Lorenc Vangjeli: Transparenca e refuzuar le me barrë dyshimin, materniteti ku lindin skeptikët

Lorenc Vangjeli: Transparenca e refuzuar le me barrë dyshimin, materniteti ku lindin skeptikët

Gazetari Blendi Fevziu bëri një denoncim të pazakontë në Opinion për “dosjen Materniteti”. Tentativave të stafit të tij për të mësuar se çfarë po ndodhte me një nga godinat emblematike të Tiranës, të gjithë aktorët e përfshirë në këtë dosje i ishin përgjigjur me heshtje. Refuzoi të flasë Ministria e kulturës, instituti i trashëgimisë kulturore, instituti i ndërtimit apo edhe firma zbatuese. Tre të parët të detyruar nga ligji dhe morali që shërben si ligj që të përgjigjen, e katërta e palegjitimuar të marrë pjesë në këtë debat. Ministria e shëndetësisë, ishte i vetmi institucion që kishte pranuar të tregonte pjesën e saj në projekt, por kaq ishte shumë pak. Në bursën e trazuar politike të Tiranës, heshtja konvertohet direkt në pranim faji dhe në akuzë të provuar. Heshtja le me barrë dyshimin dhe lind skeptikët. Armatos argumentat kundër dhe argumenton çarmatosjen e çdo qasjeje të përkundërt.

“Dosja” e maternitetit Mbretëresha Geraldinë i ka të gjithë elementët që thërrasin nën armë publikun. Ajo mundësoi edhe njëherë ndarjen e tij të thiktë në betejën e pasionit pro e kundër, pa asnjë pikë takimi në mes. E vendosur në aksin qëndror të kryeqytetit, trashëgimi kulturore prej vitesh, pikëtakimi me nostalgjinë për breza të tërë dhe me tulla të hequra natën, por edhe për shkak të tensionit të fushatës dhe kujtimeve të ngjashme, kjo dosje ka zgjuar një valë zemërate të zhurmshme në Tiranë. Përkimet me çështjen e Stadiumit apo dhe Teatrit Kombëtar janë shumë të freskëta dhe të njëjtët gurë të hedhur në ato raste, shërbejnë si goditje e riciklueshme për një mëkat që dyshohet se riciklohet vazhdimisht. Kundërshtarët e projektit të ri tentojnë të godasin qeverisjen e vendit në dy pika kryesore: vendimmarrje arbitrare dhe arrogancë në vendime. Duke shënjuar, në kohën më të papërshtatshme të mundshme, pikërisht kryeministrin Rama si mbartës, ushtrues dhe promovues të arrogancës në pushtet. I cili këtë radhë është sulmuar, jo thjesht nga kundërshtarët e tij që nuk do t’i thoshin shëndet edhe nëse teshtinte, por është goditur nga  heshtja e vartësve të tij. Në fakt ata e kishin më të lehtë të flisnin sesa të refuzonin të bënin publike detajet e një projekti që ka fatin e minareve, për të cilat nuk gjendet thes që t’i mbajë fshehur. Duke filluar me disa arsye specifike, që nisin që me dëmtimet e rënda në strukturë që ka shkaktuar tërmeti i nëntorit 2019. Ato dëmtime ishin të papajtueshme me sigurinë e objektit dhe shkak për tragjedi të paparashikueshme. Duke vazhduar me demonstrimin se ndërhyrjet e bëra në vite, shtesat mbi shtesa në pjesën e veçuar për rikonstruksion, kanë ndryshuar në mënyrë thelbësore projektin origjinal që synohet të rikthehet në shkëlqimin e dikurshëm nëpërmjet rikonstruksionit. Duke theksuar se parashihet ruajtja e arkitekturës origjinale duke zëvendësuar materialet e hequra me të njëjtën natyrë të materialit të ri. Duke shënjuar si element të rëndësishëm restaurimin e gjithë godinës kryesore së brendshmi për shkak të basolerievit emblematik të fasadës, edhe pse në të, tërmeti ka bërë hatanë duke dëmtuar deri dhe soletat dhe muret mbajtës. Duke ftuar për debat edhe faktin nëse ja vlen përfitimi në rritjen e lartësisë së objektit dhe sipërfaqen e shërbimit të realizuar në shtesën me xham, bashkëlidhja e modernitetit me tradicionalen, përballë ndryshimit në formë të vetë objektit. Apo duke sqaruar se kanë garancinë që specialistët e zgjedhur të Agi Kons-it, do të bëjnë në Tiranë atë që kanë vite që e bëjnë me restaurime objektesh të hershme edhe në Londrën konservatore.

Qoftë edhe kaq pak detaje do të vlenin që të orientonin një debat më të dobishëm, me pasion për trashëgiminë kulturore, por pa pasionin armiqësor që trashëgojnë debate të tillë në Ballkan. Deri më tani, e vetmja gjë që duket se ka shkuar keq, ka të bëjë me mëkatin e heshtjes. E cila nuk ndihmon askënd, por vetëm shton skeptikët dhe plagos optimistët.

Beteja për ruajtjen e trashëgimisë kulturore zakonisht thërret nën armë shumëkënd dhe zakonisht profanët janë më të zhurmshmit, ndërsa profesionistët janë kryesisht të ndarë në gjykime. Shembulli klasik është ndërtimi i piramidës së qelqtë në qendër të Luvrit, një prej trashëgimive më mahnitëse të njerëzimit. Apo edhe shumë më tej në kohë, në një rast të ngjashëm në thelb, por të ndryshëm në formë, Kulla Eifel ndau me thikë pro-në dhe jo-në për dominimin e peizazhit poetik parisien me prozën e çeliktë të Gustavit. Në hapësirën modeste shqiptare, materniteti Mbretëresha Geraldinë është pak më larg këtyre shembujve sesa distanca mes Parisit dhe vetë Tiranës. Por njëlloj si turistët që mësyjnë Parisin nuk harrojnë të bëjnë foton e vanitetit tek piramida e qelqtë në Luvër apo njëlloj si dikur kundërshtari më i egër i Kullës Eifel, Mopasani i famshëm, kishte zgjedhur të pinte kafen çdo ditë në një nga tarracat e Kullës si të vetmin vend në Paris ku nuk mund ta shihte atë, edhe kritikët e zhurmshëm dhe hartuesit e heshtur të projektit të rikonstruksionit do të kenë pika takimi me maternitetin e ri: duke nisur nga 36 muaj më pas, ata do të shkojnë  për të lindur princeshat dhe princat e tyre tek Mbretëresha Geraldinë. Siç ka bërë edhe vetë Blendi Fevziu vite më parë.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Wall Street Journal: Pse Shqipëria duhet të jetë destinacioni i radhës për udhëtarët e zgjuar

Wall Street Journal: Pse Shqipëria duhet të jetë destinacioni i radhës për udhëtarët e zgjuar