Dita e tretë e Lojërave Olimpike në Londër ka dhuruar shumë emocione. Vëmendja më e madhe ka qënë e përqëndruar në disiplinën e notit, aty ku medaljet e dhëna kanë qënë të shumta.
Në garën e parë 200 metra stil i lirë për meshkuj ka fituar francezi Angel, në vendin e dytë janë renditur kinezi Sun dhe koreani jugor Park duke marrë medaljen e argjendë , pasi koha ishte e barabartë.

Në 100 metra shpinë për femra gara ka qënë shumë e fortë deri në sekondat e fundit, medaljen e artë e ka fituar amerikanja Franklin e ndjekur nga australianja Sebohen dhe japonezja Terkava.

Në 100 metra shpinë për meshkuj kanë dominuar amerikanët, përkatësisht në dy vendet e para janë renditur Greivis dhe Toman, sakaq i treti ka përfunduar japonezi Irie.

Një notare 15 vjecare ka shkruar historinë në garën e 100 metrave bretkosë për femra, pasi ka fituar në mënyrë surprizë. Lituanezja Ruta Mejtuit ka habitur me garën e saj duke lënë pas në vendin e dytë dhe të tretë dy pretendente kryesore për të fituar këtë disiplinë si Rebeka Sonin dhe Suzukin.

Me mjaft të të papritura ka qënë e mbudhur ndeshja e skermës midis olimpistes nga Korea e Jugut, Shin Lam dhe gjermanes Heideman. Një sekondë nga përfundimi i kohës së rregullt, atëherë kur rezultati ishte i barabartë, Heideman e godet saktë duke e penalizuar, por trajneri korean proteston te arbitrat, pasi kronometri nuk kishte filluar dhe sportistja e tij nuk ishte e përgatitur. Pas diskutimit të gjatë arbitrat vendosën për fitoren e gjermanes. Ndërsa Shin Lam ka shpërthyer në lot për shumë minuta. Në këtë disiplinë sportistja ukrainase Shemjakina mori medaljen e artë duke mundur në finale Heideman, në vendin e tretë doli kinezja Sun.
Në peshëngritje në peshën 62 kg për meshkuj ka triumfuar koreani verior Kim un Guk, pas një gare perfekte, podiumi është plotësuar me kolumbianin Moskuera dhe holandezin Eko Yl.
Pas përfundimit të ditës së tretë në Lojërat Olimpike Londër 2012, në vendin e parë ndodhet Kina me 17 medalje, 9 ari, 5, argjendi dhe 3 bronzhi. Në vendin e dytë ndodhen SHBA me 17 medalje, 5 ari, 7 argjendi dhe 5 bronzhi. Në vendin e tretë është pozicionuar Franca me 3 medalje ari, 1 argjendi dhe 3 bronzhi

(d.b/shqiptarja.com)