‘Do të ngre dronin në Francë 
simpati për një striptiste serbe’

‘Do të ngre dronin në Francë <br />simpati për një striptiste serbe’
TIRANË - “Kam siguruar biletën për të parë Shqipërinë në “Francë 2016” dhe jemi duke përgatitur shumë surpriza në mbështetje të kombëtares së futbollit në Kampionatin Europian. Mund të zbuloj se sëbashku me Tifozat Kuqezi po punojmë për zbatimin e planit për ngritjen e flamurit kuqezi me dron në ndeshjet që Shqipëria do të luajë në Francë, por do të ketë edhe disa surpriza të tjera”. Kështu shprehet në një intervistë për Shqiptaja.com 18-vjeçari, Marsel Qeleshi, i cili po gjykohet në gjendje të lirë në masën e sigurisë detyrim paraqitje për goditjen me gurë të autobusit me lojtarët e kombëtares serbe gjatë kohës që po qëndronin në Shqipëri për përballjen me kuqezinjtë në Elbasan. Të enjten Qeleshi shprehet se do të jetë seanca e radhës në gjykatë, ku mund të jepet edhe pretenca nga prokuroria.

18-vjeçari ka mbetur i zhgënjyer nga institucionet, pasi sipas tij nuk e meritonte një sjellje të tillë dhe zvarritje në procese gjyqësore për gurin që qëlloi autobusin serb, pasi e argumenton me faktin se ishte në shenjë hakmarrje për dhunën e ushtruar ndaj kombëtares në Beograd, por kjo sipas tij e ka një shkak. “Policia më ka ushtruar disa herë kontrolle në orare të ndryshme duke më bërë presion, madje edhe në orët e vona të natës në banesë, ndërkohë që unë s’jam ndonjë person me rrezikshmëri. Mendoj se e gjitha kjo bëhet, pasi Saimiri (ministri i Brendshëm) më ka inat se ka parë një foto që unë kam bërë me Sali Berishën kur ishte kryeministër”.

Marseli nuk është i zhgënjyer vetëm me shtetin, por me lojtarët e kombëtares. “Duka është njeri i mirë, por lojtarët janë lekista, megjithatë ata do të ikin dhe të tjerë do të vijnë, ndërsa kombëtarja mbetet. Ekipi është i të gjithë shqiptarëve”. Urrejtjen për serbët e ka të madhe, por në vazhdim të intervistës zbulon se ka një përjashtim. “Kam marrë shumë mesazhe kërcënimi në rrjetet sociale dhe telefon pas goditjes së autobusit me gurë, por jo të gjithë janë të këqij, pasi kam njohur edhe një vajzë serbe, e cila punon si striptise në një nga lokalet e natës në Tiranë dhe është sjellë mjaft mirë me mua, pavarësisht ndjenjës së urrejtjes për popullin serb”.

Jehona për veprimin dhe fama që mori i kanë ndryshuar jetën 18-vjeçarit, pasi sikur tregon ai, “kam marrë shumë ftesa nga shumë shqiptarë në Kosovë dhe në gjithë Europën, ndërsa në rrugë më përshëndesin të gjithë. Respekt për Vali Korleonen, që urren serbët, ndërsa më ka ftuar në Kosovë, por deri në përfundim të gjyqit nuk mund të lëviz jashtë vendit”përfundon ai.

Ballist Morina
Gjykata e Lartë ka zbardhur vendimin që liroi më 28 dhjetor të 2015 Ismail Morinën nga burgu duke e lënë në arrest shtëpie. Vendimi për ndryshimin e masës së sigurisë për Ismail Morinën të njohur si ‘Ballisit’ u bazua në faktin se “Ministria e Brendshme nuk i siguroi urdhër mbrojtje, ndërsa duhet ta bënte pas ngjarjes në Serbi ku ngriti dronin, nuk paraqet rrezikshmëri të lartë, masa ekstreme nuk mund të bazohet vetëm në ashpërsinë e dënimit dhe shfuqizimin që Kushtetuesja i bëri vendimit të qeverisë që rriste marzhin e dënimit për rastet e armëmbajtjes pa leje”shprehet gjykata. Ballisti u kap me dy armë pa leje një ditë para ndeshjes me Serbinë në Elbasan, teksa deklaroi se i mbante për vetëmbrojtje.


Redaksia Online
(E.Ç./shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A justifikohen aktet e dhunes gjatë një proteste politike?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Zelensky publikon foto nga takimi 'kokë më kokë' me Ramën: Folëm për rikonstruksionin e Ukrainës

Presidenti Zelensky publikon foto nga takimi 'kokë më kokë' me Ramën: Folëm për rikonstruksionin e Ukrainës