LONDER- Hetimet ndaj një oficeri anglez që gjobiste një shtëpi publike në Londër, duke u premtuar siguri për 500 paund në javë, nxorrën në dritë një linjë kriminale që merrej me trafikimin e femrave, ku bosët dhe organizatorët ishin shqiptarë. Lajmin e bën të ditur “Daily Mail”, në të cilin theksohet se Kebir Yousaf, 30-vjeçar, oficer i policisë për mbështetjen e komunitetit është akuzuar se ka zhvatur para dhe favore seksuale nga prostitutat. Yousaf u arrestua gjatë një hetimi të gjatë për trafikimin e grave nga Evropa Lindore, të cilat më pas shfrytëzoheshin si punëtore seksi. Punonjësi civil i Scotland Yard, sipas hetuesve të Antikorrupsionit, ka përvetësuar qindra mijëra paund nga shtëpia publike në “Upton Park”, Londrën lindore.

Ai u akuzua për shantazh, përdhunim dhe sjellje të pahijshme për një post publik. Yousaf u mbajt në paraburgim, ndërsa gjykata tha se ai është akuzuar për shantazh ndaj grave në një shtëpi publike në rrugën “Stephen”, afër Upton Park. Sipas akuzës, ai vizitoi biznesin e paligjshëm në shtator dhe ofroi për të mbajtur larg policinë, në këmbim të 500 paundve në javë. Ai u kishte dhënë grave (që besohet se shumica ishin prostituta shqiptare dhe të tjera nga Europa Juglindore), një numër telefoni celulari që përfundonte me 999 dhe u tha atyre që ta thërrisnin atë direkt, nëse kishin ndonjë problem.

Më pas Yousaf e reduktoi pagesën në 500 paund për dy javë. Ai u akuzua se përdhunoi një nga gratë më 22 dhjetor, në vend të pagesës. Policia ishte duke hetuar trafikimin e femrave nga Shqipëria në Londër nga një bandë e krimit të organizuar që vepronte në kryeqytetin e Anglisë. Tashmë është fakt që shqiptarët zënë vendin e parë përsa i përket “dërgesave” të bollshme me mish të bardhë për në Londër e qytete të tjera të Britanisë së Madhe, me xhiro miliarda paund.


Shkrimi u publikua sot (14.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)