Llazar Siliqi: Paçrami mbron
kuislingët te drama "4 shkurti"

Llazar Siliqi: Paçrami mbron<br />kuislingët te drama
TIRANE- Vjen sot për lexuesit pjesa e dytë e analizës së Llazar  Siliqit mbi gjithë dramat e Fadil Paçramit, një raport kritik, ku evidentohen qëndrimet armiqësore, të autorit, siç u cilësuan në vitin 1973. Raporti u hartua me 31 maj 1973 dhe iu dërgua Komitetit Qëndror. Me shumë gjasë ishte një porosi, edhe kjo analizë kritike, e dyta e hartuar nga Siliqi, pas asaj që i bëri dramës “Çështja e inxhinier Saimirit” me 12 prill 1973, pasi gjithandej kishte nisur fushata kundër dy ish-anëtarëve të K.Q. Todi Lubonja e Fadil Paçrami.
Në këtë pjesë të dytë të analizës kritike të Siliqit bie në sy ajo çka shkruan për dramën “4 shkurti”, ku sipas Llazar Siliqit, Paçrami merr në mbrojtje kuislingët. Dokumenti ekskluziv botohet i plotë, për herë të parë në Shqiptarja.com. Ai ruhet në fondin 14 në Arkivin Qëndror të Shtetit.
 
 Vijon nga dje...
 Nga drama në dramë, F. Paçrami, në vend që të evoluonte në drejtim të realizmit, të krijimit të personazheve të gjalla dhe të vënies në qendër të dramave të heronjve pozitivë, evoluoi në drejtim të kundërt, duke arritur te drama e fundit “4 Shkurti” (1972), në të cilën absolutisht asnjë prej personazheve s’ka emër e mbiemër, s’ka kurrfarë individualiteti dhe kurrfarë individualiteti gjuhësor. Deindividualizimi i personazheve dhe standardizimi gjuhësor shpien, në fund të fundit, në deheroizimin, nga njëra anë, dhe në shmangien e vulës kombëtare të artit, nga ana tjetër. Heronj në dramën “4 Shkurti” nuk janë aspak “komunisti”, “partizania”, “partizani”, “njëri nga njësiti gueril” dhe “tjetri nga njësiti gueril” (kështu emërtohen nga autori personazhet pozitive të dramës, që zënë një vend krejt të vogël – nja 10 faqe në 75 faqet e dramës), por hero është “kuislingu i parë”, të cilit i bëhet gjyqi, porse në gjyq qëndron plot dinjitet, mbron “pikëpamjet” e tij dhe, bile, i insulton njerëzit tanë.

“Unë njoh vetëm një gjyq, - deklaron ai, - atë përpara historisë”, “varet kë quani tradhti ju”, “bëni ç’të doni, unë nuk përgjigjem”. “Ju, - e sulmon kuislingu gjyqin revolucionar partizan, - shikoni vetëm bardhë e zi. Logjikë fëmijësh”. Armiqtë në dramë i preokupon problemi i “neutralitetit relativ”, ata i mundon Nata e Shën Bartolomeut dhe Neroni. Ata kanë drama të mëdha shpirtërore, dëgjojnë qeshje imagjinare dhe luten me kryq në dorë, siç bën “kuislingu i dytë”. Kurse komunistët paraqiten pa kurrfarë bote shpirtërore dhe njerëzit nga populli “kalojnë si hije prapa një perdeje të bardhë si ekran”, të shtyrë  nga esesët.

Synimi i F. Paçramit për të dalë, gjoja, forca jonë përmes zhbirimit në psikologjinë e armiqve, duke u shpënë deri në përfundimin e vet logjik përbën një largim nga detyra themelore e metodës së realizmit socialist. Përveç kësaj, duke mos pas në dramë asnjë personazh të vërtetë e kurrfarë subjekti, është e qartë se në të s’ka se si të ketë edhe konflikt të vërtetë dramatik. Personazhet pa emër të dramës “4 Shkurti” futen në skenë si marioneta me vullnetin e autorit dhe autori kryesisht synon në anët formale të dramës, duke i bërë personazhet herë të flasin veç e veç, herë të lidhen e herë jo në mes tyre dhe, s’kuptohet pse, disa herë të flasin bile sikur recitojnë (novatorizëm i madh ky!).

Në vartësi të pikënisjes nga idetë, personazhet e dramave të F. Paçramit në të shumtën e rasteve janë me të vërtetë si kukulla në duart e autorit. Ata veprojnë pa motivime të brendshme psikologjike e pa motivime shoqërore. Për shembull, autori, që në dramën “Shtëpia në bulevard” (1963) vepron edhe si personazh në skenë (një personazh i mërzitshëm deri në bezdi), qëndron jashtë ngjarjeve dhe ndikon mbi to arbitrarisht. Por e keqja më e madhe është se në dramat e F. Paçramit, edhe kur autori nuk është personazh, kemi të bëjmë me një arbitraritet artistik mjaft herë irritues për spektatorin.

Në dramën “Lagjja e varfër” (1969) autori monton vrasjen e një kapteri fashist për t’i detyruar punëtorët të kalojnë në anën e luftës nacional-çlirimtare, kurse është e qartë se këtë kalim ata duhej ta bënin jo sepse i zuri bulluri, por si rezultat i forcës së shembullit të heroinës komuniste, që ka ardhur befas e plagosur rëndë në banesën e tyre. Kthesa e pesë punëtorëve nga njerëz pa ndërgjegje politike (ata komunisten besa, këtë mysafire të padëshiruar për ta, në fillim ishin gati t’ua dorëzonin karabinierëve dhe, më vonë, për shkak të strehimit të saj, midis punëtorëve plasi grindje; atyre u mungojnë, bile, edhe vetitë më elementare të mikpritjes shqiptare apo të besës dhe të solidaritetit kur vjen puna kundër armiqve, që na kanë pushtuar, atyre u mungon, pra, jo vetëm ndërgjegjja klasore, por edhe patriotike), kthesa e tyre, pra, në një grup luftëtarësh aktivë bëhet në dramë në sajë të një vargu rastësish brenda një jave mrekullish, mbasi e gjithë kjo surprizë aventureske zhvillohet brenda ditëve të një jave.

Kthesa bëhet vetëm për vullnet të autorit, sepse të pesë punëtorët e dramës, edhe pas vrasjes së kapterit nga halli, akoma vazhdojnë të ankohen se për sherrin e Besës u arrestuan gjithë ata njerëz, për shkak të saj u vra kapteri, për shkak të saj do ta pësojnë edhe ata të gjithë një ditë. Dhe duhet shtuar me këtë rast se Besa jo vetëm nuk u fiton zemrat me shembullin e saj si komuniste e vërtetë, por vepron me një pafytyrësi revoltuese, duke deklaruar se nuk shkoj, edhe pse ata i kanë kërkuar që ajo të largohet.

Në dramën tjetër “Nuk kam mall për vjetërsirat” (1972), gjithashtu, vetëm për vullnet të autorit mësuesi përparimtar i fshatit, Fatosi, për çudi e jashtë çdo logjike të brendshme të personazhit, pa kurrfarë motivimi na del më vonë ngurrues, pengues dhe i prapambetur, thua se ky është një ligj i plakjes së brezit, që nga i ri bëhet i vjetër, kurse e re mbetet vetëm ajo që është biologjikisht e re.

Personazheve të këtij lloji u mungon bota e pasur psikologjike dhe emocionale, ato nuk mund të quhen karaktere, kurse pa karaktere tipike në rrethana tipike në letërsi nuk mund të flasim për realizëm. Mjaft herë në këto drama situatat janë të imponuara artificialisht dhe nuk vijnë si rrjedhime logjike të veprimit të karaktereve.
Krahas prirjes së përmendur më lart për të vënë në qendër të vëmendjes armiqtë (dramat “20 ditë”, “Viti ‘61” dhe “4 Shkurti”), për të paraqitur dramat e përfaqësuesve të klasës sunduese apo të njerëzve të lidhur me këto klasa (dramat “Në tufan” dhe “Mbi gërmadha”), për të nxjerrë idetë tona kryesisht përmes shembullit negativ (dramat “Shtëpia në bulevard”, “E bardha dhe e zeza”, “Ngjarje në fabrikë”), duhet të shtojmë edhe faktin se në dramat e F. Paçramit kemi një synim të ndërgjegjshëm për të vënë shpesh e më shpesh në qendër të vëmendjes përfaqësuesit e inteligjencies teknike.

Inxhinier është Shpendi, heroi i dramës “Mbi gërmadha” (1961), inxhinier është Bashkimi, heroi i dramës “E bardha dhe e zeza” (1964), inxhinier është Besniku, që kryen aktin heroik në dramën “Shtëpia në bulevard” (1963), teknik-gjeolog është Gëzimi, heroi i “Rrugëve të pashkelura” (1965), inxhinierë janë Jashari dhe Loni në “Ngjarje në fabrikë” (1967), inxhinier është Petriti i dramës “Viti ’61” (1972), për të përfunduar tek inxhinier Saimiri i dramës “Çështja e inxhinier Saimirit” (1971), të cilin autori e përkëdhel dhe e simpatizon në mënyrë të posaçme si kampion të së resë, i cili, me megalomaninë, apriorizmin, guximin aventurist dhe prepotencën e vet, është një alter ego i vetë autorit. Ky fakt ka të bëjë edhe me mbivlerësimin e revolucionit tekniko-shkencor, që shikohet kryesisht jo si vepër e masave, por e mendjeve të ndritura, e kokave të mëdha, për të cilat F. Paçramit i pëlqente të filozofonte, ky fakt ka të bëjë me kultin e intelektualit, me shoqërinë të drejtuar nga intelektualët.

Roli i punëtorëve, përderisa ata paraqiten ose pa ndërgjegje politike (si në “Lagjen e varfër”), ose si një grumbull amorf figurash të paindividualizuara (si në dramat “Ngjarje në fabrikë”, “Lagjja e varfër”, “Viti ‘61”) mbetet te deklaratat e autorit, që nuk bindin dot njeri, përderisa kemi të bëjmë me deklarata dhe jo me figura artistike. Kjo gjë (është fjala për mbivlerësimin e revolucionit tekniko-shkencor) u bën jehonë edhe vetë teorive bashkëkohore reaksionare mbi zëvendësimin e luftës së klasave, e revolucionit, pikërisht me revolucionin tekniko-shkencor, që na i zgjidhka fare mirë të gjitha problemet e shoqërisë së sotme.

     Jehona, që u përmend më lart, në mënyrë më të dukshme mund të konstatohet në dramën “Ngjarje në fabrikë”. “Unë pata shkruar një artikull për këtë ndërmarrje. Cilat ishin shkaqet e prapambetjes së saj? Çfarë e mbante në vend atë? Përse nuk shkëputej nga format artizanale dhe nga se pengohej progresi teknik? Ishte e qartë. Diçka dhe dikush pengonte”. Kështu nis drama. Këto fjalë janë të një gazetari, që trupëzon kuintesencën e idesë dhe thelbin ideologjik të veprës. Rezulton se progresin teknik në dramë e pengonin intrigat e shefit të repartit Jashar Drizës, prandaj edhe drama merret me demaskimin moral e ideologjik të Jasharit. Pozita nga luftohet fenomeni i Jashar Drizës vlen të diskutohet, por më parë është e nevojshme të nënvizojmë disa fjalë të tjera të gazetarit dhe pikërisht fjalët e fundit të dramës: “Këta njerëz me thirrjen e partisë u ngritën në luftë, në luftën për revolucionarizim.

Ata nuk i dal më asgjë. Ja kështu në kudhrën e revolucionit kaliten ata. Në këtë kudhër dërrmohet çdo gjë e huaj. Sepse kjo është një kudhër e atillë që o të shëron, o të pëlcet...” (për Jasharin kjo kudhër qe plasje, sepse ai u shporr si armik nga kolektivi). Dhe, po të mbahemi me mendimin e autorit dhënë nëpërmjet gazetarit si altoparlant i tij ideor, në replikat e para të tij sapo nis drama dhe në ecurinë e saj, ajo që plasi pas 6 shkurtit reduktohet te pastrimi i rrugës për kapërcimin e formave artizanale të prodhimit dhe për t’i hapur rrugën progresit teknik. Thelbi i fjalimit të njohur programatik të shokut Enver përfundon në problemet e revolucionit tekniko-shkencor dhe jo në problemet ideologjike e klasore të thellimit të mëtejshëm të revolucionarizimit të jetës sonë në të gjitha fushat e kryesisht në ndërgjegjen e njerëzve, në botëkuptimin e tyre.

Nuk mund të thuhet se drama e ka konfonduar plotësisht revolucionin tekniko-shkencor me revolucionin ideologjik dhe luftën e klasave, duke vënë si faktor lëvizës të shoqërisë revolucionin tekniko-shkencor, por shenjat e këtij konfondimi ne do t’i ndeshim aty nga mesi i mbledhje në debatet midis Jasharit dhe Landës, drejtoreshës, mbi problemet e rikonstruksionit të fabrikës. Aq më tepër këtë mendim na e përforcon tabani nga ku zë fill konflikti dramatik (dihet se Jashari ka vjedhur, sipas inxhinier Lonit, projektin e rikonstruksionit të uzinës të punuar nga inxhinier Iliri, dhe e ka bërë këtë për interesa utilitare dhe për lavdi personale).

Mendimi, pra, se uzina do të shkojë përpara vetëm si të zbatohet ky plan-projekt dhe se shkaku kryesor i vajtjes së punëve keq e mos më keq ishte moszbatimi me kohë i projektit të rikonstruksionit të uzinës, të cilin Jashari e kish përvetësuar, dëshmojnë se autori i dramës “Ngjarje në fabrikë” nuk ka vënë theksin e drejtë se cili është faktori kryesor lëvizës i progresit – revolucioni tekniko-shkencor apo lufta për fitimin e plotë të njeriut në kuptimin e brumosjes së tij të përgjithshme politike, ideologjike, kulturore etj.

Në dramat e F. Paçramit është e qartë edhe prirja, gjoja në emër të paraqitjes së karaktereve të mëdha dhe të konflikteve të mprehta, nga njëra anë, për hamletizma e udhëkryqe të pamotivuara si ai “i pakuptuari i madh” Bashkimi i dramës “E bardha dhe e zeza”, që ka më tepër një protestë ndaj shoqërisë se sa ndaj vetvetes dhe ndaj meskinitetit mikroborgjez në të cilin ka rënë, kur thotë: “M’i hodhën poshtë të gjitha, nuk më kuptuan...” apo si inxhinieri sovjetik Sergei në dramën “Viti ‘61”, që në dramë mund të qëndronte si diçka periferike, por jo si preokupim qendror për të treguar se në radhët e sovjetikëve paska pas edhe njerëz të ndershëm, që pothuajse nuk e aprovuan kursin e udhëheqësve të tyre revizionistë.
Shtojmë këtu, në lidhje me dramën “Viti ‘61”, se në këtë vepër flitet për tradhti, për revolucion, po arsyet e vërteta ideologjike të prishjes me Bashkimin Sovjetik nuk dalin.

Kryesisht bëhet fjalë që ata na sabotuan në planin ekonomik se fshehën skicat e kërkimeve gjeologjike. Gjithë pjesët e dramës, që bëjnë fjalë për vitin 1961, sillen e stërsillen rreth këtij problemi. Bile edhe demaskimi i revizionistëve, një vit më vonë, në një konferencë shkencore ndërkombëtare, kësaj i shërben. Ta shtrosh punën kështu, do të thotë ta minimizosh dhe ta zhvleftësosh polemikën parimore që bëri partia jonë kundër revizionizmit hrushovian. Shënojmë se në dramë kjo luftë kundër revizionizmit bëhet nga inxhinier Petriti, një përfaqësues i inteligjencies.

Kjo s’do të kishte asgjë të keqe, por, përderisa në dramë janë futur edhe punëtorët, ata nuk duhej të liheshin në rolin e disa figurantëve që thonë nga një batutë dhe zhduken. Këtu kemi të bëjmë me një injorim të rolit që luajti klasa punëtore në luftën kundër presioneve, sabotimeve dhe bllokadës revizioniste ndaj vendit tonë.
Shënojmë veçan edhe se problemi i theksuar në dramë se kjo prishje me Bashkimin Sovjetik na kushtoi edhe tronditje familjare në shoqërinë tonë, është i tepërt dhe një artifis, i cili, në vend që ta evidentojë më mirë seriozitetin e momentit, bën të kundërtën, e ul dramën deri në një dramë familjare.

Në dramën “Viti ‘61” ka edhe mendime të pasakta, që e dëmtojnë tingëllimin ideor të veprës. Akuza që na bënë revizionistët dhe armiqtë e tjerë nuk është se jemi “sherrxhinj”, siç thotë Petriti, por një akuzë politike se u shitëm për 30 aspra. Nuk është fare me vend që në gojën e një punëtori vihet fraza “gjithnjë kështu ndodh me ne”, kurse një punëtor tjetër thotë: “Ç’fat edhe ky yni ... Sa fillojmë të marrim veten, do të ndodhë diçka”. Në këto fjalë ka një lloj fatalizmi.

Nga ana tjetër, në dramat e F. Paçramit është e qartë prirja për heronj novatorë të shquar e guximtarë, që janë qendra e botës, që ecin në rrugë të pashkelura, por që në të vërtetë janë të veçuar dhe kanë një pozitë individualiste (si “gjeniu i persekutuar” Saimiri në dramën “Çështja e inxhinier Saimirit”), sepse, siç është vënë në dukje në kritikën tonë, këta heronj i zgjidhin vetë hallet e tyre, luftojnë vetë dhe vetë e çajnë rrugën, pa ndihmën e shoqërisë, duke mos pasur parasysh se veprimet e njerëzve kanë karakter shoqëror, gjersa kryhen në dobi ose në dëm të shoqërisë dhe prandaj ajo nuk është dhe nuk mund të jetë indiferente kundrejt tyre.
Duke mos u ndalur, - sepse nuk ishte kjo detyra e këtyre shënimeve, - në anët pozitive të dramave të F. Paçramit, i përfundojmë shënimet duke nënvizuar se vlerat ideore e, aq më tepër, artistike të  këtyre dramave, kanë qenë fryrë në të kaluarën artificialisht.

Ne u morëm, në radhë të parë, me pikëpamjet e F. Paçramit, të shprehura prej tij drejtpërsëdrejti ose përmes dramave, që ai i kishte si tribuna të ideve të veta, sepse këto kanë në rastin tonë rëndësinë kryesore. Vlerat artistike të dramave të tij janë, ç’është e vërteta, mjaft modeste dhe u takojnë në një masë të konsiderueshme edhe gjithë atyre krijuesve, si shkrimtarë, aktorë, regjisorë e deri korrektorë letrarë, që kanë qenë të mobilizuar për t’i përmirësuar patjetër këto krijime në përgjithësi cerebrale.

Nënvizojmë, së fundi, se eksperienca e hidhur e tolerimit të subjektivizmit, apriorizmit, arrogancës, shtrembërimeve, presioneve e ndërhyrjeve të padrejta të F. Paçramit, që edhe njerëzit shpesh i vlerësonte sipas qëndrimit që ata mbanin ndaj dramave të tij, mbyllja mjaft herë e syve para lajthitjeve të tij ideoartistike e para synimeve të tij të rrezikshme, na bën të nxjerrim konkluzionin se duhen shtuar seriozisht përpjekjet e gjithë ne shkrimtarëve dhe artistëve për t’u mbështetur gjithnjë, në mënyrë parimore e të patundur, në mësimet marksiste-leniniste të Partisë, të mësuesit tonë shokut Enver Hoxha, për t”u thelluar në njohjen e jetës, duke jetuar gju më gju me popullin e duke qëndruar fort me të dy këmbët në truallin amtar, për të forcuar kolegjialitetin dhe unitetin në bazë të parimeve të Partisë, për të mos braktisur për asnjë çast vigjilencën e lartë revolucionare kundrejt çdo ndikimi të huaj, liberal apo konservator qoftë ai.
 
 LLAZAR SILIQI
Tiranë, 31 maj 1973


Shkrimi u publikua sot (21.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Listat e deputetëve të hapura në 2/3 dhe jo plotësisht, jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

AMA: Pirateria sfidë serioze, bëhet në servera jashtë vendit! I kemi kërkuar AKEP mbylljen 128 faqeve online

AMA: Pirateria sfidë serioze, bëhet në servera jashtë vendit! I kemi kërkuar AKEP mbylljen 128 faqeve online