Kryeministri britanik, David Cameron dhe presidenti rus, Vladimir Putin kanë rënë dakord për rifillimin e bisedimeve për paqe për Sirinë, njoftoi sot "Downing Street".
Në kuadër të një telefonate të bërë nga presidenti rus kryeministrit britanik, Cameron për ta përshëndetur për rizgjedhjen e tij, dy drejtuesit ranë dokord që bisedimet për Sirinë duhet të rifillojnë, theksoi një zëdhënës i kryeministrit britanik.
Negociatat e mëparshme për paqe kanë dështuar në zgjidhjen e luftës civile në Siri që ka shkaktuar 220 000 të vdekur në katër vjet.
"Dy drejtuesit theksuan se ishte në interes të Britanisë së Madhe dhe Rusisë për të ndihmuar në gjetjen e një zgjidhjeje për luftën civile në Siri dhe në mënyrë të veçantë për të ndalur rritjen e ISIS-it", shtoi zëdhënësi.
Ata ranë dakord që këshilltarët e tyre për sigurinë duhet të takohen për rifillimin e bisedimeve mbi konfliktin sirian.
Dy drejtuesit diskutuan gjithashtu për Ukrainën, ku luftimet mes forcave qeveritare dhe separatistëve prorusë kanë shkaktuar mijëra të vdekur.
Cameron theksoi se ai dhe Putin do të vazhdonin të kishin mosmarrëveshje të thella përsa i përket konfliktit, për të cilin Rusia përgënjeshtron se mbështet separatistët duke i furnizuar me armë dhe trupa.
Cameron, rizgjedhur në muajin  maj, deklaroi se prioritet ishte respektimi i marrëveshjeve të paqes arritur në muajin shkurt në Minsk./
/atsh/