Hetimet për librin e Hashim Thaçit, 65 mijë dollarë vetëm për parathënien (Dokumenti)

Hetimet për librin e Hashim Thaçit, 65 mijë dollarë vetëm për parathënien (Dokumenti)

Libri i Thacit

Të paktën 65 mijë dollarë amerikanë janë dokumentuar se janë dhënë për librin biografik “Neë State, Modern Stateman” të Presidentit Hashim Thaçi. Kjo është njëra prej gjetjeve të shumta në raportin e Komisionit Hetimor për Shpenzimet e Lobimit, i cili është përfunduar dhe javën e ardhshme shkon në Parlament.

Gazeta Express ka siguruar një pjesë të raportit, i cili argumenton se Shteti i Kosovës ka dhënë para për librin personal të Presidentit.

Sipas këtij dokumenti bëhet e ditur se 65 mijë dollarë janë paguar vetëm për fjalën hyrëse të librit të Thaçit.

 “Senatori Dole” ka redaktuar dhe reviduar fjalën e tij hyrëse në librin e ardhshëm të Presidentit Thaçi”, thuhet në një pjesë të dokumenit të komisionit hetimor në lidhje me shpenzimet për lobim nga ana e Presidencës dhe Qeverisë, siguruar nga një deputet i koalicionit qeverisës.

Më 18 korrik të vitit 2017, kompania “Alston and Bird” kishte dërguar në MPJ faturën e titulluar “Strategic Advice and Counsel” që ngarkonte Kosovën me pagesë prej 65 mijë dollarëve.

Ndërkohë, muaj më parë Express pati raportuar edhe si avokati britanik Geoffrey Nice i kërkonte paratë për asistimin që kishte bërë në librin e Hashim Thaçit.

Presidenti Thaçi, vazhdimisht ka mohuar se për librin e tij u dhanë para të shtetit.

Komisioni Hetimor për Shpenzime të Lobimit deri tash e ka ftuar presidentin Thaçi gjashtë herë për të raportuar, por ky i fundit i ka injoruar të gjitha ftesat.

Javë më parë, pas një mbledhjeje të këtij emisioni, kryetari Dardan Sejdiu tregoi se presidenti Thaci nuk është përgjigjur, ndërsa para komisionit kanë raportuar njerëz të afërt me të.

Ndër personat që janë intervistuar deri më tani nga komisioni janë ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Citaku, ish-zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, Ardian Arifaj, këshilltar i Presidentin Thai.

Po ashtu komisioni ka kontaktuar edhe avokatin britanik Nice, i cili me disa letra që i ka dërguar qeverisë së tanishme, ka shpjeguar se si atij dhe koleges së tij, Nevonka Tromp, Thaci i kishte mbetur borxh rreth gjysmë milion euro.

Në librin e Thaçit, Nice thotë të ketë ‘kontribuuar’ duke i ndihmuar autores, Suzi Jagger, që të shkruaj për pjesën ku flitet për akuzat ndaj Thaçit se ka trafikuar organe gjatë luftës së vitit 1999. Kjo sipas avokatit ka qenë dakordim mes tij dhe ish-qeverisë e tani kërkon që të paguhet.

Hetimet

Dje, Komisioni Hetimor Parlamentar në Kosovë ka miratuar Draft-Raporti lidhur me shpenzimet për lobim nga ana e Presidencës dhe e Qeverisë. Anëtarja e këtij Komisioni Arbërie Nagavci ka thënë që prokuroria duhet të nis hetimet ndaj Thacit për përdorim të paligjshëm të fondeve për lobim.

“Prokuroria të nis hetimet lidhur me përdorimin e paligjshëm të fondeve për lobim nga Hashim Thaçi. Sot mbajtëm mbledhjen e fundit të Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me shpenzimet për lobim nga ana e Presidencës dhe Qeverisë të Republikës së Kosovës dhe votuam edhe Draft Raportin”, ka shkruar Nagavci në një postim në “Facebook”.

Ajo ka shkruar që MPJ dhe Presidenca kanë tentuar ta pengojnë punën e komisionit hetimor parlamentar duke mos ofruar raportet e punës.

“Gjatë 6 muajve të punës, pati përpjekje të qartë nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Presidenca për të penguar hetimin parlamentar. Ata nuk ofruan materialet e kërkuara nga komisioni hetimor, si kontrata apo raporte të punës dhe nuk u paraqitën në seancat intervistuese. Megjithatë nga shqyrtimi i të dhënave që kemi siguruar, ka bazë të mjaftueshme për shkeljet e bëra, për keqpërdorim të buxhetit të vendit, andaj dhe për hetime nga ana e Prokurorisë së shtetit”, ka shkruar me tej ajo.

Sipas saj në dëshminë e dhënë nga këshilltari i Thaçit Ardian Arifaj ka pasur kundërshti.

“Hashim Thaçi ish-Ministër dhe tash President, përkundër ftesave nga komisioni hetues, nuk dha asnjë përgjigje, njëjtë edhe ministri aktual i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli.

Por Këshilltari i Presidentit, Ardian Arifaj gjatë dëshmisë ka dhënë dy deklarata kontradiktore dhe është evidente në kuptimin e dëshmive se mjetet nga buxheti i vendit, gjegjësisht nga fondet e destinuara për lobim janë përdorur për promovim personal të Hashim Thaçit, pra për shkruarjen e parathënies së librit për të”, ka shtuar ajo duke thënë që ky raport do të diskutohet edhe në Kuvend.

“Raporti do të diskutohet edhe në Kuvend, por gjithsesi Prokuroria e Republikës së Kosovës ka obligim të hetojë si keqpërdorimet e buxhetit nga ana e Presidentit Thaçi, për promovim personal, ashtu si dhe këshilltarin e tij për deklarata të rrejshme e bashkëpunëtorët tjerë për pengimin e punës së komisionit, keqpërdorimin e detyrës zyrtare dhe veprat tjera penale. Po ashtu ka dyshime të bazuara por që kërkojnë më tej hetim se të njëjtat janë përdorur edhe për shtyrjen përpara të idesë së shkëmbimit të territorit që po e bart Presidenti aktual. Kuvendi do të duhet ta niste po ashtu një komision që e shqyrton këtë temë po ashtu”, përfundon postimi i Nagavcit. Express

Dokumenti per financimin e librit 

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Militantë të Berishës protestojnë kundër Ramës në Londër (VIDEO)

Militantë të Berishës protestojnë kundër Ramës në Londër (VIDEO)