Lorenc Vangjeli: Fëmijët e Berishës apo rishkrimi i Kushtetutës?

Lorenc Vangjeli: Fëmijët e Berishës apo rishkrimi i Kushtetutës?

Sali Berisha

Njëqind e tridhjetë minutat e Alba Alishanit në A2 CNN me Sali Berishën në studio provokuan një debat të gjerë publik, gjë e rrallë për hidhepritjen zakonisht tallava në shumicën e studiove të tjera televizive. Njëri në plan moral dhe penal e tjetri kushtetues dhe gjithëpërfshirës. I pari për marrëdhënien e ndërlikuar të familjes Berisha me drejtësinë dhe i dyti për një akt të vetë Berishës që prek gjithë familjen e madhe shqiptare.

Për herë të parë, në mënyrë krejt të papritur, Sali Berisha foli për hetimet e mundshme të SPAK-ut që mbërrijnë deri në oborrin e tij dhe po për herë të parë, pranoi rezultatin e gabuar të ndryshimeve kushtetuese të 2008-ës. Natyrisht vëmendja publike, edhe pse e kuptueshme pse ndodh kështu, u përpi nga historia me SPAK, kurse “Mea Culpa” e vonuar për 15 vjet, zor sa ra në sy.

Sali Berisha hodhi dritë, sipas stilit të tij të njohur, mbi hetimet hermetike që me gjasë po bën SPAK-u mbi përfshirjen e mundshme të fëmijëve të tij në çështjen e klubit Partizani. Një histori që përfshin pretendimet se trualli sportiv është kthyer padrejtësisht tek ish-pronarët e shpërblyer njëherë nga italianët në vitet 40-të të shekullit të shkuar e duke përdorur autoritetin e ish-kryeministrit dhe për më shumë, shndërrimin e atij trualli, në një lavatriçe pastrimi parash për disa dhjetëra milionë euro. Duke konfirmuar indirekt ekzistencën e hetimit dhe hallit të tij, Sali Berisha dha hollësi pak të njohura për publikun e gjerë mbi të, e kritikoi si të frymëzuar politikisht, sulmoi prokurorët me stilin e zakonshëm ndaj Zonjës së dikurshme të Bulevardit, por pa përmendur Çunin e sotëm me adresë tek Rruga e Burgut. Përmendi deri dhe falsifikime dhe bashkëpunim të dënueshëm të SPAK-ut me ministrin e brendshëm duke bërë të ditur kështu, se ishte në dijeni të plotë të asaj që po ndodhte dhe se është duke u përgatitur për atë që mund të ndodhë.

Për më shumë, Berisha ripërsëriti se ai është i gatshëm të marrë çdo përgjegjësi penale për akte që mund të kenë kryer fëmijët e tij. Në dukje ky është një akt moral. Një At është i dënuar nga natyra të përgjigjet për fëmijët. Dhe çfarë thotë Berisha, baba biologjik, meriton thjesht duartrokitje dhe është një reagim njerëzor. Por si politikan, Berisha ka të tjera detyrime dhe kushtëzime. Ai gabon në disa këndvështrime duke përzierë politikanin dhe Atin.

Berisha nuk ka asnjë shans të jetë bashkëpjestar në përgjegjësi penale me fëmijët, përveçse nëse vërtetohet bashkëpunimi i tij me ta. Nga ana tjetër, akuzat se një numër ushtarakësh të lartë dhe drejtuesit politikë të ministrisë së mbrojtjes mund të kenë vepruar nën autoritetin e tij, siç hamendësohet, fajëson ata që i janë bindur duke shkelur ligjin. Në të kundërt, është barrë e tyre të provojnë se kanë vepruar nën diktat, se kanë bërë zgjedhje fatkeqe e të gabuara apo thjesht deshën dhe e bënë. Në të kundërt të standartit që i kërkon Ramës kur i flet për bashkëpunëtorët që po ja kreh SPAK-u me radhë, Sali Berisha në këtë rast është subjekt i përgjegjësisë morale, por jo penale. Ai nuk mund të jetë bedel i fajësisë së askujt. Fatura si politikan, do të jetë e atij lloji, që pavarësisht krenarisë së tij, në Tiranë mund të paguhet edhe me një “më falni”, por që në Uashington nuk do të mbahet shënim. Non Grata që i përfshin dhe fëmijët e tij është një vendim i paapelueshëm. Ky ishte lajmi i parë që “grabiti” insistimi dhe instikti i gazetares Alishani, por natyrisht jo më i rëndësishmi. Pavarësisht rëndësisë së jashtëzakonshme që ka kjo çështje, pavarësisht nevojës urgjente të publikut që drejtësia t’u japë një përgjigje shteruese si akuzatorëve publikë ashtu edhe mbrojtësve vetjakë, në debatin e A2 CNN ishte një tjetër detaj që do të duhej të ishte pika kryesore e rëndesës. Për herë të parë mbas 15 vjetësh Sali Berisha pranoi se iniciativa e tij e përbashkët me Edi Ramën për ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 dha produkt të gabuar. Edi Rama, i ndëshkuar një vit pas tyre me një tjetër katër vjeçar torturues në opozitë, i ka kundërshtuar ato që në vitin 2009.

Në të njëjtën linjë gjykimi si në rastin e hetimit të SPAK-ut, edhe në këtë rast, as Berisha dhe as Rama, njëri si iniciator dhe tjetri si mbështetës, nuk kanë përgjegjësi penale për atë prodhoi marrëveshja e tyre jo transparente e prillit të largët të 15 viteve më parë. Pavarësisht se krijesa e përbashkët e lindur në një stinë dashurie për interes mes tyre doli një fëmijë nopran, më shumë krijues problemesh se mekanizëm për zgjidhjen e tyre, me gjymtyrë të paharmonizuara dhe pushtete që i hynin në hak njëri – tjetrit, ata të dy janë vetëm përgjegjës moralë dhe politikë për të.

Ndryshimet kushtetuese e kthyen Shqipërinë në republikë kryeministrore dhe partitë në pronë të kryetarëve të tyre. Ato ishin një hile e dy të mëdhenjve që dënoi me vdekje sfumaturat politike në vend dhe e “kërpëratizuan” koorporatën naive të politikës. Ato e bënë atë bipolare me fituesin që i merr të gjitha dhe e ktheu pushtetin legjislativ në vend në një port mediokriteti dhe portën që mund të kapërcehej vetëm nën vullnetin e kryetarëve të partisë. Edhe pse pohoi se nuk ka sistem të keq zgjedhor, por se ato bëheshin problematikë varësisht vullnetit të politikës, Berisha për herë të parë kapërceu Rubikonin e tij dhe pranoi që ka gabuar. Një gabim që i ka kushtuar shumë herë më shtrenjtë gjithë vendit në krahasim hijet e ish-klubit Partizani. Ky do të duhej të ishte thelbi i debatit të munguar publik.

Në mes të halleve të tij të shumta, mes zjarrit që nuk i shuhet dot brenda shtëpisë politike, Berisha ka një shans të artë të rishpikë vetveten përtej kacafytjeve vulgare të ditës. Në vend se të citojë Frojdin në Kuvend, ai mund të ftojë Ramën për të marrë iniciativën për të bashkëprindëruar një kushtetutë të re. Një komision i gjerë ekspertësh dhe deputetësh për rishkrimin e kushtetutës, një rikrijim i modelit të suksesshëm që ai e kishte refuzuar dikur në 1998-ën, në bashkëpunim me Komisionin e Venecias sidomos, do të ishte çelësi që do të rishkruante kushtetutën e denatyruar nga arnat e rishikimeve të nxituara të bëra në vite. Kryesisht, duke ju rikthyer thelbit të saj të zhdukur tashmë. Gabimet e të shkuarës mund të jenë mësimet e të nesërmes dhe një Kushtetutë e re, moderne dhe evropiane, më e madhe dhe më e qëndrueshme se pasionet prej adoleshenti që ka politika e ditës, mund të jetë produkti më i mirë që një dyshe që urrehet mes veti, mund t’i Shqipërisë së nesërme, më të qëndrueshme se kullat që po ndërtohen në Tiranë Me këtë kusht, Rama e Berisha do të merrnin përgjegjësinë morale për një shoqëri që pavarësisht se i urren rregullat, ka një nevojë urgjente për rregulla të shkruara sic duhet. Në një marrëdhënie të re, kësaj here të frymëzuar nga interesi i përgjithshëm, Rama e Berisha, i dyti më shumë se i pari, mund të korrigjonin deformimin nga i cili i pari përfitoi shumë më shumë se i dyti.

Nga ky këndvështrim, edhe debati për fëmijët e Doktorit do të dukej tmerrësisht minor përballë trashëgimisë kushtetuese që ata do t’i linin vendit; një akt që do të mbetej i ri edhe kur vetë fëmijët e Doktorit do të bëheshin pleq, pavarësisht se çfarë do të ndodhë nesër në SPAK me ta.

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Zefi: 18/09/2023 03:51

    Sa pateterizem i semure. Pa i hyre puneve te familjes biologjike apo politike, jane kompetence e organit kompetent ti zgjidhe, paraqet interes deformimi mbi ndryshimet kushtetuese te 2008 ku mediatiket e regjimit te Rames na e nxjerrin ate si te dores se dyte. Porse ishte pikerisht Rama qe permes atyre ndryshimeve, ndonese i dha frymarrje Berishes pas ngjarjev te 2007 ne Gerdec (ku morri ne mbrojtje vete mikun e tij Mediu dhe te kunatin Celibashi) shtriu kontrollin brenda PS duke listuar deputetet sipas qefit dhe asgjesuar cdo mundesi per kandidim te figurave politike te PS. Sot, ai e ka kaluar madje me tej me obskurantizmin e tij autokratik, pertej Enver Hoxhes, duke sanksionuar per here te pare ne Kushtetute votim per Partine!

    Përgjigju
  • Brisku i berberit: 17/09/2023 23:16

    Me rrove te rrova. Mi gezofshi pasurite e hajnive tuaja... Mjafton te pendoheni.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Momente tmerri! Dalin pamjet brenda avionit para rrëzimit në Kazakistan të filmuar nga një prej pasagjerëve

VIDEO/ Momente tmerri! Dalin pamjet brenda avionit para rrëzimit në Kazakistan të filmuar nga një prej pasagjerëve