Reforma Zgjedhore, pikërisht kur mendohej se ishte përfunduar me një pakt politik, është futur në ujëra të turbullta. Një grup deputetësh nga listat e opozitës, me gjasë të mbështetur dhe nga PS-ja, po kërkojnë ndryshim sistemi dhe bllokim të koalicioneve parazgjedhore. Pse PS-së i intereson gara pa koalicione, dhe çfarë matematike bëjnë PD-LSI për të “mposhtur” Ramën?
Në një vështrim sipërfaqësor është pikërisht kështu. Gjithçka kishte mbaruar. Shampanja, e importit, Made in USA & BE ishte hapur dhe protagonistët e Këshillit Politik e kishin kryer detyrën e tyre. Pjesa që mbetej ishte një akt formal në Parlament. Por në Tiranë, asnjëherë nuk është ashtu siç duket. Dhe shpesh fillon aty ku të gjithë kanë larë duart, të bindur se kanë mbaruar punë. Kësaj here edhe për një arsye pothuaj legjitime: ranë dakord PS, PD e LSI, por votat e nevojshme mbajnë emra të tjerë të përveçëm. Firmosën me të drejtën morale dy partitë reale të opozitës, por opozita formale e Parlamentit ka ende tri ekuacione për të zgjidhur.
E para, hesapi i secilit individ, të cilit duke i dhënë mandatin e deputetit, fati i ka dhënë një dhuratë të pamenduar dhe në shumicën dërrmuese të rasteve të pamerituar. E dyta, llogaria njerëzore e grupimeve brenda Parlamentit, për t’u faktorizuar. Dhe e treta, mundësia e artë për të marrë rëndësinë që të gjitha palët përtej tyre, ua mohojnë, qoftë duke i tallur, qoftë duke mos i marrë seriozisht, qoftë duke i anashkaluar. Ky është dhe një rast tjetër për të kujtuar se çfarë marrëzie ka qenë largimi i Bashës dhe Kryemadhit nga Kuvendi dhe sesa pa vend është “përbuzja e intelektuale” e të ikurve, ndaj atyre që u morën mandatet. Thirrja në apel e këtyre deputetëve, është vetëm një minimum shkaku që duhet llogaritur për të kuptuar se çfarë është duke ndodhur. Rama, si asnjë kryeministër tjetër përpara tij, ka shanse të qarta për të pasur një mandat të tretë dhe për ta nxjerrë partinë e tij si parti të parë në zgjedhjet e vitit tjetër.
Formula që do ta lejonte dhe do ta ndihmonte një gjë të tillë, është gara pa koalicione. Në një garë ku çdo parti do të garonte vetëm, shanset që PS-ja të jetë parti e parë dhe, si rrjedhojë, edhe partia që propozon kryeministrin, janë shumë të mëdha. Në këtë këndvështrim, Rama është i gatshëm të bëjë çdo koncension për të pasur këtë fushë loje përpara. Kjo logjikë shpjegon edhe mesazhin e të enjtes së kryeministrit në Parlament, për mundësinë e një qeverisjeje të përbashkët me Lulzim Bashën. Nuk ishte shkarje goje, nuk ishte as llogari momenti, por një projekt që Rama dhe Basha e kanë menduar bashkë dhe veç e veç, së paku gjashtë vjet më parë. Duke spekuluar pak, një ide që ka nisur ndoshta që në shtatorin e largët të vitit 2014, kur poli i së majtës, PS-ja e LSI-ja, ngjante i pamundshëm.
Bashkëqeverisja mund të kishte ndodhur edhe mbas zgjedhjeve të 2017-s, kur detyra e vetme e Bashës ishte të humbte me dinjitet, për t’ia dhënë pakicën e tij shumicës së Ramës. I ndërdyshur edhe te portat e pushtetit, njëlloj si një burrë që nuk di të zgjedhë mes të dashurës së re dhe gruas së sprovuar, Basha i humbi të dyja në të njëjtën kohë. As në momentin e fundit ai nuk arrinte të ndante se çfarë priste nga zgjedhjet: të ishte kryeministër i shqiptarëve apo të ishte ministër i kryeministrit Rama? Dhe siç ndodh me gjithë të pavendosurit, humbi gjithçka, përveç dyshimit, nëse në në rast të ngjashëm, do të sillej sërish njëlloj apo jo.
Çfarë loje po luhet pas krahëve të opozitës jashtë Kuvendit, a do ta lejojnë ndërkombëtarët një votim të njëanshëm?
Faktori ndërkombëtar vazhdon të ketë një peshë thelbësore në Shqipëri. Kjo peshë ka ardhur në rënie e rrudhje për shumë e shumë arsye, por forca, “këshilla e sugjerimi”, i tyre për rastin konkret, mund të jetë vetëm formal. Sepse ata e gjykojnë Shqipërinë si një rebus, zgjidhja e të cilit varet nga logjika. Nuk është kështu. Ka kaq pak vend për logjikën normale që ata kanë mësuar në manualet e tyre diplomatike apo që kanë në dosjet e tyre në sjelljen e individëve në Kuvend, sa çdo herë ata tani do të duhet të mësohen të pranojnë faktin e madh të kryer nga hilacakë të vegjël. Aktet politike të këtyre individëve, për shembull, që po marrin një rëndësi të posaçme sot, kushtëzohen nga një sërë variablash që ata as nuk arrijnë t’i kuptojnë.
Nuk ka “kompjuter” që do të llogariste e parashikonte humorin dhe shtysat për të votuar kështu apo ashtu të nja dy dyzinave me budallenj të padobishëm që kanë mandat deputeti në sallë. Jo në kuptimin se ata që ikën nga salla kanë qenë në shumicë më të hajrit. As në kuptimin se një tjetër shumicë në anën tjetër të sallës kanë ndonjë kacidhe mend më shumë. Të gjithë së bashku, kjo kategori që nuk do ta gjente as me GPS rrugën drejt Bibliotekës Kombëtare në Tiranë, nuk ka asnjë shans të kuptohet nga të huajt, që e shohin me gaz serioz dhe dëshpërim normal, konfiguracionin e tyre laraman. Por, në fund të fundit, ata janë si supë burgu: ofertë e vetme, merre ose lëre! Ata nuk ndryshojnë edhe për ca kohë. Dhe një pakicë dëshpëruese grash e burrash me mend e dinjitet në Kuvend, që kanë të njëjtin mandat si ata, e bëjnë edhe më të thellë dëshpërimin për përfaqësimin katastrofik që ka Shqipëria në Parlament.
Si mendoni se do të jetë konturimi politik pas zgjedhjeve të 2021-shit. A mund të kemi një ribashkim PS-LSI, në varësi të rezultatit?
Shqipëria është një vend i paparashikueshëm pikërisht sepse mungojnë rregullat e qarta të lojës. Mungojnë edhe lojtarët që lëvizin në fushë sipas interesave dhe jo moralit. Fatkeqësisht, edhe interesat, edhe morali janë shumë të ndryshueshëm. Miqtë shndërrohen në armiq dhe anasjelltas. Në 2017-n, Lulzim Bashës i duhej një përpjekje titanike për të mos u bërë kryeministër. Ishte pothuaj e pamundur që ai të mos e nxirrte Ramën në opozitë dhe të ngjitej në zyrën e tij. Për t’u bërë kryeministër duhej të sillej vetëm minimalisht në mënyrë normale. Që do të thotë, të hynte në zgjedhje si opozitar, të lutej për koalicion me LSI-në dhe të parashkruante publikisht rregullat e qarta të bashkëqeverisjes së nesërme, si tranzicion drejt fundit të tranzicionit.
Nuk e bëri. E pësoi! Damian Gjiknurit duket se i shkau në nervozizëm e sipër goja, kur pranoi se këshilla e vetme që i kishte dhënë kryeministri i tij për reformën zgjedhore, kishte të bënte me Lulzim Bashën. “Gjyko nga pozita e Lulit të nesërm dhe nga paranojat tona të djeshme në opozitë”, citoi Gjiknuri Ramën nga studioja e Java në RTSH, dy javë më parë, ndërsa ai vetë dy ditë më pas, foli sërish për Bashën. Kësaj here për një mundësi bashkëqeverisjeje.
Nuk është e vërtetë që të fortit i ndihmon fati. Të fortët e bëjnë vetë fatin e tyre. Për këtë arsye, si kryetar i një partie të madhe si PD-ja, ai ka sërish fatin përballë: të jetë në qeveri ose me Ramën, ose me Kryemadhin. Ramës i intereson më shumë një herë e parë me Lulin, sesa një rikthim për herë të tretë në rimartesën me LSI-në, sepse lufta brenda llojit është më e egër. Kurse Basha, për paradoks sërish, e ka më të lehtë. Por dilema për të zgjedhur mes Ramës dhe Kryemadhit dhe mungesa e koalicioneve, do ta lërë atë sërish në opozitë. Dhe në atë ditë nuk duhet t’i bëjë hesapet me pushtetin, por me të vetët.
A mund të konsiderohen “të qëllimshme” përplasjet politike që shkëpusin vëmendjen nga programet dhe alternativat që duhet të parashtrojnë subjektet politike në elektorat?
Në 2017-n u krijua situata më absurde e një fushate elektorale. Sidomos në dy javët e para të saj, kush vinte për herë të parë në Tiranë, nuk kuptonte se kush luftonte kë dhe cili kërkonte çfarë. Katër vjet bashkëqeverisjeje të Ramës me Metën u harruan dhe Basha i kërkonte llogari Metës për çfarë kishte ndodhur, duke iu dukur se po qeveriste me Ramën. Publikut iu dha gallatë, por jo analizë. Iu dhanë batuta, por jo prognozë. Iu dhanë doza pafund helmi, por jo receta ilaçesh, iu tregua mozaiku e tepsia, por jo bilanci dhe faturat.
Kurrë ndonjëherë ndonjë qeveri nuk kishte hyrë aq komode në zgjedhje: kishte aleate opozitën tradicionale dhe opozitë bashkëmëkataren e qeverisjes së saj. Shto këtu, edhe paqen sociale të krijuar nga armëpushimi PS-PD dhe, mbi të gjitha, epërsinë individuale të Ramës ndaj rivalëve dhe Metën që kishte hyrë gjithë dyshime e pendesa në kostumin e presidentit, si në këmishën e forcës, atëherë bëhej e qartë se qepallimi Rama – Basha natën e 17 majit, do të vazhdonte, por në një formë tjetër. Ai do të zëvendësohej me një p…llim barbar politik të humbësve. Një shkundje e frikshme, nga i cili as nuk e kanë marrë veten, as nuk e kanë nxjerrë objektin e huaj nga trupi dhe dhe as i kanë nxjerrë mësim pësimit. Intervistoi Fjala.al
E paske bere bashe ziun pelte .nga qepallim u kthye ne allim.
PërgjigjuBasha nje idiot
Përgjigju