Fituesi përfundimtar pritet të shpallet pas rreth një muaji, pasi sipas procedurave ligjore aplikuesit kanë të drejtën e animimit.
Në këtë tender kanë marrë pjesë vetëm dy kompani, ku oferta e parë ishte ajo e lotarisë kombëtare të Austrisë, ndërsa e dyta vjen nga një konsorcium i përbërë nga 3 kompani, lotaria italiane “Lottomatica”, qipriotja “GTech” dhe çekja “Synot”. Tre kompanitë e konsorciumit që ka bërë ofertën e dytë janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën.
Tenderi për lotarinë kombëtare ishte nga më të kontestuarit në vend, jo vetëm për sa i përket numrit të ulët të kompanive pjesëmarrëse, vetëm dy për një tender kaq të rëndësishëm, por dhe per faktin tjetër se dy kompani mjaft të njohura në fushën e lotarive, ajo greke Intralot dhe ajo turke Inteltek, i kanë dërguar letra publike ministrit të Financave, Ridvan Bode, mbi një seri shkeljesh sipas tyre të konstatuara në tender.
Disa prej këtyre shkeljeve janë mospërcaktimi i një oferte financiare për tenderin, si dhe mospërcaktimi gjithashtu i një çmimi dyshemeje. I vetmi përcaktim çmimi që bëhet në vendimin e qeverisë është një vlerë prej 500 milionë lekësh ekuivalente me rreth 3.5 milionë euro që kompania që shpallet fituese duhet ta depozitojë në bankë për llogari të buxhetit. Ndërkohë që në Maltë e njëjta licencë është dhënë për një vlerë prej 39 milionë eurosh, ndërsa një licencë 3G qeveria e shiti 31.4 milionë euro dhe çmimin minimal për pjesëmarrje në garë e kishte 12.5 milionë euro.
Një tjetër pretendim i kompanive, ka qenë dhe ai se Ministria e Financave dhe qeveria shqiptare kanë paracaktuar fituesin. Sipas këtyre kompanive, një sërë dokumentesh që kërkohen në këtë tender, mund të ofrohen nga një numër i limituar kompanishë, duke përjashtuar një sërë firmash të tjera me eksperiencë në këtë fushë.
Një tjetër shkelje ishte shpallja e konsulentit - kompanisë suedeze QI OT CONSULTING - 2 muaj pasi qeveria miratoi kriteret.
Ajo që rëndom u cilësua skandal me tenderin e lotarisë kombëtare u denoncua dhe nga opozita, dhe jo vetëm përmes debateve të ashpra në Kuvend. Në një deklaratë të tij në mbledhjen e grupit parlamentar të PS më 26 qershor, kreu i PS, Edi Rama, kërkoi madje dhe dorëheqjen e ministrit të Financave, Ridvan Bode.
(ns/shqiptarja.com)