Sulmohen KZAZ-të/ LSI: Qeveria po fut në konlfikt institucionet, revolta përballë tyre do jetë e pamëshirshme

Lëvizja Socialiste për Integrim ka reaguar zyrtarisht mbi situatën dhe sulmet që militantët e PD e LSI kanë bërë ndaj qendrave të KZAZ në bashki të ndryshme të vendit.

Zv/kryetari i LSI, Luan Rama me anë të një deklarate për mediat ka bërë thirrje, Edi Ramës që të japë dorëheqjen pasi sipas pretendimeve të Luan Ramës ai po fut vendin në konflikt.

"Jam i detyruar të dal në këtë konferencë për shtyp në emër të LSI-së, për shkak të situatës së rëndë të krijuar në vend e cila është e gjitha produkt i paligjshmërisë dhe i papërgjegjshmërisë me të cilën po vepron mazhoranca, por në mënyrë të veçantë Kryeministri i vendit. Kundërvënia e një institucioni kundër tjetrit, kundërvënia e KQZ ndaj ligjit, kundërvënia e njërës polici përballë tjetrës dhe ç’është me e keqja, kundërvënia e qeverisë përballë qytetarëve është shfaqja më alarmante e gjendjes se ku e ka katandisur vendin qeveria e votave të vjedhura, qeveria e grupeve kriminale që dërgon mikrobus me banditë për të vjedhur vota, qeveria e votave të blera, qeveria e presionit dhe e dhunës mbi qytetarët siç dëshmohet edhe nga përgjimet më të fundit të publikuara nga gazeta gjermane Bild. 

Por marrëzia shkon edhe më tej, kur që prej vetë Kryeministrit të vendit dhe gjithë të tjerët pas tij thonë: çfarë ka ndodhur?!Kjo nuk është asgjë. Madje ai thotë se “do të bëja prapë të njëjtën gjë”, dhe banditët e tjerë poshtë tij thonë: “kjo është normale ne një fushatë zgjedhore sepse ne kemi komunikuar me strukturat e partisë apo me njerëzit militantë të PS”-së.  Natyrisht përballë një situate kriminale zgjedhjesh, natyrisht që edhe produkti nuk mund të jetë i ndryshëm. Zgjedhjet me kriminelë prodhojnë qeverisje me kriminelë. Zgjedhjet me banda prodhojnë qeverisje banditësh, prandaj ajo çfarë duhet bërë në këtë moment është tërheqja e menjëhershme e qeverisë dhe e të gjitha institucioneve që veprojnë nën urdhrat e saj dhe jo të ligjin, sepse përndryshe revolta dhe zemërimi popullor do të jetë i pamëshirshëm përballë të gjithë atyre që veprojnë në kundërshtim me ligjin. Përgjimet e bëra dhe të njohura përmes gazetës gjermane Bild provojnë edhe njëherë atë që në fakt qytetarët shqiptarë e kanë ditur dhe e kanë përjetuar realisht vetë. Provojnë edhe njëherë drejtësinë dhe largpamësinë e kauzës së opozitës, e cila prej kohësh këtë gjë ka bërë. Ka denoncuar duke treguar me gisht se ku janë kriminelët, ku janë banditët, ku janë ata që kanë vjedhur zgjedhjet, ku janë ata që kanë tjetërsuar vullnetin e qytetarëve shqiptarë. 

E në këtë kontekst ajo çfarë duhet të bëjë më së pari kryeministri është të paktën tani, të dëshmojë se i ka mbetur sadopak ndjenjë përgjegjësie, të japë dorëheqjen dhe të mos e çojë vendin në aventurë të rrezikshme. Të japë dorëheqjen dhe të mos frymëzojë,të mos motivojë sjellje kriminale, të papërgjegjshme dhe në kundërshtim me ligjin, të atyre institucioneve kushtetuese apo të tjerave që ai i ka kapur pikërisht për të përligjur dhe për të justifikuar këtë realitet. Dje në mënyrë të paturp ai dhe shumë të tjerë zyrtarë të tij dolën dhe na e shitën prapë dështimin për mos çeljen e negociatave më Bashkimin Europian si sukses, si fitore të tyre. Natyrisht unë nuk them që ata janë budallenj dhe të mos e kenë kuptuar se nuk ka çelje të negociatave me Shqipërinë. 

Sepse Shqipëria nuk ka përmbushur detyrimet që do të mundësonin çeljen e negociatave.  Ata natyrisht nuk janë budallenj dhe e dinë shumë mirë se përgjegjësia për mos çeljen e negociatave është e tëra e tyre. Prandaj sot është koha, nesër do të jetë vonë. Shqipëria nuk është në fushatë zgjedhjesh. Shqipëria ka nevojë për arsye, ka nevojë për paqe, ka nevojë për gjykim të arsyeshëm dhe në zbatim të ligjit. Kush bën të kundërtën, nuk bën gjë tjetër vetëm se u shërben interesave antishqiptare, u shërben atyre klaneve që kanë dashur, duan dhe sponsorizojnë pikërisht këtë lloj kundërvënie mes qytetarëve shqiptarë, përçarjen dhe deligjitimimin e të gjitha institucioneve të vendit.” ka deklaruar Luan Rama


Lajmi kryesor:

Sulmet ndaj KZAZ-ve/ Kryemadhi-Ramës: As në ëndrrat më të largëta s'e ke menduar fundin tënd! Paloka: Policia po përdoret si bandë


/G.M./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Deputetja në Kosovë: Në veri mund të ketë sërish provokime nga Serbia

Deputetja në Kosovë: Në veri mund të ketë sërish provokime nga Serbia