Lojërat e Vuçiçit: As në Lindje, as në Perëndim

Lojërat e Vuçiçit: As në Lindje, as në Perëndim

Pranverë diplomatike e stuhishme në Serbi: Vizita e presidentit kinez, lufta kundër rezolutës për Srebrenicën në Kombet e Bashkuara, vizita e Olena Zelenski dhe ministrit të Jashtëm të Ukrainës, fushata kundër Kosovës në Këshillin e Evropës, fjalimi i Vuçiçit në Rusi...

Ngjarjet e rëndësishme të politikës së jashtme janë rreshtuar. Disa do të thoshin, plot mospërputhje dhe çorientim i politikës së jashtme serbe, të cilën disa analistë e cilësojnë si "skizofrenike".

Deklarativisht ende në rrugën evropiane, Serbia ose, më saktë, presidenti i saj Aleksandar Vuçiç, po përpiqet të gjejë aleatë nga të gjitha anët. Për vëzhguesit nga jashtë duket kjo si një ylber i politikës së jashtme, ku nuk mund të gjesh ndonjë sistem.

Propaganda e promovimit të regjimit

Dushko Lopandiq, kryetar i Forumit për Marrëdhënie Ndërkombëtare, thekson për DW, se politika e jashtme serbe "ka shumë ngjashmëri” me politikën e brendshme. Ashtu sikur Partia Përparimtare Serbe që është një parti e ashtuquajtur "catch-all” – si një parti që kërkon votat nga të gjithë – edhe politika e jashtme dhe diplomacia janë shtrirë në të gjitha drejtimet, beson Lopandiq.

“Kjo diplomaci e gjerë përdoret në radhë të parë për të promovuar regjimin dhe për propagandë të brendshme. Ne kemi një politikë të jashtme shumë të pasuksesshme, sa i përket integrimit evropian dhe bashkëpunimit rajonal. Regjimi po zbaton një lloj politike të jashtme propagandistike”, vlerëson bashkëbiseduesi ynë.

Mirëpo, bashkëbiseduesi ynë i dytë mendon se në këtë politikë ka një sistem. "Fokusi tani është në dy boshte - me Amerikën dhe me Kinën”, thotë Igor Novakoviq nga Qendra për Çështje Ndërkombëtare dhe Siguri.

"Bashkimi Evropian është në vendin e tretë, ndërsa Rusia në vendin e katërt. Tani të gjitha letrat janë vendosur në njëfarë real-politikë, e cila bazohet në një lloj marrëdhënieje të caktuar transaksioni, që synon të mbajë në pushtet elitën ekzistuese. Meqenëse ata kontrollojnë të gjitha proceset në vend, ata mund të udhëheqin një politikë të jashtme të tillë të plotë”, beson Novakoviq.

Dushko Lopandiq, nga ana tjetër, flet për improvizime – për vizitën e rëndësishme të presidentit kinez Xi, e cila nuk është në pozita të barabarta, si dhe për vizitën e delegacionit ukrainas, e cila "në radhë të parë ka të bëjë me marrëdhëniet me Amerikën”.

"Një ditë kritikohet BE-ja, ndërsa të nesërmen thuhet se jemi në rrugën evropiane. Është një lloj loje që ngre pyetjen e çmimit të një politike të tillë, e ky çmim nuk është i vogël”, paralajmëron Lopandiq.

Serbia dhe Ukraina - raportet ilegale

Vizita në Serbi e bashkëshortes së presidentit ukrainas, Olena Zelenski dhe ministrit të Jashtëm, Dmitry Kuleba, është interesante për faktin se mediat e regjimit mezi raportuan për këtë vizitë.

Igor Novakoviq vëren se "qeveria kontrollon në mënyrë të barabartë narrativën pro-ruse dhe pro-perëndimore në media. Kjo zvogëlon rëndësinë e Perëndimit dhe BE-së nga njëra anë, ndërsa nga ana tjetër parandalon disa manipulime më të thella nga pala ruse”.

Regjimi serb ka zhvilluar një fushatë antiperëndimore për një kohë të gjatë. Njëjohësisht ka bërë në masë të vogël një fushatë pro-ruse, thotë Dushko Lopandiq.

"Është vërtet interesante që kjo vizitë u regjistrua shumë pak, si shumë modeste, sepse aty nuk ishte vetëm gruaja e presidentit ukrainas, por edhe ministri i Jashtëm. Kjo është bërë edhe për faktin se opinioni publik ka një qëndrim kryesisht pro-rus. Në këtë kuptim, pranimi i krerëve të Ukrainës sigurisht që nuk është i popullarizuar për momentin”, thotë Lopandiq.

Mbështetja e Dodikut

Ditët në vijim sigurisht që do të shënohen me miratimin e paralajmëruar të Rezolutës për Srebrenicën në Kombet e Bashkuara. Igor Novakoviq e vlerëson luftën e autoriteteve në Beograd kundër kësaj Rezolute si mbështetje për Milorad Dodikun.

"Paradoksalisht, kjo histori erdhi në momentin e duhur për Vuçiçin dhe Dodikun, të cilët kanë shumë probleme të brendshme. Kjo temë tani mund të përdoret për të mobilizuar njerëzit”, vlerëson Novakoviq.

Në këtë kontekst, liderët politikë të Serbisë dhe Republikës Srpska shpallin mbajtjen e një lloj "Sabori" të madh më 8 qershor në Beograd. Ai do të ndjekë seancën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së të enjten (23 maj), ku do të diskutohet Rezoluta për Srebrenicën, si dhe zgjedhjet lokale në Serbi (2 qershor).

Dushko Lopandiq e sheh këtë "Sabor" të përbashkët si pjesë të një "fushate populiste-nacionaliste". "Është pjesë e ideologjisë së regjimit në pushtet, e cila buron nga rrënjët e tij radikale. Zhurma që bëhet për këtë Rezolutë lidhet me vetë rrënjët e Vuçiçit, sepse kujtojmë se Vuççi ka ngjitur dikur postera me emrin e Ratko Mlladiqit mbi emrin e Bulevardit Zoran Gjingjiq”, kujton Lopandiq.

Autogoli i Kosovës

Diplomacia serbe bëri përpjekje të mëdha për të penguar edhe hyrjen e Kosovës në Këshillin e Evropës, gjë që për momentin ia doli. Të premten (17 maj) Kosova nuk ishte në rend dite, sepse vendet e Kuintit këmbëngulën për fillimin e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, gjë që Prishtina e refuzon.

Bashkëbiseduesit tanë nuk janë të sigurt se kjo është ndonjë fitore diplomatike e Serbisë, por më tepër flasin për hapat e gabuar që ka bërë Prishtina. "Këtë rezultat e solli mosbashkëpunimi që Kurti po tregon prej vitesh me faktorin ndërkombëtar dhe mohimi prej tij i një pjese të Marrëveshjes së Brukselit”, përfundon Dushko Lopandiq.

Edhe Igor Novakoviq ka mendim të ngjashëm: "Kosova ndoshta do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare dhe çdo lëvizje që sugjeron se Asociacioni mund të jetë diçka më shumë se një organizatë e zakonshme joqeveritare mund të jetë e dëmshme për Kurtin". Në këtë mënyrë, autoritetet e Kosovës po sillen shumë ngjashëm me autoritetet serbe, mjaft transaksionale dhe të palëkundura”./Dw

B.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë