/ATSH/-Lëvizja Rinore për Integrim ka organizuar  në sheshin "Nënë Tereza" në Tiranë aktivitetin "Street Art", që synon promovimin e talenteve të reja në të gjitha zhanret e artit të rrugës. Pavarësisht temperaturave të ulëta, me qindra të rinj e të reja kanë mbushur sheshin për të ndjekur performancat e veçanta apo punimet artizanale të shumë artistëve të rinj, duke filluar nga mini-ekspozita me piktura, muzika live, kërcim, akrobaci me biçikleta, etj.

Thirrjes së LRI-së për këtë aktivitet unik në llojin e vet për Shqipërinë i janë përgjigjur shumë të rinj e të reja të talentuara që kanë shfaqur aftësitë e tyre para audiencës së shumë të numër.

Të pranishëm në këtë aktivitet kanë qenë edhe deputetët e LSI-së, Petrit Vasili e Kejdi Mehmetaj, si edhe Kryetari i LRI-së, Endrit Braimllari.
I surprizuar nga perfomancat apo punimet e të rinjve është shfaqur pikërisht deputeti Vasili, i cili ka shprehur kënaqësinë që të tilla aktivitete organizohen më në fund edhe në Shqipëri, falë nismave të LRI-së.

"Besoj që jemi gjendur përpara një surprize të jashtëzakonshme, sepse këtu ka vetëm të rinj të cilët janë shumë të lumtur në spontanitetin e tyre. Është pikërisht ai art i rrugës të cilin ne e kemi adhuruar e pëlqyer, kemi humbur shpeshherë mendjen nëpër Europë dhe një lloj Europe në një mënyrë tjetër, spontane e virtuoze, me talente të cilët lëvizin në shumë plane, të rinj të cilët gjejnë vetveten, afirmojnë veten, të paobliguar nga rregullat e jurive", tha z. Vasili në një prononcim për median, duke vlerësuar se këto iniciativa vërtetë i kanë munguar Tiranës deri më sot.

"Këtu ka vetëm një juri, jurinë e opinionit dhe pëlqyeshmërisë së rrugës. Besoj se kemi një moment të jetës qytetëse që vërtetë i ka munguar vazhdimisht Tiranës. Mbase mund të them se që ditën që është marrë vendimi që sheshi Nënë Tereza të jetë një shesh i qytetarëve, sot besoj se po përjeton të parën ditë të vërtetë të tijën, si një shesh i qytetarëve. Besoj se ky do të jetë sheshi Nënë Tereza në ditët dhe në javët që do të vijnë, mbase besoj se ky do të jetë sheshi i të rinjve, sheshi i artit të rrugës. Dhe mënyrën se si mund të ishte i tillë dhe si mund të përdorej ky shesh, si mund të merrte jetë, e bëmë sot për herë të parë", theksoi deputeti i LSI-së.

Gjithashtu, z. Vasili ka vlerësuar intuitën e të rinjve të LRI-së, që kuptuan se për çfarë kishte nevojë ky shesh që tashmë i kthyer qytetarëve. "Besoj që djemtë dhe vajzat e LRI-së kapërcyen që të gjithë jo vetëm me intuitën, por edhe me mprehtësinë e tyre për të kuptuar se çfarë kërkonte ky shesh dhe ç'prisnin të rinjtë nga ky shesh. Më në fund sot në një farë mënyre jemi ndjerë të gjithë edhe më shumë qytetarë", përfundoi prononcimin e tij z. Petrit Vasili