Ish-kryeministri laburist, Tony Blair, do të angazhohet sot për herë të parë në fushatën për zgjedhjet legjislative të 7 majit duke kritikuar premtimin e konservatorëve për zhvillimin e një referendumi për anëtarësimin e Britanisë së Madhe në Bashkimin Evropian.
"Besoj shumë se largimi nga Evropa do të dobësonte influencën e Britanisë së Madhe në botë duke shkaktuar dëme në ekonominë tonë (...) dhe do të ishte kundër cilësive dhe ambicieve që na dallojnë gjithmonë si një komb i madh botëror", deklaroi ai që prej ish-bastionit të tij të Sedgefield, sipas pjesëve të një fjalimi të tij.
Ish-kryeministri britanik nga vitit 1997 deri në vitin 2007 e vuri theksin tek rreziku që do të përbënte një "Brexit" për ekonominë britanike.
Për të kënaqur krahun e tij euroskeptik të Partisë Konservatore, kryeministri aktual, David Cameron premtoi se do të organizonte deri në fund të vitit 2017 një referendum për mbajtjen ose jo të vendit në Bashkimin Evropian, nëse fiton zgjedhjet më 7 maj.
"Ishte një kompromis i partisë së tij, një manovër për të marrë votat e partisë eurofobe Ukip, një kompromis për ndjenjën e përhershme antievropiane në një pjesë të medias", theksoi Tony Blair gjatë fjalimit të tij duke shtuar se David Cameron nuk beson vërtet që ne duhet të lëmë Evropën.
Zgjedhjet e 7 majit mendohet të jenë shumë të ngushta pasi sondazhet vazhdojnë të tregojnë se konservatorët dhe laburistët kanë një rezultat shumë të ngushtë./atsh/