Lotaria, kompania e skualifikuar
hedh në gjyq Financat

Lotaria, kompania e skualifikuar<br />hedh në gjyq Financat
Kompania greke "Intralot" ka hapur gjyq civil kundër ministrisë shqiptare të Financave, me padi për shfuqizim/ndryshim akti administrativ.

Kompania kërkon nga gjyqësori shqiptar detyrimin e palës së paditur “Ministria e Financave” për të vënë në dispozicion të paditësit të gjithë dokumentacionin zyrtar në lidhje me procedurat e ndjekura për përzgjedhjen e kritereve të vlerësimit për dhënin e licensës së lotarisë kombëtare dhe për organizimin e procedurës tenderuese.

Kompania greke "Intralot" ka deklaruar edhe gjatë procesit të tenderimit për dhënien e licensës 10-vjeçare, se qeveria shqiptare kishte vendosur dy kritere që skualifikonin paraprakisht të gjithë subjektet e mundshme dhe i plotësonte vetëm kompania "Austrian Lottery", por që vlenin vetëm për Austrinë dhe nuk kanë ndonjë vlerë të rëndësishme për vende të tjera. Këto dy çertifikata, sipas Intralotit, nuk mund të jenë kriter skualifikues për tenderin. Nëse qeveria shqiptare i donte këto dy çertifikata, duhej t’i kishte caktuar si kriter joskualifikues, por që do t’i kërkoheshin kompanisë fituese pas fitimit të tenderit. Duket qartë se ministria e Financave ka caktuar kritere për favorizim të një kompanie të vetme, për të cilën nuk ka nevojë ta themi emrin, se është bërë publike tashmë, përfundonte deklarata e “Intralot”.

Fituesi i tenderit, ende i pazyrtarizuar, për lotarinë kombëtare është kompania austriake "Austrian Lotteries". Ministria e Financave ka shpallur më 23 korrik të këtij viti renditjen paraprake të dy kompanive në garë, ku të parët ishin austriakët, kurse kompania e dytë LTO Consortium. Fituesi përfundimtar pritet të shpallet më vonë, pasi, sipas procedurave ligjore, aplikuesit kanë të drejtën e animimit.

Tenderi për lotarinë kombëtare ishte nga më të kontestuarit në vend, jo vetëm për sa i përket numrit të ulët të kompanive pjesëmarrëse, vetëm dy për një tender kaq të rëndësishëm, por dhe per faktin tjetër se dy kompani mjaft të njohura në fushën e lotarive, ajo greke Intralot dhe ajo turke Inteltek, i kanë dërguar letra publike ministrit të Financave, Ridvan Bode, mbi një seri shkeljesh sipas tyre të konstatuara në tender.

Disa prej këtyre shkeljeve janë mospërcaktimi i një oferte financiare për tenderin, si dhe mospërcaktimi gjithashtu i një çmimi dyshemeje. I vetmi përcaktim çmimi që bëhet në vendimin e qeverisë është një vlerë prej 500 milionë lekësh ekuivalente me rreth 3.5 milionë euro që kompania që shpallet fituese duhet ta depozitojë në bankë për llogari të buxhetit. Ndërkohë që në Maltë e njëjta licencë është dhënë për një vlerë prej 39 milionë eurosh, ndërsa një licencë 3G qeveria e shiti 31.4 milionë euro dhe çmimin minimal për pjesëmarrje në garë e kishte 12.5 milionë euro.

Një tjetër pretendim i kompanive, ka qenë dhe ai se Ministria e Financave dhe qeveria shqiptare kanë paracaktuar fituesin. Sipas këtyre kompanive, një sërë dokumentesh që kërkohen në këtë tender, mund të ofrohen nga një numër i limituar kompanishë, duke përjashtuar një sërë firmash të tjera me eksperiencë në këtë fushë.

Ajo që rëndom u cilësua skandal me tenderin e lotarisë kombëtare u denoncua dhe nga opozita, dhe jo vetëm përmes debateve të ashpra në Kuvend. Në një deklaratë të tij në mbledhjen e grupit parlamentar të PS më 26 qershor, kreu i PS, Edi Rama, kërkoi madje dhe dorëheqjen e ministrit të Financave, Ridvan Bode. Po kështu, Rama i dërgoi një letër kancelarit austriak ku i kërkonte të ndërhynte për të shmangur një akt korruptiv dhe antiligjor ndërkombëtar. Socialistët kanë deklaruar se, në rast se vinë në pushtet, do ta anulojnë licensën.
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Zyrtar i lartë i NATO-s: Bizneset duhet të përgatiten për një “skenar lufte”

Zyrtar i lartë i NATO-s: Bizneset duhet të përgatiten për një “skenar lufte”