Lorenc Vangjeli: Kush kërkon mbrojtje nën çitjanet e Ramës, i bën qejfin Edit

Lorenc Vangjeli: Kush kërkon mbrojtje nën çitjanet e Ramës, i bën qejfin Edit

Jamarbër Malltezi, Ilirjana Olldashi dhe Sali Berisha

Ka një histeri kolektive kundër gjykatëses Iliriana Olldashi të GjKKO-së. Linçimi i saj nga shumica dërmuese e opinionit dhe shumë zërave të tjerë publikë erdhi mbas vendimit të saj për të ndryshuar masën e sigurisë për Jamarbër Malltezin. I dyshuari Malltezi, sipas gjykatëses duhet të lerë qelinë e të presë përfundimin e hetimeve të tij në arrest shtëpie. Kundër këtij vendimi reagoi SPAK-u dhe ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë. Media, e para shqiptarja.com, autore e një prej investigimeve më mbresëlënëse për tjetërsimin e tokave të klubit Partizani hodhi dritë mbi një konflikt të mundshëm interesi të zonjës Olldashi me të gjykuarin e saj: kishte blerë një apartament prej tij me një çmim të diskutueshëm tek “kullat e krimit”. SPAK kërkoi përjashtimin e gjyqtares nga procesi Malltezit nën dyshimin për konflikt interesi dhe pritet që gjykata të vlerësojë një gjë të tillë.

Deri këtu është kronikë, problematika nis tek reagimet e përkundërta, nga ata që mallkojnë “…drejtësinë me dy standarte, që është ende në shërbim të Sali Berishës” dhe tek të tjerët që e konsiderojnë drejtësinë si zgjatimin e stapit të pushtetit të Edi Ramës. Të dy ekstremet puqeshin në klithmën e përbashkët: Ky vend nuk ka drejtësi!

Në fakt, me shumë gjasa e vërteta është krejt tjetër. Dhe si gjithë të vërtetat, ajo nuk qëndron në skaje, por në mes, Pikërisht aty ku naiviteti në rastin më të mirë, urrejtja dhe vështrimi daltonik, nuk pranojnë të hedhi sytë. Përtej emrave të përveçëm, ajo çfarë ka ndodhur është një lajm jashtëzakonisht i mbarë. Nga tre pikpamje, juridike, politike dhe njerëzore.

Së pari, kodi i procedurës penale e përcakton se “Arresti në burg mund të vendoset vetëm kur çdo masë tjetër është e papërshtatshme për shkak të rrezikshmërisë së veçantë të veprës dhe të pandehurit”. Veç e veç dhe në harmoni me njëri-tjetrën, nenet e kodit përcaktojnë disa masa shtrënguese, nga të cilët arresti me burg jepet vetëm në raste të veçanta e përjashtimore. Kjo masë sigurie ju vishet si këmishë force për të izoluar nga shoqëria individët që kanë bërë krime veçanërisht të rënda e që rrezikojnë të dënohen me mbi dhjetë vjet burg, që mund t’i shmangen hetimit duke u arratisur, që mund të prishin provat apo të intimidojnë dëshmitarët e çështjes dhe që mund të bëjnë sërish krime të ngjashme. Pra, një përjashtim dhe jo një rregull, siç ka qenë e zakonshme në shoqëritë totalitare. Stalini dikur arrestonte mbi bazën e dyshimeve, në demokraci, dyshimi është në favor të të pandehurit deri sa gjykata të vendosë ndryshe. Mendësia bolshevike në “shtetet e fortë” ulërinte dje “burg, burg, burg”, kurse demokracia ka në qendër të saj individin dhe interesat më të mira të tij. Ndryshimi i veshjes së zotit Malltezi në këtë pikë, nga pizhamat e burgut tek tutat e shtëpisë nuk e bën atë të pafajshëm, por e lejon të luftojë për pafajësinë e tij në kushte të tjera. Për më shumë, janë rreth pesë mijë shqiptarë me liri të hequr. Nga këta, vetëm gjysma janë të dënuar, të tjerët janë të paraburgosur dhe ende të pritje të gjykimit. Mes tyre edhe personazhe për krime të lehta e kundravajtje të ndryshme, por që janë harruar në kuptimin më klasik të fjalës “aty brenda”. Ndërkohë që për shumë e shumë prejt tyre mund të zbatohen masa alternative shtënguese që nisin që nga ndalimi i daljes jashtë shtetit, detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore, ndalimi dhe detyrimi për qëndrimin në një vend të caktuar apo dhe garancia pasurore dhe arresti në shtëpi. Do të kurseheshin kështu mijëra drama të pafundme njerëzore jo vetëm për ata që presin në qeli, por edhe për familjarët e tyre. Madje edhe shteti do të kursente qoftë dhembjen e kokës për ta, qoftë dhe shqiptarët nuk do të paguanin dhjetra e qindra milionë për t’i mbajtur në burg. Burgu nuk është qëllim në vetvete: bëje fajtorin të paguajë, sekuestro paratë e vjedhura, jep dënime alternative dhe përfitimi i shoqërisë është më shumë sesa ndëshkimi që ajo do të jepte për kundravajtësit e saj.

Së dyti, vendimi është një leksion politik për të kuptuar se për shkak të reformës në drejtësi, sidomos SPAK-u, krijesa më e rëndësishme e saj për momentin, ka nisur të besojë tek pavarësia e tij. Sot, as Rama nuk ka fuqi të fusë dikë me SPAK në burg për tekë dhe as Berisha nuk mundet të nxjerrë dikë nga burgu. Mirë apo keq, së paku SPAK-u e më së paku edhe një domethënëse e e tij, pa folur për problematika të tjera ende ulëritëse në pjesë të tjera të sistemit, varet vetëm nga bindjet vetjake e të brendshme të prokurorëve. Askush nuk guxon të telefonojë Altin Dumanin dhe ca të tjerë si ai me zyra aty tek rruga e burgut: “Këtë fute brenda e atë tjetrin nxirre jashtë!”.

Së treti, duke folur për një personazh publik si Malltezi, personaliteti i tij dhe rrethanat e tij vetjake janë një arsye pse duhet të presë gjykimin e tij jashtë qelisë. Siç do të duhej të gjykohej rast pas rasti çdo rast.

Të tre këto motive dëshmojnë së bashku një të vërtetë të madhe: sistemi funksionon. Një shkallë më e lartë qorton vendimin e shkallës më të ulët të gjyqësorit. Prokuroria akuzon dhe gjykata vendos. Media survejon dhe komenton. Gjithë pjesa tjetër e histerisë së histerikëve, bolshevikëve që vishen si demokratë dhe demokratëve që vrasin me fjalë si bolshevikët me urrejtje, është ende supa e burgut shpirtëror që konsumojnë të gjithë edhe pse komunizmi ka 30 vjet që është rrëzuar. Duke i dhënë lirinë shqiptarëve, por duke i mbajtur ende peng të mendësisë komuniste. Qeverisja në rradhë të parë më pas edhe vetë gjyqësori do të duhej të bëhen pjesë e revolucionit të ri në një vend që tashmë po jeton ethet e revolucionit kundër mëkatarëve. SPAK-u e ka nisur. Në fund të verës në njoftimet e tij publike, për herë të parë u vendos kjo fjali: “Sqarim: Gjithkush prezumohet i pafajshëm derisa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim të formës së prerë!”.

Kështu që, si i pafajshëm Ilir Beqja do të duhej të hetohet në liri. Edhe Jamarbër Malltezi. Do të ishte më e udhës që e njëjta masë të merrej edhe Arben Ahmetajn në fillim të verës e shumë të tjerë. Jo si dhuratë, por si nevojë. Fundja qelitë duhet të jenë të lira e të hapura sepse shumë banditë të tjerë, nga ata që vrasin me plumba apo me drogë, po presin rradhën për t’u penguar për të bërë edhe më tej keq.

Kurse gjithë ata, përfshi këtu edhe Sali Berishën, që mendojnë se maxhoranca kontrollon SPAK-un, bëjnë mirë të gjejnë argumente të tjera mbrojtjeje dhe sulmi. Sepse për fat të keq, kush kërkon mbrojtje nën çitjanet e Ramës, thjesht i bën qejfin Edit! Asgjë më shumë.

S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • POLICI: 24/11/2023 16:41

    SA PER INFO, GJYKATA E KA RREZUAR KERKESEN PER PERJASHTIM TYE GJYQTARES

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Momente tmerri! Dalin pamjet brenda avionit para rrëzimit në Kazakistan të filmuar nga një prej pasagjerëve

VIDEO/ Momente tmerri! Dalin pamjet brenda avionit para rrëzimit në Kazakistan të filmuar nga një prej pasagjerëve