TIRANË – Lëvizja Socialiste për Integrim hap letrat e saj për garën presidenciale. Sekretari i përgjithshëm i LSI, Luan Rama gjatë një konference për shtyp është pyetur nga gazetarët nëse Ilir Meta mund të jetë një emër i mirë për kandidat për president.
“Pse jo”, është përgjigjur zyrtari i LSI, parti e cila prej kohësh ka bërë thirrje për zgjedhjen e një presidenti konsensual nga politika.

Luan Rama ka mbështetur edhe deklaratën e djeshme të deputetit socialist Ben Blushi për bashkëpunim me PS për zgjedhjen e presidentit të ri.

Përveç Fatos Nanos, deri më sot nuk ka asnjë emër zyrtar për garën presidenciale. Kryeministri Berisha disa herë ka mohuar se do të jetë edhe ai pjesë e garës por ka këmbëngulur se presidenti i ri do të jetë një prej figurave të PD.
Ndërkohë që krejt ndryshe nga Berisha, Meta nuk ka folur kurrë për kandidimin e tij të mundshëm ose jo për postin e kreut të shtetit.

(aq/shqiptarja.com)