Lëvizja Socialiste për Integrim po shkon çdo ditë e më shumë drejt tkurrjes, teksa goditja më e madhe ka ardhur nga Devolli. Kryetari i këshillit bashkiak të Devollit, Albert Lilo nga radhët e LSI, dhe tre këshilltarë të tjerë i janë bashkuar Partisë Socialiste.

Përveç kryetarit Lilo, janë larguar edhe anëtarët e këshillit Perlat Xhaçi nga PDS, Aldo Shpuza nga PDRE dhe Enver Manoku nga PS-PSH. Kjo është goditja më e madhe ndaj LSI, pasi nëse deri më tani kësaj force politike i janë larguar këshilltarë, nga kjo bashki vjen dhe largimi i kryetarit të këshillit.

Kjo sjell dhe krisjen më të madhe të kësaj force politike në këshillat bashkiakë. Albert Lilo dhe tre këshilltarët e tjerë janë bashkuar me grupin e këshilltarëve të PS, që tashmë numëron 8 mandate, duke kontrolluar këshillin prej 21 këshilltarësh.


Kryetari Albert Lilo dhe tre këshilltarë që iu bashkuan PS

Hemorragjia në LSI ka vijuar prej disa javësh, teksa në total janë 32 këshilltarë bashkiakë në të gjithë vendin, që kanë braktisur LSI dhe i janë bashkuar PS.