Lorenc Vangjeli: Kur beson se Perëndia rri në dritare ose kur Ulsiu i flet veshit të Saliut

Lorenc Vangjeli: Kur beson se Perëndia rri në dritare ose kur Ulsiu i flet veshit të Saliut

Sali Berisha

Supozojmë… Supozojmë se klithma plot shpresë: “…e duam Shqipërinë si gjithë Evropa”, e tre dekadave e kusur më parë, do të ishte sot një realitet i përditshëm. Supozojmë se ndërsa Doktori i shpresës së dikurshme që jepte deklarata në oborrin e Kuvendit për shpresën e nesërme të demokratëve, që kreu i narkoshtetit Edvin Rama do të përmbysej një ditë, atij i do t’i afrohej nga pas ministri i drejtësisë Manja. Ulsiu pret sa mbaron Doktori me mikrofonat e gazetarëve dhe i pëshpërit në vesh: “Zoti Berisha, si do t’ia bëjmë për amnistinë? Janë 600 shpirtra njerëzorë, që presin votimin në parlament për të shkuar në shtëpi për festat e fundvitit”.

Supozojmë… Vetëm supozojmë se Doktori ka lexuar projektligjin për amnistinë, të votuar në qeveri që në dhjetorin e shkuar dhe e di se do të shkojnë në liri të gjithë ata burra e gra të dënuar me vendim të formës së prerë deri në 3 vjet e katër vjet. Apo edhe të tjerë, burra dhe gra, që ju kanë mbetur edhe tre deri në katër vjet burg nga dënimi. Apo dhe të tjerë burra akoma, që kanë mbushur 60 vjeç dhe gra që kanë festuar të 50-at e tyre në qeli. Shumë të tjerë që nuk do të plotësonin kriteret për t’u liruar, do të përfitonin një vit e gjysmë ulje të dënimit.

Supozojmë… ama ky është vetëm supozim, që Doktori interesohet dhe Manja ja konfirmon me llaf burri se nuk do të ketë tolerim tek të dënuarit me burg për jetë, për vrasësit dhe të dënuarit që kanë kaluar nga dyshimi i provuar në gjykatë i SPAK-ut për korrupsion dhe krim të organizuar.

Pastaj të dy bashkë hyjnë në Kuvend, votojnë për amnistinë dhe ndahen secili në punë të vet dhe secili në anën e përkundërt të llogores me karrige të përmbysura.

Nuk ndodhi kështu. Dhe nuk do të ndodhë kurrë kështu me protagonistë këta dy personazhe dhe me identikitin që ata përfaqësojnë në një Shqipëri që edhe pse do, nuk është si Evropa.

Në vend të dialogut të supozuar, i pari do të buçiste: “Dua t’i them kriminelit elektoral Ulsi Manja që është sot në krye të burgjeve, shko dhe zgjidh qelinë!”, kurse i dyti do t’i sillej hazërxhevap: “Jam i lumtur që arritëm këtë ditë që unë dhe ti të dalim para drejtësisë”. I pari do të betohej se tjetri vetëm qenin e shtëpisë nuk e ka rrogëtar shteti, kurse i dyti do t’i premtonte se do ta lajmëronte, për shkak të moshës, një javë përpara sesa t’i vinte dita e arrestit.

Njëlloj si ta edhe Flamuri e Albana, Blendi e Kasemi, Xhelali e Aurora, Andia e Edi, Gazi e Nikoja, Monika dhe Dashi, Petro dhe ish-Gramozi, Laerti dhe Isufi, Edona dhe Vullneti, Jorida dhe Oriola, Xhemali dhe Enslemvera, do t’i punonin qindin njëri-tjetrit, si njëri dhe tjetri nga 140 gratë e burrat në sallën e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

Nesër, nga pranvera e këtij viti a pranvera tjetër, të gjithë bashkë do të bëjnë garë elektorale edhe nëpër qeli duke shitur tek fatkeqtë e qelive, shpresën se një shoqëri moderne nuk kërkon thjesht ndëshkim, por rehabilitim. Se ashtu bën edhe Evropa. Do të betohen se besojnë që dikush që është kapur me dy cigare hashash në xhep dhe e quajnë bandit, nuk është më i lig se ai që ka trafikuar dy ton kokainë dhe e quajnë biznesmen. Se kështu mendojnë dhe në Evropë.

Një shoqëri e dëshmon forcën e saj me mënyrën sesi sillet me individët më të dobët të saj. Dhe nëse kjo aksiomë është e vërtetë, kjo është dëshmia më ulëritëse e dobësisë së një shoqërie që nuk është bërë ende komunitet. Kjo është dhe një nga rrënjët e shumta të së ligës dhe krizës së identitetit të shoqërisë shqiptare, e padrejtë në thelb, revanshiste dhe hakmarrëse, që ende beson tek urrejtja dhe urren edhe dashurinë. Eshtë portreti i një shoqërie në të cilën, më shumë se gjysma është e bindur se Zoti e ka zyrën në kat të dytë dhe që në më pak se gjysmën e saj, beson se Perëndia flet nga dritarja: tek rrugica e Salës, aty ku dikur pinte kafe edhe Ulsiu./Java

B.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Spanjë/ Zbulohen pamjet, ja se si agjentët e Guardia Civil bastisën bazën e ‘skifterëve’ shqiptarë! 13 vjedhje, 5 të arrestuar, 22 mijë euro cash e bizhuteri

Spanjë/ Zbulohen pamjet, ja se si agjentët e Guardia Civil bastisën bazën e ‘skifterëve’ shqiptarë! 13 vjedhje, 5 të arrestuar, 22 mijë euro cash e bizhuteri