LSI kundër Vettingut në Policinë e Shtetit: Kur të vijmë në pushtet do e anulojmë

LSI kundër Vettingut në Policinë e Shtetit: Kur të vijmë në pushtet do e anulojmë

Foto ilustruese

TIRANË- Lëvizja Socialiste për Integrim është renditur kundër Vettingut në Polici, duke premtuar se nëse do të vijnë në pushtet do ta anulojnë. Argumenti që japin është se ky vetting i uniformave blu është shndërruar në një mjet shantazi për policin e thjeshtë, si edhe një alibi për krerët e inkriminuar të Policisë së Shtetit. 

E këta mijëra policë mbahen nën shantazh, e kokat e policisë të përfshira në krim, në trafik, në korrupsion, në drogë e gjithçka kalojnë lehtësisht vettingun, qofshin këta edhe ish-oficerë të Sigurimit të Shtetit. Ky vetting është nul, është zero. Opozita, pas fitores së 25 prillit, do të anulojë këtë ligj të vettingut, do ta shfuqizojë, do ta zhdukë një ligj të tillë të poshtër e të shëmtuar, i cili është një ligj që kërkon vetëm e vetëm transformimin e policisë në një polici politike, ushtare të Edi Ramës dhe jo ushtare të ligjit, apo ushtare të qytetarit të thjeshtë, që ti shërbejë atij për ti qëndruar prapë, për ti garantuar siguri, për ti treguar që ligji është në krahun e qytetarit dhe jo në krahun e trafikantit, horrit dhe të kriminelit.  Prandaj do ta anulojmë këtë ligj dhe do të bëjmë një ligj, që do të kërkojë një pastërti të jashtëzakonshme, qelibar, për të gjithë krerët e policisë sepse populli me të drejtë thotë që: ‘Peshku qelbet nga koka’, e nuk do të lejojmë kurrë që njerëz të inkriminuar të vazhdojnë të qeverisin Policinë e Shtetit.  Patjetër do të bëjë zero edhe këtë pseudo-vetting, që u dha alibi këtyre maskarenjve dhe ata do ti nënshtrohen nga e para një vettingu, por të bërë nga një trupë e paanshme dhe jo nga ata që i bëjnë vetting vetes së tyre", tha nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili.

Me anulimin e këtij Vettingu, sipas LSI, Policia e Shteti do t'i kthehet qytetarëve.

"Ky anulim i këtij ligji është një mesazh i qartë që Policia e Shtetit do ti shërbejë vetëm ligjit dhe do ti shërbejë edhe në kontrollin e pastërtisë dhe të rregullit të tyre. Pra, në plotësimin e rregullave, atij legjislacioni i cili është, por i cili nuk zbatohet qëllimisht. Të gjitha instrumentet janë dhe policia nuk ka nevojë për instrumente shantazhi, ka nevojë vetëm për zbatimin e ligjit, e kjo është në sytë e të gjithë qytetarëve në mënyrë të përditshme. Ata e kanë shumë të qartë se kush e zbaton ligjin e kush bën presion politik. Kush zbaton ligjin e kush i hap derën trafikantëve. Kush zbaton ligjin e kush janë ata shefa e komisarë policie që mbyllin sytë përpara qindra hektarëve të mbjella me kanabis. Të atij që zbaton ligjin apo të atij që nuk i shikon kriminelët që lëvizin në mes të Tiranës, e që lajnë hesapet mes sheshit, ndërkohë që krerët e policisë hanë e pinë nëpër restorante", tha Vasili.

Në një kohë kur opozita kërkon që të mos ketë vetting për uniformat blu, mazhoranca ka bërë një kërkesë që të pezullohet. Në relacionin e projektligjit, i cili mbanë firmën e deputetëve Antoneta Dhima, Elona Gjebrea, Luan Harusha, Arben Elezi dhe kryetares së Komisionit për Sigurinë Kombëtare, Ermonela Felaj, thuhet se Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit duhet të përmbyllë fillimisht procesin e vettingut për Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave dhe pezullimin për punonjësitë e policisë dhe të Gardës së Republikës. SHÇBA, në vazhdim, do të jetë organi i cili do të filtrojë në vetting të gjithë punonjësitë e policisë të gradave më të ulta. Sipas relacionit, kjo do t’i mundësonte edhe institucioneve të tjera të përfshira të bënin një analizë më të thelluar të problematikave që janë shfaqur me kohën.

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë