TIRANE- Milionerët shqiptarë tashmë frekuentojnë vende të ndryshme të Ballkanit apo edhe Europës për të luajtur në lojërat e fatit.

Kështu vende të tilla të preferuara janë Greqia, Italia, Mali i Zi, por edhe qyteti Lugano në Zvicër. Ndërkohë të tjerët, ata që jetojnë nën minimumin jetik, marrin pjesë me shpenzime të vogla (made in 2000 lekëshi), me shpresën për të fituar një ditë nga makineritë “Magjike”.

Në një intervistë për “Shqiptarja.com” Luneda Sufali, Drejtoresha e Përgjithshme e Lojërave të Fatit, thotë se përpara aksionit “Fund Marrëzisë”, 80 për qind e industrisë së lojërave të fatit ishte informale, duke kryer evazion fiskal në dëm të shtetit. Evazioni fiskal llogaritet 110 milionë dollarë. Aktualisht me masat e marra, 90 për qind e këtij sektori punon në mënyrë ligjore duke u regjistruar si taksa pagues të rregullt.

Evazioni fiskal
Në këtë industri të lojërave të fatit mund të themi se është kryer një evazion fiskal më përmasa alarmante në dëm të shtetit. Evazioni fiskal ka kapur shifrat e 110 milionë dollarëve. Më së shumti evazioni fiskal është vënë re në kazinotë elektronike, ndërsa pas tyre janë evidentuar për evazion fiskal edhe bastet sportive. Zonat ku është e përqëndruar më së shumti industria e lojërave të fatit është zona Tiranë-Durrës. Por në qoftëse përzgjedhim në këtë zonë ku është ngritur më së shumti industria e lojërave të fatit, në kryeqytet është shfaqur më së shumti evazioni fiskal.

Ndryshimi i Legjislacionit
Drejtoresha e përgjithshme e Njësisë së Mbikqyrjes së Lojërave të Fatit thotë se-“ligji për lojërat e fatit ka shumë boshllëqe, në këtë kuadër duhet të shikohet sistemimi i tregut aktual, dhe në këtë kuadër do të nisë procesi i rishikimit të ligjit me numër 1038, për lojërat e fatit”. Në lidhje me këtë ligj të ri Drejtoresha e Njësisë së Mbikqyrjes së Lojërave të Fatit spjegon se –“ligji i ri për lojërat e fatit do të miratohet nga fillimi i verës, pasi të kemi kryer edhe monitorimin Online, dhe në këtë kuadër po punohet nga Drejtoria e jonë”.

Aktualisht pas aksionit “Fund Marrëzisë” në tregun e lojërave të fatit 90 për qind të tyre janë ligjore dhe taksa pagues të rregullt. Vazhdon puna nga Inspektorët e NJMLF (Njësia e Mbikqyrjes së Lojërave të Fatit), inspektorëve të Tatimeve dhe të krimit ekonomik, duke minimizuar në këtë mënyrë informalitetin. Luneda Sufali thotë se –“Aktualisht në këto momente nuk asnjë pikë të paligjshme, që ushtron aktivitetin në lojërat e fatit”. Sufali shton –“Lojërat e fatit që aktualisht operojnë në treg kanë një leje të ushtrimit të aktivitetit që skadon në vitin 2019. Nga strukturat e Njësisë së Mbikqyrjes së Lojërave të Fatit, po goditen në vazhdimësi rastet e shkeljeve ligjore. Ndërkohë që vazhdon procesi i procedimit për personat e kallëzuar gjatë aksionit “Fund marrëzisë”.

Analiza vjetore për vitin 2013
Pas analizës vjetore për vitin 2013, rezulton se në treg operonin 30 subjekte të klasifikuara si kazino elektronike, ndërsa sot janë vetëm 11 prej tyre. Këto subjekte i japin të drejtën me anën e NIPT-it sekondar subjekteve të tjera për të ushtruar aktivitetin në lojërat e fatit. “Është për tu përmendur fakti se 19 subjekte u mbyllën për efekt të shkeljeve të rënda ligjore si dhe mjaft problemeve që kanë patur me Institucionin e Tatimeve”.  

Sot në Shqipëri janë 5 subjekte, që operojnë në fushën e basteve sportive. 5 subjekte të tjera Bingo, llotari kombëtare 1 subjekt dhe 1 kazino kombëtare. Sipas Drejtoreshës së Njësisë së Mbikqyrjes së Lojërave të Fatit-“Nga muaji Tetor 2013 e deri më tani janë hequr 5 licensa të lojrave elektronike si dhe jemi në shqyrtim të dokumentacioneve të tjera subjekte. Po ashtu në të njëjtën periudhë nuk kemi dhënë asnjë leje për ushtrim aktiviteti për lojra fati.

“Këtu përfshihet i gjithë territori i vendit”-thotë Luneda Sufali. Gjithashtu 41 subjekte rezultojnë ende debitorë dhe po merren masa që këta subjekte të shlyejnë detyrimet financiare. Po ashtu në këtë kuadër janë bërë edhe 21 bllokime të llogarive bankare, për subjektet debitore si dhe janë pezulluar për një afat 30 ditor 4 subjekte. Gjithashtu po punohet nga Drejtoria e Njësisë së Mbikqyrjes së Lojërave të Fatit edhe për krijimin e data-base për të gjithë subjektet element i cili ka munguar më parë.

Objektivat për vitin 2014
Në të ardhmen pritet që pikat e lojërave të fatit të pakësohen në numër, dhe kjo do të sjellë rritjen e standarteve në shërbimin e tyre e gjitha kjo në përputhje edhe me standartet ndërkombëtare dhe sidomos atyre europiane. Këtu mund të përmdenim edhe legjislacionin e disa shteteve të cilat citojnë se : Duhet të funksionojë një pikë loje fati , për çdo 5 mijë banorë, në vende të tjera të europës lojrat e fatit ndërtohen jashtë zonave të banuara apo një tjetër legjislacion europian dhe botërore i cili thotë se lojrat e fatit duhet të ndërtohen në zona turistike. “Në këtë kuadër”- thotë Luneda Sufali-“Shqipëria do të miratojë një ligj të ri i cili do të jetë një e mesme midis ligjeve më të mira europiane dhe nuk do të ketë një ndarje radikale”.


Shkrimi u publikua sot (30.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)