Studentët e universitetit Utrecht po mësojnë për t'u bërë sipërmarrës të qëndrueshëm me anë të një loje serioze të quajtur Solar Tycoon. Por a janë lojëra të tilla një zëvëndësim i përvojës së vërtetë?

Gjithçka nisi kur profesori i Gjeoshkencës në universitetin Utrecht në Hollandë zbuloi se studentëve të tij u mungonte një hallkë. Ata kishin probleme për lidhjen e teorisë rreth inovacionit dhe tekonologjive të qëndrueshme me situatat e vërteta jetike të tregut. Ata nuk kishin përvojën praktike.

Kjo, pjesërisht, kishte të bënte me numrin e kufizuar të vendeve të eksperiencës së punës që ishin në dispozicion të studentëve.

Pra, thuajse paradoksalisht, fakulteti vendosi të zhvillojë një treg virtual për t´u mësuar studentëve rreth realiteteve për shitjen e tekonologjisë së gjelbër. Në bashkëpunim me një firmë projektimi të quajtur Ëndrrat Dixhitale, ata krijuan lojën serioze, Solar Tycoon.

"Studentët mësojnë të aplikojnë teoritë që marrin në kurse. Ata mësojnë se çfarë do të thotë të jesh një sipërmarrës dhe si ta trajtosh konkurrueshmërinë," thotë Simona Negro, e cila koordinon kurset e Shkollës Verore në Utrecht.

Solar Tycoon zhvillohet në skuadër, ku secila prej tyre luan rolin e një sipërmarrësi të qëndrueshëm. Qëllimi është të shesësh panele diellore dhe skuadra që përballon më së miri ndryshimin e mjedisit dhe çmimet e luhatshme fiton lojën.

Loja kaloi përmes një fazë të sukseshme në fillimin e këtij viti dhe sapo është prezantuar në Shkollën Verore të Utrechtit, ku studentë ndërkombëtarë me prejardhje të ndryshme arsimore përjetojnë të qenit një sipërmarrës në fushën e inovacionit dhe teknologjive të qëndrueshme
Të ardhme të qëndrueshme

Simona Negro drejton klasën "Inovacione për një të ardhme të qëndrueshme". Ajo thotë se është e rëndësishme për studentët që të mësojnë më tepër pjesën praktike të sipërmarrjes të qëndrueshme. "Ata mësojnë se çfarë do të thotë të jesh inovativ dhe si t´a trajtosh inovacionin. Sepse inovacioni është i pasigurt, ka shumë faktorë të jashtëm që ndikojnë dhe nga mjedisi ku veprohet."

Negro thotë se loja është konceptuar realisht – studentët sfidohen nga ndryshime që janë të zakonshme në jetën reale. "Mendo rreth ndryshimeve në rregulloret e qeverisë," thotë Negro. "Subvencionet e reja ose heqjen e subvencioneve – kjo ka vërtet shumë influencë tek sipërmarrësit kur ata nisin një biznes. Ju duhet të jeni shumë elastikë dhe t´u paraprini këtyre ndryshimeve."

Mundësi të reja
Jo çdo student i kursit të Shkollës Verore "Inovacione për një të ardhme të qëndrueshme" dëshiron të bëhet një sipërmarrës. Por pasi luajnë Solar Tycoon, shumë prej tyre kanë një perceptim më të mirë se si teoritë inovative funksionojnë në praktikë.

"Për studentët, është shumë interesante dhe emocionuese që të eksperimentojnë dhe të përballen me ndryshimet. Ne përpiqemi t´ua shpjegojmë atë me teori inovative, por një teori është më tepër një shembull, dhe rruga më e mirë është nëse mund t´a aplikosh atë dhe t´a shohësh në praktikë se si funksionon."

Pradyumn Raju është një student i inxhinierisë nga New Delhi. Raju thotë se është i emocionuar rreth Solar Tycoon edhe pse ai nuk do të bëhet një sipërmarrës pasi të diplomohet. Por ai thotë se kjo lojë e ka njohur me mundësi të reja për të ardhmen.

"Unë vij nga një përvojë inxhinerike, kështuqë nuk mund të ambientohem menjëherë në fushën e energjive të rinovueshme," thotë Raju. "Por unë mund të punoj në aspektet teknike të energjisë së rinovueshme. Kam njohuri praktike rreth llojeve të ndryshme të paneleve diellore. Dhe unë e kam idenë se sa energji diellore duhet të përdoret për këtë energji. Rezultatet e lojës më mësuan shumë gjëra, të cilat mund t´i vë në përdorim kur të kthehem në vendlindje".

Modelet e sipermarrjes
Frank van Rijnsoever është asistent profesor i Studimeve Inovative në universitetin Utrecht. Van Rijnsoever ishte një nga iniciatorët e Solar Tycoon në fakultetin e Gjeoshkencës. Ai thotë se kjo lojë serioze i ka prezantuar studentët me metoda të reja dhe praktike të të mësuarit.

"Shumica e mësimdhënies në ditët e sotme fokusohet në rastet studimore, ndoshta me intervista në kompani, por shumë rrallë përfshin vënien e studentit në një mjedis sipërmarrjeje," thotë Van Rijnsoever. "Dhe kjo është në vërtetë ajo çka ne duam të nxisim".

Loja serioze është relativisht territor i ri për universitetet. Por Van Rijnsoever beson se është një hap i logjikshëm në zhvillimin e mjeteve të reja të mësimit dhe për të mësuar më shumë rreth modeleve të sjelles së sipërmarrjes.

"Loja po praktikohet thuajse në shumë mjedise mësimore – për shembull në bazën ushtarake të pilotëve. Ata kanë të gjithë llojet e modeleve. Po nuk është aplikuar ende në sipërmarrje, kështuqë është diçka vërtet e re këtu. Hulumtimet janë gjithashtu risi. Kjo është një përmbledhje e re dhe e këndshme, ku ne parashikojmë sjelljen e sipërmarrësve por gjithashtu shikojmë edhe se si duket tregu.

Lidhja e munguar
Studimi i sjelljes së sipërmarrësve dhe shkenctarëve dhe parashikimi se kur ata janë gati për inovacion, është në qëndër të punës hulumtuese të doktoraturës së Van Rijnsoever. "Mendoj se kjo lojë është lidhja thelbësore mes sjelljes së mikro - sipërmarrësve privatë dhe tregut," thotë Van Rijnsoever. "Për momentin ne nuk e kuptojmë këtë lidhje. Dhe loja është vërtet një mjet i dobishëm për të na ndihmuar. Nuk po them se ajo na jep përgjigjen e saktë, por është një fenomen shumë, shumë interesant për t´u eksploruar.
Por Van Rijnsoever thotë se lojërat e rëndësishme nuk e zëvëndësojnë dot eksperiencën e vërtetë.

"Një stazh pune nuk mund të konkurrohet. Por Solar Tycoon mund të jetë një përgatitje shumë e mirë para stazhit. Studentët e dijnë se ka kufizime, por ata akoma janë të vendosur në një mjedis ku eksperimentojnë për të qenë sipërmarrës," thotë Van Rijnsoever.

Metodat inovative të mësimdhënies
Për universitetin Utrecht, një lojë serioze si Solar Tycoon është gjithashtu një mënyrë e mirë për të promovuar veten si pioner në metodat inovative të mësimdhënies.
"Tashmë universiteti mund t´a thotë se ka diçka që universitetet e tjera në Hollandë nuk e kanë," thotë Van Rijnsoever.
Por për koordinatoren e kurseve të Shkollës Verore Simona Negro, e gjitha ka të bëjë me shtimin e numrit të studentëve që janë të emocionuar rreth teknologjive të qëndrueshme dhe inovative.
"Ne vërtet duam që studentët të mësojnë teoritë por ne gjithashtu duam që ata të kuptojnë se si mund të integrojnë këto teori në studimet e tyre. Nëpërmjet kësaj loje ata argëtohen më tepër me teorinë.“
Marre nga Dwelle/de
(sg/shqiptarja.com)