Lola Gjoka, një monografi për
pianisten e parë shqiptare

Lola Gjoka, një monografi për<br />pianisten e parë shqiptare
Që në fillimet e shekullit të kaluar, kur nis e hedh hapat e parë tradita e muzikës së kultivuar shqiptare, krahas shumë personaliteteve të kohës, veçohet meritueshëm edhe ndihmesa e instrumentistes së parë shqiptare, pianistes Lola Gjoka (Aleksi) “Artiste e Popullit”.

Personaliteti i saj bëhet edhe më i vlerësueshëm jo vetëm si e para instrumentiste profesioniste në historinë e kulturës sonë muzikore kombëtare, por edhe si luftëtarja që mes mjegullnajës së prapambetjes shekullore që mbisundonte në Shqipërinë gjysmëfeudale të fillimshekullit XX, u bë simbol i përparimit dhe i emancipimit për mbarë femrat shqiptare.

Artistja e madhe Lola Gjoka, me talentin e veprimtarinë e saj , frymëzoi e tërhoqi në rrugën e artit muzikor, e veçanërisht të atij pianistik, me dhjetëra të reja e të rinj, duke u bërë udhërrëfyesja e shkollës shqiptare të pianos, së bashku me pianistin Tonin Guraziu “Artist i Popullit”.

Jehona e artit dhe e ndihmesës së saj në shërbim të Atdheut e kulturës kombëtare, si edhe shumë e shumë arsye të tjera, e kanë frymëzuar Prof. Hamide Stringën për të marrë përsipër realizimin e monografisë “Një jetë mbi tastierë”, kushtuar “Artistes së Popullit” Lola Gjoka (Aleksi), vepër që vjen e ribotuar për lexuesin e gjerë si një rivlerësim i merituar katërcipërisht për këtë personalitet të shquar të muzikës sonë.

Monografia “Një jetë mbi tastierë” e Prof. Stringës që vjen e ribotuar nga shtëpia botuese OMSCA-1 me redaktor z. Loredan Bubani, është ndër veprat më të spikatura e më të thelluara të autores.

Duke kaluar nëpër rreshtat e faqet e librit, një lexues i vëmendshëm e kupton lehtësisht se monografia “Një jetë mbi tastierë” kushtuar pianistes Lola Gjoka vjen si një detyrim moral i autores jo vetëm për vlerat që përcjell personaliteti i kësaj artisteje të madhe në kulturën muzikore shqiptare, por edhe si detyrim e mirënjohje e nxënëses ndaj mësueses e edukatores së saj.

Monografia disiplinohet në katër krerë dhe shoqërohet me një hyrje të shkurtër të autores, në të cilën,  përmes një ndjeshmërie të thellë, ajo arrin të artikulojë vertetësisht motivin që e shtyu për realizimin e kësaj vepre.


Që në hyrjen “Dy fjalë nga autorja”, Prof. Stringa arsyeton se motivi e shtytja i erdhi nga emocioni i beftë që i ngjalli shfletimi i shtypit të kohës, dokumentacioni i pasur i arkivit të familjes Gjoka, i TKOB, si edhe kujtimet e vlerësimet e shumta të bashkëkohësve, nxënësve e studentëve të pianistes.

E frymëzuar prej tyre, autorja i hyri vendosmërisht e sigurt punës për realizimin e monografisë kushtuar kësaj pianisteje të shquar, pedagogeje të suksesshme e njeriu të mrekullueshëm.


Monografia e znj. Stringa fiton edhe cilësi të tjera që vijnë përmes ilustrimeve të shumta fotografike, që paraqesin aspekte nga rrugëtimi i pambarim muzikor i artistes së madhe shqiptare, pianistes Lola Gjoka (Aleksi) “Artiste e Popullit”.

“Një jetë mbi tastierë” është monumenti më i bukur që i ngrihet artistes, monument që përfaqëson vlerësimin më të lartë për ndihmesën e saj shumëplanëshe në ecurinë e muzikës sonë kombëtare, e ndërkohë është dhe shprehje e qëndrimit mirënjohës e qytetar ndaj pionierëve të historisë së kulturës sonë muzikore, pjesë e pandashme e së cilës është dhe pianistja Lola Gjoka (Aleksi) ”Artiste e Popullit”, personalitetin e lartë të së cilës e sjell mjeshtërisht Prof.

Hamide Stringa në këtë monografi  Vepra e Stringës i shtohet vargut të botimeve për figura të shquara të kulturës sonë që vitet e fundit janë shumuar admirueshëm. Krahas vlerave njohëse dhe edukative për lexuesin e gjerë e veçmas për artistët, nxënësit, studentët, mësuesit e pedagogët e muzikës, monografia e Prof.

Hamide Stringës “Një jetë mbi tastierë” kushtuar pianistes Lola Gjoka (Aleksi) “Artiste e Popullit” sjell dhe vlera të reja e të rëndësishme në pasurimin e historiografisë muzikore shqiptare.

Me shkurtime nga parathënia e Prof. Asoc. Roland  Çene

Shkrimi u botua sot në suplementin Rilindasi gazeta Shqiptarja.com

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?



×

Lajmi i fundit

Rekomandimet e qeverisë për SPAK dhe Prokurorinë! Manja: Prioritet lufta kundër krimit organizuar dhe korrupsionit, shmangni çdo lloj influence

Rekomandimet e qeverisë për SPAK dhe Prokurorinë! Manja: Prioritet lufta kundër krimit organizuar dhe korrupsionit, shmangni çdo lloj influence