Gruaja shqiptare, Cile Precetaj, nuk e ka përballuar dot lajmin për dëbimin nga SHBA pas 18 vitesh, duke përfunduar në spital. Mediat e huaja raportojnë se shqiptarja është dërguar me urgjencë në spital pas një ataku në zemër.
Ndërkohë, pas ndihmës mjekësore, nëna e tre fëmijëve, dy vajzave dhe një djali, është dërguar në burg në pritje të dëbimit. Lajmi i hidhur është bërë i ditur nga bashkëshorti i shqiptares, Peter Gojcevis, babai i fëmijëve.
“Mëngjesin e së enjtes ajo zbuloi se po përballet me një çështje deportimi nga vendi për shkak të mungesës së dokumenteve dhe sapo mësoi këtë lajm u dërgua në spital në gjendje të rënduar ankthi”, tregon burri i saj.
Më tej, ai rrëfen për mediat amerikane se shqiptarja ishte në panik dhe u mbajt për disa orë në spital, ndërsa shton se e njëjta histori është përsëritur edhe në vitin 2013, kur ajo do të dëbohej, por pas një vendimi të dytë u lejua të qëndronte. Ndërsa tregon se dhimbjen dhe lotët e fëmijëve për largimin e të ëmës.
“Unë jam këtu me tre fëmijë që qajnë dhe një nënë që qan. Autoritetet thonë se ajo shkeli ligjin”, thotë burri i saj, duke shtuar se “Ajo erdhi këtu në mënyrë të paligjshme dhe tejkaloi qëndrimin në vend. Dakord, por mendoj se një ligj i madh po shkelet duke ndarë një familje”.