Qeveria ka ngritur superagjencinë e parë për shërbimet shtetërore. Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, e Njohur si AKSHI, me vendim qeverie kthehet në agjencinë që do të marrë në zotërim të gjitha shërbimet shtetërore që lidhen me Teknologjinë e Informacionit.

Kjo agjenci deri më tani ka pasur si funksion mirëmbajtjen e sistemeve qeveritare dhe konsulence për projektet e reja. Por me vendimin e sotëm, çdo investim në IT, prokurim, sistem i ri apo ndryshim sistemesh do të kalojnë nga kjo agjenci, që është në varësi të drejtpërdrejtë nga kryeministri. Kompetencat që tashmë i kanë kaluar AKSHI-t, gjatë qeverisë “RAMA 1” i ka pasur Ministria e Inovacionit, e drejtuar nga Milena Harito dhe kjo është hera e parë që krijohet një superagjenci me kompetenca të tilla.

Në vendimin e qeverisë theksohet se agjencia: “Organizon, kryen prokurimet e qendërzuara dhe lidh kontratat për sistemet, pajisjet software dhe hardware, mirëmbajtjen, si dhe shërbimet e internetit dhe intranetit me vlerë mbi kufirin monetar të prokurimeve me vlera të vogla, për institucionet”.

Gjithashtu kësaj agjencie i kalon edhe administrimi dhe mirëmbajtja e sistemeve aktuale dhe të reja, në përdorim nga institucionet shtetërore, përfshi ato që përdoren për mbrojtjen e informacioneve të klasifikuara. Konkretisht në kapitullin e dytë të këtij vendimi qeverie theksohet se kjo superagjenci “Përgjigjet për ngritjen, mirëmbajtjen dhe administrimin e sistemeve dhe aplikacioneve të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, për infrastrukturën e qendërzuar dhe infrastrukturën e Teknologjisë së Informacionit dhe komunikimit, për institucionet dhe organet e administratës shtetërore nën përgjegjësinë e Këshillit të Ministrave. Ai organizon prokurimin e përqendruar për pajisjet e Teknologjisë së Informacionit dhe komunikimit, me vlerë mbi kufirin monetar të prokurimeve me vlera të vogla, dhe për institucionet dhe organet e administratës shtetërore nën përgjegjësinë e Këshillit të Ministrave”.

Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi asnjë institucion nuk do të mund të bëjë më prokurime për nevojat që kanë infrastrukturën Teknologjisë së Informacionit dhe komunikimit. Të gjitha institucionet shtetërore brenda datës 30 qershor të çdo viti duhet t'i dërgojnë kërkesë me shkrim AKSHI-t për nevojat e tyre për projektet për vitin pasardhës. Veç përqendrimit të të gjitha prokurimeve që lidhen me teknologjinë tek ky institucion, këshilli i Ministrave ka shtuar edhe listën e portaleve qeveritare që do të menaxhohen nga kjo agjenci.

Gjithashtu një tjetër kompetencë, edhe më e rëndësishme që i kalohet kësaj agjencie është administrimi i të gjithë infrastrukturës, sistemeve dhe shërbimeve TIK në ministritë e linjës dhe në institucionet e varësisë, përfshi edhe personelin përgjegjës që tashmë nuk do të jetë më në varësi të ministrive por te Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit. 

d..c/shqiptarja.com