SHKODER - Pronarët e shtëpive pranë stadiumit “Loro Borici” në Shkodër të cilat janë parashikuar të shemben për rikonstruksionin e stadiumit, fillimisht do të shpronësohen e më tej INUK do të nisë punën për shembjen e këtyre banesave. Këtë garanci u dha kryeministri Edi Rama banorëve shkodranë të cilët e paraprinë vizitën e tij me një protestë kundër prishjes së banesave të tyre për ndërtimin e parkingut të stadiumit.
 
Mënjëherë pasi shpërndau në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi” certifikata pronësie për 700 familje të Shkodrës, shefi i mazhorancës i shoqëruar nga politikanët vendore u ndal të takonte banorët protestues.

“Në momentin kur projekti po mbush parametrat, mbi bazën e parametrave bëhen pastaj edhe shpronësimet, kështu që nuk ka asnjë lloj tendence për të prish kot, vetëm do prishet çfarë duhet për të mbushur parametrat e UEFA-s. Nga ana tjetër përsa i përket asaj pjesës që thoni ju stadiumi do të plotësohet, nuk do jetë siç është sot më një krahë të këputur. Pra stadiumi do të plotësohet”, u shpreh kryeministri Rama.

Pak orë para se kryeministri Rama të mbërrinte në ambientet e Pallatit të Sportit, gjatë protestës u shënuan edhe incidente mes banorëve dhe forcave të rendit.

Këta të fundit u morën pankartat protestuesve dhe kaq mjaftoi që situata të tensionohej, ndërsa banorët nuk kursyen akuzat për sjellje jo korrekete të bluve të qytetit.

“Kemi dalë për të protestuar për të drejtën për shtëpitë tona, jemi autoktonë këtu. Del një polic, një palaço, një zog i komunistëve dhe merr dy tabela, ndërsa ne kemi dalë si qytetar normale”, thotë një banor.
 
“Çfarë i kam bërë atij qeni apo për një rrogë të coftë që merr”. S’jemi duke lypur gjë, jemi me të drejtën tonë”, thotë një tjetër banor.

Më pas situata u normalizua dhe gjatë mbërritjes së kryeministrit Rama, në Pallatin e Sportit nuk u shënua asnjë incident.