojmë se problemet në këtë drejtim ekzistojnë. Ka ende raste kur, nga burime të konsideruara “të pakonfirmuara”, bëhen publike të dhëna hetimi, ku përfshihen edhe të dhëna personale. Në çdo rast, nga ana e prokurorisë, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, është nisur hetim për nxjerrje sekreti dhe të dhënash personale.
 
Në këtë pikë, duhet të shprehim vlerësimet për median, e cila, edhe pse mund të ketë në dispozicion nga burime të pakonfirmuara informacione të plota, respekton në përgjithësi të dhënat personale të shtetasve të përfshirë në hetim. Nga pozicioni i Prokurorit të Përgjithshëm, e konsideroj si një vlerë shumë të rëndësishme të shoqërisë shqiptare këtë sjellje të medias. Gazetarët, në shumë raste, dëshmojnë një nivel më të lartë të mbrojtjes së konfidencialitetit se sa persona të ndryshëm që kanë për detyrë t’i mbrojnë ato”, tha kryeprokurori Llalla.
 
Gjatë takimit dy-ditor, përfaqësues të prokurorisë shqiptare, ekspertë të Bashkimit Europian dhe prokurorë nga prokuroritë e vende të Europës Juglindore, do të diskutojnë mbi përafrimin me standardet europiane të aktivitetit institucional të prokurorëve.
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)