Pas dy ditësh vendoset nën kontroll zjarri në pyjet e Devollit. Forcat e Ushtrisë, emergjencave, punonjësit e Bashkive të Qarkut Korçë, bashkë me banorët e zonës kanë mundur që të lokalizojnë zjarrin e rënë prej dy ditësh në Nikolicë duke e vendosur nën kontroll, por ende nuk e kanë shuar.
Ndërkohë që pasditen e sotme gjatë aksionit për shuarjen e zjarrit janë gjetur dhjetra fishekë luftarakë afër vatrës. Gazetarja e Report Tv Gladiola Hoxha raporton se bazuar te burimet nga forcat që po marrin pjesë në aksion, ka pasur edhe shpërthime fishekësh afër vatrës së zjarrit.
Por Drejtori i Emergjencave Civile Haki Çako i kontaktuar nga Report Tv e ka mohuar një gjë të tillë. Ai u shpreh se zjarri është vendosur nën kontroll, por si pasojë e djegies së trungjeve të pemëve ka pasur rrëshkitje gurësh dhe jo shpërthime municionesh. Fishekët të armëve automatike model 56, që dyshohet se janë municione të '97 kanë shpërthyer si pasojë e nxehtësisë nga zjarri.
Fishekët e gjetur në zonën ku ka rënë zjarri
Edhe pse zjarri është vendosur nën kontroll rreziku mbetet ende pasi vatrat mund të rindizen sërish. Kujtojmë që sipërfaqja e djegur është e konsiderueshme, ku më shumë se 40 ha bimësi e ulët por duke prekur edhe zonën e mbrojtur, janë djegur gjatë dy ditëve në këtë zonë.
Përpos Devollit vatra e zjarrit vijon që të jetë aktive edhe në Bulqizë në malin e Balgjajt, madje është përhapur me shpejtësi e ndihmuar edhe nga era. Institucionet lokale kanë kërkuar ndihmën e ushtrisë për të shuar flakët nga ajri, pasi terreni është shumë i vështirë për të ndërhyrë nga toka.