Futbollisti i kombëtares zvicerane Michel Morganella është përjashtuar zyrtarisht nga Lojërat Olimpike Londër 2012. Shkak i përjashtimit të futbollistit nga Zvicra është bërë një deklaratë e tij në rrjetin social në Twitter. Morganella në një deklaratë të tijë në rrjetin social Twitter ka lëshuar disa deklarata raciste ndaj ekipit të Koresë së Jugut, me të cilin do të ndesheshin në grup.

Kaq ka mjaftuar që Komiteti Olimpik Ndërkombëtar të marrë në konsideratë provën dhe ta gjykojë si të dëmshme për mesazhin që përcjellin Lojërat Olimpike duke e përjashtuar nga pjesëmarrja në Lojërat Olimpike. Zvicra në ndeshjen me Korenë e Jugut humbi me rezultatin 2-1. Përjashtimi i Morganellës  vjen menjëherë pas atletes nga ekipi olimpik grek, Voula Papachristou, e cila u përjashtua me të njëjtin motivacion, pasi publikoi në Twitter mesazhe raciste kundrejt afrikanëve. Komiteti Olimpik Ndërkombëtarë është duke vepruar me dorë të hekurt ndaj rasteve diskriminuese dhe dopingut.