LONDËR, 7 janar /ATSH-DPA/ - Shkrimtari i njohur Salman Rushdie deklaroi sot solidaritetin e tij me revistën satirike franceze "Charlie Hebdo" pas sulmit terrorist kundër saj ku humbën jetën 12 persona.
"Jam në anën e 'Charlie Hebdo'-s, ashtu siç të gjithë duhet të jemi, për të mbrojtur artin e satirës, që ka qenë gjithmonë forcë drejt lirisë dhe kundër tiranisë, pandershmërisë dhe budallallëkut", deklaroi shkrimtari i lindur në Bombei në faqen e tij në Facebook.
Në vitin 1989 lideri shpirtëror iranian, ajatollahu Khomeini, nxori një dekret fetar që e shpallte Rushdie mohues të fesë dhe që e dënonte me vdekje për blasfemi kundër islamit në librin e tij "Vargjet Satanike".
Dekreti për dënimin me vdekje të tij qëndroi në fuqi për më tepër se 10 vjet.
"Besimi, një formë mesjetare e mosarsyes, kur kombinohet me armët moderne shndërrohet në një kërcënim real për liritë tona", shkruan Rushdie.
"Ky totalitarizëm fetar ka shkaktuar një mutacion vdekjeprurës në zemrën e Islamit dhe këtë ne e pamë sot në pasojat tragjike të Parisit", shton ai./ a.jor.