Universiteti “Logos”, është ndër institucionet arsimore të cilat nëpërmjet një karakteri tërësisht të orientuar nga tregu i punës, përgatit student në fusha në të cilat nevoja për punë është edhe më e madhe. Prof. As. Dr. Beatriçe Pollo shpjegon në një intervistë për “Shqiptarja.com” sfidat e këtij universiteti për të qënë konkurrues dhe të suksesshëm në fushat në të cilat operojnë dhe përgatisin studentë.

Profesoresh universiteti juaj ka zgjedhur të jetë i profilizuar, duke i bazuar studimet e ofruara vetëm në degët e ekonomisë, informatikës dhe mjekësisë. Pse kjo zgjedhje?
Asgjë nuk është rastësore. Drejtuesit e këtij universiteti që në momentin që janë bërë pjesë e tregut kanë kërkuar që të përgatisin dhe të nxjerrin të diplomuar studentë që të mos ngelin të papunë. Procesi mësimor është i standarteve europiane dhe mësimi zhvillohet vetëm me kohë të plotë. Pedagogët e zgjedhur prej nesh janë shumë të kualifikuar dhe të pajisur me gradën shkencore “Profesor” apo “Profesor i asociuar”.

Duke qënë se lëndët janë të karakterit shkencor, me çfarë baze materiale dhe laboratorike punojnë studentët tuaj?
Ne kemi në dispozicion të studentëve tre laboratorë informatike. Mbi këtë bazë materiale mësojnë jo vetëm studentët e informatikës, por marrin njohuritë bazë të programeve kompjuterike të gjithë studentët që janë pjesë e universitetit tonë. Ne kemi për qëllim të adoptojmë metoda bashkëkohore të mësimdhënies dhe të të mësuarit që të promovojnë një student interaktiv, duke ç’vendosur fokusin nga pedagogu në qendër, tek studenti në qendër. Gjithashtu në universitetin tonë janë në shërbim të studentëve edhe dy laboratorë të tjerë të degës së mjekësisë. Është një standart që nuk mund ta gjesh në shumë universitete dhe aq më tepër me çmimet konkuruese dhe tepër të arsyeshme qe ne ofrojmë.

Në çfarë gjuhe bëhen studimet dhe çfarë strategjie ka për studentët pasi ata mbarojnë ciklin e studimeve pranë universitetit tuaj?
Mësimi bëhet i gjithi në gjuhën shqipe. Por avantazhi i të gjithë atyre që studiojnë tek ne është që kanë mundësi të zhvillojnë edhe gjuhën greke. Në fakt ne jemi i vetmi institucion në të cilin mund të bëhet mbrojtja e gjuhës greke. Ajo që ne kërkojmë si primare nga studentët tanë është impenjimi dhe serioziteti në studime në mënyrë që të jenë të aftë dhe të gatshëm për t’u përballur me tregun e punës. E vërteta është që nga të dhënat që ne disponojmë, por edhe nga kontaktet që kemi me vetë studentët na rezulton që pas bachelorit një pjesë shumë e madhe e studentëve fillojnë punë, ndërsa studentët që kemi tani në master janë të gjithë në marrëdhënie pune.

(Shkrimi u publikua në gazetën Shqiptarja.com 12 mars 2014)