Me këtë rast, LSI-ja do të zhvillojë veprimtari të ndryshme sociale në të gjithë vendin. Këto veprimtari do të kenë në fokusin e tyre grupet në nevojë dhe shtresat e ndryshme sociale.
Në 10-vjetorin e themelimit të saj LSI-ja feston ndryshe nga partitë e tjera. Nuk do të ketë koktej, festa apo pritje, por do të organizojë veprimtari që do t'i vijnë në ndihmë komunitetit dhe ambienteve publike. Në këtë përvjetor është vendosur që të ketë veprimtari sociale edhe në shtëpitë e fëmijëve jetimë.
Ministri i Mjedisit, Lefter Koka deklaroi në rrjetin social "Facebook" se nesër ne e festojmë 10 vjetorin e LSI-së pranë qytetarëve të cilët na besuan dhe votuan për një dekadë.
"Miq, më 6 Shtator 2004, z.Ilir Meta bashkë me 500 personalitete dhe figura të shquara të vendit formuan Lëvizjen Socialiste për Integrim. Nesër ne e festojmë 10 vjetorin e LSI-së pranë qytetarëve, të cilët na besuan dhe votuan për një dekadë. Në mënyrë simbolike për këtë festë, LSI Durrës ndërmori në mënyrë vullnetare aksionin për gjelbërimin e segmentit rrugor në hyrje të qytetit. Këto janë pamjet e punës së nisur para disa ditësh por që nga nesër hyrja e Durrësit do jetë më e gjelbër dhe më e bukur", shkruan Koka. /ATSH/