Lorenc Vangjeli: Në emër të Atit, Birit dhe Shpirtit të Shenjtë

Lorenc Vangjeli: Në emër të Atit, Birit dhe Shpirtit të Shenjtë

Pal Engjëlli

Një zbulim i fundit ka çmendur botën akademike duke afruar një shans të ri për të rishkruar në një mënyrë tjetër, në mos gjithë historinë e njerëzimit, një pjesë të asaj që dihet deri më sot. Diku në Izrael ka dale nga dheu një krëhër prej briri, në të cilin besohet se është gdhendur fjalia më e vjetër e shkruar nga një dorë njeriu. Për ironi, nuk ka asgjë epike në këtë monument arkeologjik, gjykuar nga standartet e sotme. Madje fjalia tingëllon edhe pak qesharake: “Le t’i çrrënjosë ky bri morrat e flokëve dhe të mjekrës”, shkruhet në një hapësirë të ngushtë që ka të gjitha gjasat që të shtyjë në kohë historinë e shkrimit të dokumentuar, gjë që ka ndodhur diku tek 3700 vjet më parë.

Shqipja e shkruar, një nga gjuhët më të vjetra në Evropë, siç besohet gjerësisht, fatkeqësisht ka dëshmi shumë më pak të hershme të shkrimit të saj. Së paku, me aq sa njihet sot një Engjëll i vërtetë, Pali, ka shkruar një nga frazat më tronditëse në shqip duke përmendur në një fjali, Atin, Birin dhe Shpirtin e Shenjtë! Si një shenjë për të dëshmuar se vetë gjuha është Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë i një kombi.

Të premten e zakonshme të kësaj jave po aq të zakonshme në Tiranë, ku të gjithë rreken të bindin veten se po luajnë historirash, shqipja e standartizuar festonte gjysëm shekulli jetë. Një ngjarje madhore, ndoshta një nga pak monumentet më të lartë të historisë tragjike të Shqipërisë. Por dhe një pasqyrë e djeshme që rrëfen mediokritetin dhe vanitetin pompoz në të cilin shoqëria shqiptare është dorëzuar me status viktime. Të mos ishte për kryeministrin, kjo datë do të kishte kaluar shkarazi vëmendjes publike. Prania e Ramës në konferencë ishte arsyeja e vetme dembele se pse media transmetonte “live” fjalën e tij. Pa të, me shumë gjasë, lajmi për të, do të ishte në periferi të vëmendjes mediatike.

Përgjatë gjithë të premtes, me zellin e pashoq që jep tradita, hapësira mediatike e vendit frymonte nga debati mbi fjalorin që po kryeministri kishte përdorur në seancat për miratimin e buxhetit, për xhevapin pothuaj hazër që i kishin kthyer deputetët e opozitës, duke u pasuar me protagonistët e “luftës historike për Tiranën”, për përputhjen e interesit të një deputeteje me ekranin e një televizioni, për çmimin e energjisë dhe eskortat e luksit në Dubai, për dilemat nëse është e virgjër një beqare, për call center-at, cannabis-in, për temperaturat që ngrihen se është zhveshur njëra dhe dashurinë e rigjetur të tjetrës, për mitingun që do të shkruajë historinë në 12 nëntor, për rimartesën e dytë të PD-së më të njëjtin burrë dhe betonin në Tiranë, për sqepin e një zogu që i kishte shpëtuar burgut të tangave dhe për vjedhjen më të madhe në historinë botërore të portit të Durrësit dhe aty – këtu edhe ndonjë fjalë për buxhetin e ri, për pak më shumë qindarkat në xhepin e pensionistëve, për tensionet në Mitrovicë dhe dilemën se kush është më patriot Albini apo Edi e kështu me rradhë.

Në Tiranë, por edhe përtej Drinit, duket sikur ndodh gjithçka, por në fakt është i njëjti film që shfaqet. Edhe ditëlindja e Gjuhës së njehsuar, që është pakti më i vështirë i një kombi, siç thotë Kadareja, është e pafuqishme për të bërë bashkë ata që jetojnë duke u ndarë.

Ka një mungesë ulëritëse të shenjimit të prioriteteve të kombit. Cicmicet herë prej tigri të uritur në opozitë dhe mjaumjaut e prej kotelesh të përkedhelura në pozitë, çdo herë në shenjën e ca pak njerëzve që përkëmbejnë vendet si Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë i gjithë kombit, janë bota që ata kanë krijuar për veten duke ja afruar publikut si botë të tij. Ato janë vetë historia melodramatike që luhet përpara një spektatori të shushatur nga betejat e një klase politike, që siç thotë Rama për shumicën e një gjysme dhe siç është e vërtetë edhe për shumicën e gjysmës tjetër, nuk dinë as pse janë, as çfarë bëjnë dhe as çfarë duhet të bëjnë në politikë. Herë bedelë dhe herë kuislingë, herë Haxhinj e herë zonjusha lozonjare, herë Qamilë dhe herë fajtorë pa ndëshkim, ata vazhdojnë të pa trazuar yryshrevanin e tyre, të bindur thellë se po shkruajnë historinë e të gjithëve.

Lufta në Ukrainë që shkaktoi krizën do të ndalojë një ditë, tregu do të dalë nga çmendina dhe djathi në tryezën e shqiptarëve, me siguri që do të shtohet. Të varfërit do të jetë nesër më pak të varfër, kurse të pasurit do të jenë shumë herë më të pasur në po të njëjtën të nesërme. Shqiptarët do të ndjekin instiktin e refuzimit herë duke ikur e herë dukë u betuar se ky vend nuk bëhet, duke dënuar mëkatin vetëm atëherë kur ata vetë nuk kanë mundësi që të bëjnë mëkat. Të gjithë së bashku bien dakrot vetëm në një pikë: varfëria është i vetmi krim e mëkat i pafalshëm! Kurse “krëhëri” që afron demokracia, njëlloj si ai krëhëri i vjetër izraelit i 3700 vjetëve më parë, do të vazhdojë të mungojë në apel. Qarri i morrave që ndjehen filozofë kur shkruajnë: Puç-puç, lysm e tdsh për të gjithë.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Mozambiku në kaos pas protestave, 33 të vdekur nga revolta në burg dhe mbi 1500 të arratisur

Mozambiku në kaos pas protestave, 33 të vdekur nga revolta në burg dhe mbi 1500 të arratisur